Pak vite më parë, në një bisedë me një intelektual iranian, fushëpamja e të cilit rrokte shumë hapësira të jetës, iu drejtuam me një pyetje të thjeshtë: A ka përpos politikës, një burim shtesë urrejtja juaj për SHBA-në?!

Në fakt, në Teheran, këtë e shikon ngado me sloganet dhe pllakatet në hapësirën e jashtme të mureve që qarkojnë ambasadën amerikane, por edhe në rrugët e zakonshme.

Vetëm ata që nuk na njohin, mëtonte iraniani, mund ta thonë këtë. Ne kemi sistem të modelit amerikan shëndetësor, po ashtu arsimor, sistemin e pensioneve dhe madje edhe ushtrinë. A mund të thuash sërish që ne kemi urrejtje për ta?!

Në fakt, nuk është urrejtje por imitim. Dhe, bota e mbarë ka qenë shumë e dhënë për ta imituar SHBA-në, duke filluar që pas L2B. Amerika ka rrezatuar përmes elementeve të demokracisë së saj dhe mbi të gjitha modelin e jetës që tashmë e kanë asimiluar dhe e kanë përshtatur të gjithë fashat e vendeve: Nga ato të zhvilluara, në ato në zhvillim e deri në ato më të prapambetura.

Politologu i njohur amerikan Zbignjev Bërzhinski do t’i paraprinte shumë tematikave me të cilat do të përballeshin SHBA-të në të ardhmen, por edhe mënyrën sesi do të transplantohej kjo fuqi e madhe prej imitimit që përcillej me rrezatimin e saj.

Tek e fundit, ajo vetë shërbente si laborator i hapur, pasi SHBA është një lloj shoqërie mbarëbotërore në miniaturë. Ka qytete që janë gati simbolika të minoriteteve por edhe simbole të kulturave nga vinë. Madje, politologu i njohur, 20 vite më parë edhe tollovinë e madhe raciale qytetëse të Amerikës e lidhte me gjendjen filozofike dhe shoqërore ende të pazgjidhur të botës, bash në këto hapësira urbane disa milionëshe.

“Imitimi i Amerikës nga të huajt është bërë sot një dukuri mbarëbotërore. Kjo nuk është vetëm çështje e modave kulturore, stileve shoqërore apo e modeleve të konsumit. Ajo gjen shprehje edhe në politikë, si në nivelet serioze, ashtu edhe në ato të dorës së fundit. Ndjeshmëria në rritje në shkallë botërore ndaj të drejtave të njeriut, ndonëse pjesërisht si pasojë e pashmangshme e zgjimit politik në shkallë botërore, është forcuar nga theksimi që Amerika i ka bërë kësaj teme”, citojmë Bërzhinskin tek “Jashtë Kontrollit”.

Por, pas zgjedhjeve të fundit presidenciale dhe probleme të njohjes së tyre, a mbetet më vallë model për t’u ndjekur dhe imituar Amerika? Kjo lë shumë shteg për t’u diskutuar. Mënyra sesi u përballën dy sfiduesit, presidenti aktual Trump dhe ai mëtues Biden ishin tejet zhgënjyese.

Madje, u duk se shumë qarqe morën frymë thellë, kur nuk u zhvillua debati i dytë, pas të parit, aq të mbushur me mungesë etike dhe akuza e kundërakuza mes mëtuesve.

E megjithatë paçka përfoljeve, zgjedhjet amerikane ishin realisht demokratike: E para dukej me masivitetin dhe seriozitetin për zgjedhjen e tyre, njësoj sikur po ndodhte një ndryshim historik. Kur, në fakt, votimi i fundit më shumë sesa një votë mirëfilli amerikane e kandidatit më të mirë u drejtua thjesht e lidhur me Trump, pra: me apo pa të në të ardhmen.

Shqipëria me kapacitetet e saj të mangëta dhe me një nivel demokratik që lë shumë për të dëshiruar e ndoqi si tifoze, madje dhe shumë nga përfaqësuesit e politikës dhe fushave të tjera u ndanë, sikur zgjedhjet të ishin duke u bërë në Tiranë.

