Për Federico Cafiero De Raho, prokuror i Antimafias në Itali, operacioni për shkatërrimin e rrjetit të trafikut të drogës, kryesuar nga shqiptarë është një operacion shumë i rëndësishëm ndërkombëtar.

Gjatë një konference për shtyp në Gjykatën e Firences ai tha se ky operacion nxori në pah rolin shqiptarëve dhe demonstroi se sa i fortë është kapaciteti i këtyre organizatave kriminale.

“Ky operacion nxori në pah rolin e trafikantëve shqiptarë të drogës dhe demonstroi se sa i fortë është kapaciteti i këtyre organizatave kriminale, të cilat kanë krijuar marrëdhënie të qëndrueshme me trafikantët e drogës në Amerikën e Jugut”

Një ‘kartel’ i përbërë nga njëzet persona, të gjithë shqiptarë, të aftë për të importuar tonelata kokainë në Evropë, duke përdorur rrugët detare dhe duke kaluar tranzit drogë nëpër portet e mëdha kontinentale. Një mekanizëm që ndjek rregullat dhe organizimin e trafikantëve të mëdhenj të Amerikës së Jugut, nga ku vinte droga.”

Ai shtoi se kriminelët shqiptarë kanë aftësi të mëdha, duke u marrë drejtpërdrejt me kartelet e trafikantëve të drogës në Amerikën Latine.

“Ndonjëherë mendojmë se organizatat kriminale shqiptare janë të nivelit të dytë. Operacioni “Los Blancos” demonstron, se kriminelët shqiptarë kanë aftësi të mëdha duke u marrë drejtpërdrejt me kartelet e trafikantëve të drogës në Amerikën Latine, duke siguruar me ta marrëdhënie të qëndrueshme. Hetimet gjithashtu bënë të mundur për të konstatuar ekzistencën e një superstrukture kriminale shqiptare, një lloj ‘kupole’, nga e cila vinin direktivat strategjike.”

Organizata kriminale e përbërë nga shqiptarë, e konsideruar si një nga rrjetet më aktive të trafikut të kokainë në Evropë, u godit falë një operacioni të zhvilluar në 10 shtete të ndryshme.

Sipas një njoftimi të EUROPOL-it​, grupi me emrin “KOMPANIA BELLO”, konsiderohet tanimë i shkatërruar, pas arrestimeve të 20 anëtarëve të tij, ndërsa gjatë viteve të shkuara ishin arrestuar 84 pjesëtarë të tjerë, në Itali, Ekuador, Holandë, Mbretëri e Bashkuar, Zvicër dhe Gjermani.

Arrestimet e fundit çuan në pranga, 5 persona në Itali, 2 në Holandë, 2 në Gjermani, 2 në Greqi, 1 në Rumani, 1 në Hungari, 1 në Spanjë, 5 në Shqipëri, dhe 1 tjetër në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në Shqipëri arrestimet u kryen në Tiranë, Vlorë, Lezhë e Durrës. Ndërkohë mes të arrestuarve të tjerë janë dhe 6 anëtarë të tjerë të grupit me origjinë po nga Shqipëria.

Grupi rrëzoi të gjithë modelin dhe kontrolloi të gjithë zinxhirin e trafikut, nga organizimi i dërgesave të mëdha direkt nga Amerika e Jugut deri te shpërndarja në të gjithë Evropën.