Shëndetësia dhe biznesi janë dy sektorët më të prekur nga pandemia e Covid 19 dhe demokratët i kanë përfshirë në planin e tyre te rimëkëmbjes, i cili përban 5 shtylla. Masat për një valë të dytë të shpërthimit të pandemisë dhe ndihma për të pamundurit, të cilët humbën punën për shkak të karantinës  renditen  në krye të planit  demokrat.  

Partia Demokratike ka propozuar  një paketë prej 312 milion euro per 6 muaj për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe menaxhimin e situatës së Covid-19. 

Paketa përmban 5 pika, të cilat në thelb kanë mbështetje ndaj biznesit, mbështetje qytetarëve veçanërisht atyre të prekur nga virusi, mbështetje sistemit shëndetësor për një valë tjetër infektimesh  dhe garantimin e masave anti-Covid në shkolla. 

Basha: Kemi segmente të tëra të popullësisë që vazhdojnë të vuajnë edhe nga pasojat e tërmetit, biznesi është zhytur në krizë totale dhe e gjitha reflekton në krizën e përgjithshme të ekonomisë, gjendjen psikologjike të njerëzve dhe problemet e thella sociale të cilat vetëm sa shtohen ndërkohë që qeveria nuk ka asnjë përgjigje. Një pikë e menjëhershme e këtij plani duhet të jetë rimbursimi i plotë i të gjithë shpenzimeve të çdo të infektuari dhe familjarëve të tyre për kurimin nga Covid.

Lulzim Basha foli me shifra konkrete për ndihmën që i duhet dhënë biznesit të vogël dhe atij prodhues, të cilët u dëmtuan më shumë për shkak të mbylljes së madhe.   

Basha: Bizneset e vogla shqiptare aktive të regjistruara në vend, një mbështetje të drejtëpëdrejtë me një çek prej 1000 eurosh për çdo biznes të vogël aktiv. Sa i përket biznesit prodhues dhe punëdhënësve të mëdhenj, dy masa: Për 6 muajt e ardhshëm subvencionimi 50% i qirasë për ambientet e punës ose heqja e taksës së pronës për bizneset pronare të ambienteve të punës dhe masa e dytë shtrirja në kohë dhe rikonsceptimi i kritereve të përfitimit nga të dyja skemat e garancisë sovrane, njëra për rrogat dhe tjera për investimet dhe shpenzimet operative.

Ndikimi në buxhet nuk është i vogël, por Lulzim Basha thotë se paratë janë,  por ato shpërndahen në tendera dhe koncensione korruptive. 

Basha: Anulohet Milot-Fier, të anulohet projekti për ta ndërtuar me 5-fish koston rrugën Korçë-Leskovik, të anulohen dhjetëra shpenzime të marra në kohë pandemie që kanë vetëm një qëllim, të mbushin xhepat e qeveritarëve të korruptuar.

Gjatë prezantimit të paketës, Basha tha se qeveria po e menaxhon situatën në nivelin e Afrikës, ndërsa  tha se përballë paaftësisë së saj, le të marrë dhe të aplikojë propozimet e PD-së.

“Plani i Rimëkëmbjes” i PD:

Pika e parë e planit

1. Mbështetje dhe përgatitje e sistemit shëndetësor: Përgatitja për një shpërthim tjetër të infeksionit të COVID-19, duke:

a)Rritur numrin e testimeve për COVID në 2500 testime në ditë.

b)Reimbursim i plotë për marrjen e mjekimit ambulator kundër COVID.

c)Sigurimin e paisjeve mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor dhe rritjen e kapaciteteve spitalore.

d)Bonus 1000 Euro për çdo mjek dhe 500 euro për çdo infermier për 6 muajt e ardhshëm.

Pika e dytë e planit

2. Fëmijët tanë të arsimohen të sigurtë: Të garantojmë që fëmijët dhe mësuesit në shkollë të jenë të sigurtë, duke:

a)Përmirësuar kushtet sanitare në shkolla duke përfshirë furnizimin me ujë, paisjen me maska mbrojtëse dhe dezinfektimin e rregullt të ambienteve mësimore.

b)Kryer testimin periodik për mësuesit dhe stafin ndihmës.

c)Investuar në teknologji për rastet kur mund të aplikohet mësimi në distancë, përfshirë ndihmën për familjet me të ardhura të ulta për të blerë tableta për fëmijët e tyre, në mënyrë që edhe ata të përfitojnë nga mësimi në distancë.

Pika e tretë e planit:

3. Asnjë shqiptar të mos lihet pas dore:

a)Të mbështesim ata që kanë humbur vendin e punës. Çdo individ që ka humbur vendin e punës nga pandemia gjatë këtij viti, të përfitojë një çek mujor prej 16 mijë lekë të reja në muaj, përvec pagesës ligjore për papunësinë, për një periudhë prej 6 muajsh.

b)Krijimi i një Fondi të Punësimit për të mbështetur bizneset për të rimarrë në punë të larguarit gjatë pandemisë, duke i alokuar cdo punëdhënësi që rimerr në punë një individ që ka humbur vendin e punës prej pandemisë, një shumë mujore prej 20 mijë lekë të reja në muaj për një periudhe prej 6 muaj.

c)Dyfishimi i ndihmës ekonomike për çdo familje që trajtohet me ndihmë ekonomike.

d)Çdo pensionist të përfitojë një çek mujor prej 2 mijë lekë të reja në muaj për përballimin e kostove shtesë të pandemisë, për 6 muaj.

Pika e katërt e planit:

4. Ndihmë për biznesin e vogël: Mbështetje e drejtpërdrejtë për të gjitha bizneset e vogla të prekura nga pandemia. Çek prej 1000 euro për çdo biznes të vogël aktiv.

Plani i pestë i planit:

5. Mbështetje për biznesin prodhues dhe punëdhënësit e mëdhenj:

a)Për 6 muajt e ardhshëm, subvencionim i 50% të qirasë për ambjentet e punës ose heqje e taksës së pronës për bizneset pronare të ambjenteve të punës.

b)Shtrirja në kohë dhe rikonceptimi i kritereve të përfitimit nga të dy skemat e garancisë sovrane, për ta bërë më të aksesueshme dhe të përballueshme kredimarrjen nga biznesi. Përcaktimi i një tavani prej 2% të normës së interesit për biznesin, duke subvencionuar çdo përqindje mbi këtë vlerë në kredimarrjen për investime dhe shpenzime operative.