Janë mbushur plot 30 vite nga eksodi i parë i madh i shqiptarëve drejt brigjeve italiane.

Gjatë natës së 6 -7 marsit të tridhjetë viteve më parë, rreth 27 mijë shqiptarë në bordin e anijeve, e të mjeteve të ndryshme të lundrimit u nisën ilegalisht nga Shqipëria drejt brigjeve italiane.

Ishte fillimi i vitit 1991 kur në Shqipëri sapo ishte rrëzuar monumenti i Enver Hoxhës, simboli i diktaturës së komunzimit, e protestat popullore për një regjim demokratik e të lirë, kishin përfshirë vendin.

Imazhet e mijëra shqiptarëve mes detit, në agimin e 7 marsit të 1991, mes pritjes e padurimit për të zbritur në brigjet italiane, bënë xhiron e botës e qyteti i Brindizit u bë toka e shpresës për një popull që kërkonte liri e demokraci.

Në një intervistë ekskluzive për RTV Ora,  kryetari i Bashkisë së Brindizit i 30 viteve më parë, Giuseppe Marionna rrëfen se si e përjetoi qyteti i tij këtë ngjarje që nuk ishte parë kurrë më parë.

Alba Kepi- Nata e 6-7 marsit 1991 qyteti i Brindizit e ju si Kryetar i Bashkisë aso kohe, u gjendën përballë një ngjarje të pazakontë. Njëherësh 27 mijë emigrantë shqiptarë kishin mbërritur në Brindizi. Çfarë kujtoni nga ajo natë e parë e ditët pas saj?

Giuseppe MarchionnaQenë ditë mjaft të vështira pasi nuk e prisnim, e ishim kaq  të papërgatitur për një ngjarje të tillë e jo vetëm ne si qytet por dhe vetë shteti italian. Nuk e priste askush mbërritjen një herësh të kaq shumë emigrantëve shqiptarë që ishin seriozisht në gjendje mjaft të vështirë jo vetëm sepse kishim përballuar orë e orë lundrimi mes një moti fortune, por dhe sepse ishin fizikisht të dërmuar pas një udhëtimi trup më trup me njëri-tjetrin mbi këto anije të stërmbushura me emigrantë.

Reagimi i parë i qytetit u shfaq mëngjesin e 7 marsit, kur një numër i lartë i tyre kishte kapërcyer kufijtë e portit e kishin mbërritur në rrugët e qytetit. Në atë moment kuptova se ngjarja ndoshta mund të merrte një drejtim negativ e më duhej të drejtoja banorët e qytetit tim për një qasje mikpritje ndaj tyre. Prandaj bëra një thirrje të regjistruar për radiot lokale e që në atë kohë ishin të barazvlefshme për popullaritet me atë që janë sot rrjetet sociale.

Radio dëgjohej në çdo shtëpi, e në ora 8 të mëngjesit të 7 marsit regjistrova thirrjen time “se njerëzit e shumtë që shihnin nëpër rrugët e Brindizit duhen ndihmuar e kanë nevojë të ushqehen e të vishen. Ndihmojini e do t’ju jenë mirënjohës.” E ky apel bëri që i gjithë qyteti i Brindizit të kishte një sjelle të disponueshme ndaj emigrantëve shqiptarë e jo frikë, pasi nuk duhet harruar se numri i tyre i lartë nëpër rrugët e Brindizit mund të shkaktonte dhe frikë tek banorët me konsekuencat e një qasje të vështirë për t’u menaxhuar. Pas disa momentesh tensioni mbërritën sinjalet e para pozitive.

Brindizinët nisën të hidhnin nga dritaret e shtëpive të tyre qese me rroba e ushqime për të ndihmuar shqiptarët që qëndronin nëpër rrugët e tyre. E kjo qasje mikrpitje shpërtheu në një solidaritet popullor nga banorët në ditët më pas kur emigrantët shqiptarë u strehuan nëpër struktura e shkolla, pasi ishte mjaft e rëndësishme dhe të gjendje një vend fjetje për ta në kushtet e një moti mjaft të keq e të ftohë,

Nënat, gratë bridizini nisën të gatuanin dhjetra kilogramë makarana në ditë e i sillnin në çdo vakt bashkë me ushqime të tjera për të ndihmuar shqiptarët.

E sot pas 30 viteve ky qe një moment i paharrueshëm e mitik, sidomos nëse e krahason me sot me sjelljen që shpeshherë bota ka ndaj emigrantëve. Qe një eksperiencë e jashtëzakonshme e ndoshta e papërsëritshme më kurrë.

Alba Kepi– Qe dhe një moment i vështirë politik duke kujtuar se vendimi juaj për të mikpritur 27 mijë emigrantë shqiptarë që autonom e kundër vendimit të qeverisë italiane që asokohe drejtohej nga Giulia Andreotti e që kishte urdhëruar marinën ushtarake të mos lejonte zbarkimin e anijeve me emigrantë.