Në një farë mënyre, duket se zgjedhjet amerikane i paraprinë pjesës toksike që do të përcjellin zgjedhjet në Shqipëri dhe mënyrës pa sens sesi në vend të shohim programet dhe interesat katandisemi thjesht në tifozë partish.

Argumenti ynë është se nëse do ta flisnim kështu, pra nëse imitimi që i kemi bërë në çdo gjë SHBA-së i përgjigjet si duhet zhvillimeve të vendit dhe karakteristikave të individit tonë antropologjik.

Ne e kemi imituar sot që tek akronimet e institucioneve, strukturat e ndryshme qeverisëse por edhe mënyrën e organigramave, që tek e fundit me rezultatet që ka demokracia jonë lenë vërtetë ende shumë për të dëshiruar. A ka faj imitimi në këtë rast?

Ka për një gjë fare të thjeshtë: Amerika si kampione e vlerave demokratike funksionon me vlerat e kombit multikulturor të SHBA-së dhe me tipare që ka ngjizur ky konglomerat i madh komunitetesh disa milionësh, por aman jo në vende gati homogjene dhe shumë të prapambetur nga ana kulturore si Shqipëria dhe një sërë vendesh të Ballkanit.

Në kohën tonë, gjithçka është e lidhur me të ashtuquajturin trampizëm dhe sesa fenomeni do të shoqërojë botën në të ardhmen: “Trumpizmi tejkalon personalitetin e Trumpit dhe ky është problemi që kemi pasur gjatë katër viteve të fundit në analizimin e situatës në Shtetet e Bashkuara. Personaliteti i Trumpit është aq i diskutueshëm, i karikaturuar dhe shpesh i huaj për zakonet tona politike, saqë na bën të harrojmë atë që presidenti ka mishëruar që nga fushata zgjedhore 2016: sintezën e zemërimeve të ndryshme të amerikanëve”, shkruan France Inter.

E afruar më shumë me ne lidhet sërish me reagimin dhe mësimin që do nxjerrim kur institucionet do të vendosin një normalitet, fillimisht në SHBA, ku kauza e legjitimitetit të zgjedhjeve që po lufton z.Trump është kuptimi i rëndësisë së Kushtetutës, bash pika jonë më e dobët prej mungesës së strukturës së Gjykatës Kushtetuese. Në Amerikë kjo sërish është e zgjidhur, pasi siç thotë Bërzhinski, në themel të së gjithës ka qenë lidhja e Amerikës, qysh në zanafillën e saj me nocionin e lirisë së individit.

“Kjo lidhje e ka bërë Amerikën jo vetëm një komb katalizator, por një sistem politik magnetik që gjatë të gjithë historisë së saj ka tërhequr miliona njerëz-siç vazhdon edhe sot”, thotë ai.

Por a mundet vetëm kjo kauzë themelore të justifikojë imitimin e një vendi, që me zgjedhjet e fundit na tregoi se demokracia nuk është më ajo klasikja?!

E njëjta dilemë, të mos harrojmë, nuk është vetëm tek ne por gjendet në të gjithë botën, edhe pse Trump ka një dimension të veçantë dhe krejt amerikan.

“Trumpizmi përtej Trumpit” bën jehonë në Evropë dhe gjetkë, në përparimin e populistëve dhe tundimet “joliberale”. Mbetet të shihet se kush do të jetë presidenti i ardhshëm i SHBA dhe zgjedhja amerikane e këtij rebusi që do të ndikojë në mënyrë të pashmangshme në botën në të cilën jetojmë, për mirë ose për keq”, referon “France Inter”.

E megjithatë, çfarëdo që të ndodhi, Shqipëria sërish do ta imitojë SHBA-në, nëse ky quhet imitim, sepse këtë e bëjnë natyrshëm dhe armiqtë më të mëdhenj të saj, siç thoshte dikur profesori iranian.