Më shumë se 5 mijë emra kanë propozuar degët e PD në garën e parë për kandidat për deputetë.

Një pjesë e madhe mësohet se janë emra krejtësisht të rinj për politikën, të cilët pas komisionit të vlerësimit do të përballen me votimin një anëtar një votë.

Sociologu, Ergys Mertiri, është optimist për procesin, por shton se procesi do ndërlikohet për shkak edhe të kushteve të reja pas hapjes së listave dhe ndalimit të koalicioneve parazgjedhore.

Mertiri: Do të shohim se cilat figura nuk plotësojnë kriteret dhe pastaj do të vendosë baza se cilat figura do të eleminohen nga lista. Në fund fare do të shihet produkti.Është pak e komplikuar se nuk dihet nëse do të shkohet në lista të hapura apo jo, do të shkohet në një listë të përbashkët gjithë spektri opozitar, kjo e ka komplikuar pak skemën. Nëse do përfshihet e gjithë opozita në një listë do të duhet një dakordësi mes palëve.

Në Tiranë ka pasur propozime dhe për emra jashtë politikës, si ai i shkrimtares Flutura Açka, studiesit Aurel Plasari apo futbollistit të Tiranës, Gentian Muça.

Duke u ndalur te ky i fundit, Mertiri thotë për Ora News se përzgjedhja e tij do të ishte shumë herë më mirë sesa disa politikanë që nuk i kanë sjellë asnjë të të mirë këtij vendi.

Mertiri: Di një person që është kapiteni i Tiranës që është vërtet djalë i mirë por nuk është politikan.Nuk është gjë e keqe të ketë njerëz të profesioneve të ndryshme, ama njerëz që kanë vokacion politik, ambicien politike dhe përvojë politike.A do gjejë zoti Muça një mbështetje nga baza e partisë, nuk e di. Nëse baza e do, pse jo le të kandidojë. Nga njëra anë them pse jo Muça nga shumë politikanë të tjerë që nuk i kanë sjellë ndonjë të mirë këtij vendi. Të paktën Muça njihet si djalë i mirë, i drejtë, përvoja politike është gjë tjetër.Por ka një kriter të gjatë seleksionimi dhe nëse është vullneti i duhur do të dalin edhe figurat e duhura.

Sipas Mertirit, PD është e detyruar të kalojë këtë proces sepse duhet të bindë.

Mertiri: Nëse ajo nuk përzgjedh njerëzit e përshtatshëm për ta përfaqësuar dhe për ta bërë elektoratin ti besojë asaj do ta vuajë në zgjedhje sepse ka përballë një pushtet i cili mund të vjedhë vota, mund të manipulojë turma, i ka të gjitha mediat në duar, ka presion ndaj mediave, ka para të mëdha në fushatë, blen vota.Nuk mund ta mundësh me gjysmë ndershmëri. PD patjetër duhet të bëjë hapat e  duhur për të prodhuar përfaqësues të denjë që të bindë njerëzit. Sakohë PD dëshiron të vijë në pushtet patjetër që do të bëjë këtë.

Duke komentuar rritjen e kriminalitetit në vend, sociologu thotë se hashashi po pihet masivisht plazheve.

Mertiri: Stina e verës ka kriminalitet shumë të madh, psikologët e lidhin edhe me zgjatjen e ditës. Por dhe droga shitet më shumë. Kam qenë këto ditë në plazh dhe kam vënë re që kudo pihet hashash masivisht në breg të detit. Është burim konflikti për bandat e shpërndarjes së drogës. Por lidhet edhe me varfërinë, mungesën e të ardhmes.

E ndërsa pritet një betejë e ashpër politike, Mertiri flet një tjetër betejë paralele në botën e nëndhshme.

Mertiri: Kur ndërrohet pushteti ka palë që lëvizin, aq më tepër në një vend si i yni krimi është i lidhur me pushtetin. Në momentin që një pushtet ndihet i pasigurt që do të fitojë zgjedhjet kjo reflektohet më shumë te grupet kriminale ku luftrat janë më të ashpra.U pa edhe në 2013 kur erdhi qeveria Rama që ka qenë një periudhë e tmerrshme atentatesh me tritol.Në vende si Shqipëria ku krimi ka mandat politik, ndërrimi i pushteteve do të trazojë dhe destabilizojë konfigurimin e botës së nëndheshme.Të shpresojmë që në të ardhmen të ketë vullnet për të ndërtuar institucione që i japin pavarësi policisë së shtetit të luftojë krimin. Pikësëpari policia të depolitizohet vetë dhe lidhjet e krimit me politikën të bëhen më të dobëta. Jemi një vend i kapur ku kryeministri ka kapur gjithçka. Policia është e zënë me median, teatrin.Është përdorur Covidi gjerësisht për të penguar çdo lloj manifestimi.

Intervista në studio me gazetarin Leftion Peristeri, përgatiti për online Besjana Kuçana