A do të ketë ndryshim të orës policore gjatë festave të fundivitit? Ja si përgjigjet specialistja e ISHP

A do të ketë ndryshim të orës policore gjatë festave

Në një intervistë me Skype për gazetaren Matilda Mcini në Ora News, specialistja e ISHP dhe anëtarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve ka komentuar ecurinë e pandemisë Covid-19 në vendin tonë, ndërsa nuk ka kursyer këshillat për qytetarët gjatë festave të fundvitit.

Sipas Tominit, masat e vendosura nga Komiteti Teknik i Ekspertëve po japin frytet e tyre të para, të cilat po shihen në uljen e pozitivitetit.

Eugena Tomini: “Duke vlerësuar situatën e ndërhyrjeve duke filluar nga fillimi i pandemisë dhe aktualisht që flasim, masat ndërhyrëse duke përfshirë edhe vendosjen e maskës në ambjentet e jashtme, sigurisht që po jep efektet e saj.  Çdo masë ndërhyrëse ka një interval kohor për të parë uljen e pozitivitetit apo incidencës së rasteve. Për të parë numrin e rasteve të cilët hospitalizohen dhe të rasteve që kërkojnë terapi intensive.

Tre këta indikatorë, janë vënë re që të paktën në 48 orët e fundit kanë treguar ulje në vlerat e tyre. Mesa shihet, është një ndikim i drejtëpërdrejtë i masave ndërhyrëse për minimizimin e transmetimit të virusit, qoftë me ndërhyrjen për maskat në ambjentet e jashtme, qoftë edhe për masën e grumbullimeve masive, pavarësisht se në disa momente dhe aktivitete ajo është thyer, por në tërësi masat kanë treguar efektivitet që po shihet në uljen e pozitivitetit”.

Sa i përket festave të fundvitit, që mund të shoqërohet me lëvizje të shumta dhe mosrespektim të rregullave anti-Covid, Tomini u shpreh se: “Ekspertët e Komitetit Teknik mblidhen në mënyrë të përditshme, sistematike, dhe ndërkohë rrahja e mendimeve apo vlerësimi i situatës bëhet tepër dinamik. Duke qenë se jemi në javën e fundit të parafillimit të festave të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, sigurisht që monitorimi do të bëhet sërish në mënyrë sistematike.

Deri në përfundim të kësaj jave, duke vlerësuar situatën dhe vlerësimin e të gjithë kritereve epidemiologjikë, do të bëhen rekomandimet bazë për ecurinë e festave.

Por është shumë e rëndësishme të festojmë brenda familjeve tona të vogla dhe të krijojmë atë atmosferën e festave edhe duke blerë dhurata, por me kujdesin që duhet. Edhe duke festuar në kushtet e shtëpisë për të mos favorizuar grumbullime masive".

Mund të ketë një ndryshim të orës policore gjatë festave të fundivitit?

Eugena Tomini: "Ekspertët mblidhen në mënyrë sistematike. E vlerësojnë situatën pavarësisht se duhet të theksohet që në 48 orët e fundit kemi një rënie pozitive, kemi rënie të rasteve të hospitalizuara, aktualisht 1,6% e rasteve kanë kërkuar shërbim spitalor ndërkohë vetëm 8.9% e tyre kanë kërkuar shërbim reanimator. Duket një rënie e lehtë, gjithësesi situata po monitorohet".

/a.r,OraNews

Vendi Lajme Ora News Covid-19 intervista koronavirusi ne shqiperi Sociale Aktualitet eugena tomini matilda mcini festat e fundvitit

EMISIONET