Giuseppe MarchionnaMë shumë se unë, vendosi moti i keq i atyre orëve. Pa harruar se qeveria italiane i kishte dhënë urdhër anijeve ushtarake të mos lejonin anije, barka peshkimi e mjete të tjera lundruese tregtare të zbarkonin në Brindizi, atë natë deti shënonte 7 ballë nga moti i keq, e në ato kushte atmosferike kaq të vështira, hyri në veprim kodi i detit që kapërcen çdo vendim qeverie. Nëse dikush ndodhet në det në vështirësi, duhet ndihmuar të zbres në tokë se ndryshe mund të kishte ndodhur një tragjedi humane e deti do të ishte kthyer në një varrezë.

Pas mbërritjes së emigrantëve shqiptarë, qeveria italiane na la pesë ditë vetëm, duke e menaxhuar të vetëm fare situatën. Qenë 5 ditë pa asnjë sinjal ndihme. Ishte duke e gdhirë e enjte 7 mars 1991 kur ndodhi e gjitha kjo e vetëm pesë ditë më pasë, pra ditën e hënë në mbrëmje munda të flas me Claudio Martellin, një eksponent i lartë i Partisë Socialiste Italiane e i kërkoja ndihmë e i shpjegova se nuk mund të lenim mijëra e mijëra emigrantë rrugëve.

Të njëjtën mbrëmje ai organizoj ushtrinë e në Brindizi mbërritën tendat ushtarake, u organizuan mensat e nisi sistemi më i mirë i shqiptarëve. Situata pak nga pak shkoi drejt normalizimit. Por për pesë ditë rresht bëmë gjithçka të vetëm e në mënyrë të veçantë qene qytetarët e Brindizit që përballuan mëse mirë e ndihmuan shqiptarët në këtë moment të vështirë.

Alba Kepi– Duke u dokumentuar me të dhënat zyrtare të aso kohe, mu shfaq e paimagjinueshmja, Qyteti i Brindizit i 30 viteve më parë kishte pak a shumë as 90 mijë banorë e brenda një nate pa të mbërrijnë 27 mijë persona njëherësh. Ku mundët t’i strehonit?

Giuseppe Marchionna E para gjë që bëmë ishte se morëm në dorëzim të gjitha shkollat komunale e i kthyem në vendstrehim për emigrantët. Bënte një i ftohtë i madh i binte shi pa papushim e nuk mund t’i linim në rrugë. Vumë në dispozicion 28 shkolla me ngrohje, Fillimisht qe prefektura që solli furnizime ushqimore të ftohta , pra ushqime të konservuara e më pa siç thashë qenë nënat brindizine që nisën të gatuanin e të sillinin tenxhere me ushqime.
Çdo ditë rreth mesditës e në mbrëmje mbërrinin tavat, tenxheret me ushqime të ngrohta. Qe një moment i veçantë e që jam mjaft krenar për sjelljen e banorëve të Brindizit të atyre ditëve.

Nuk di nëse sot do të ndodhte diçka e tillë do të jetë e njëjta sjellje. Ishte një tjetër epokë. Ishte një Itali, më e thjeshtë, më njerëzore, më e disponueshme. Sot jemi bërë të gjithë më të “këqij” e shikon në rrjetet sociale ku përcillet shpesh herë një frymë “urrejtje” me një qasje kulturë e keqe. 30 vite më parë Brindizi ishte një qytet i vogël, i varfër i jugut të Italisë, me një përqindje të lartë të papunësh, pa shumë zhvillim, por ishte një qytet shumë më tepër njerëzorë. Italianët e jo vetëm e gjithë perëndimi gjatë këtyre 30 viteve është keqësuar në sjelljen ndaj emigrantëve. 

Alba Kepi– E sa kohë u desh që situata në qytetin tuaj të shkonte drejt normalisitet?

Giuseppe Marchionna– Për gati një muaj rresht nxënësit e Brindizit nuk mundën të shkojnë në shkolla. Pas pesë ditëve të para që ishim krejtësisht vetëm, u deshën  gati një muaj që gjërat të shkonin drejt normalitetit, Vetëm më datë 6 prill e pothuajse një javë para festës së Pashkëve, nxënësit u rikthyen në shkolla që deri në atë moment kishin shërbyer si vend strehimi për emigrantët shqiptarë.

Madje kujtoj se bashkia e Brindizit bleu në atë kohë tre telefonat e parë celularë pikërisht për emergjencën e emigracionit shqiptarë , për të menaxhuar e për të kontrolluar sa më mirë situatën. Ishin të nevojshëm për t’u informuar mbi nevojat, problemet e çdo vendstrehimi të tyre nëpër shkollat e Brindizit. U bënë mjaft të nevojshëm dhe për të bashkuar familjet e ndara shqiptare, kur i strehuam fillimisht mjaft familje, prindër, fëmijë, bashkëshortë, motër e vëllezër u ndanë nga njëri tjetri e ditë pas dite mundëm më pas të bënin regjistrimin e tyre e të bashkoheshin duke gjetur njëri tjetrin. E përmes këtyre tre celularëve i bashkuam dhe me njëri-tjetrin.

Alba Kepi- Një kuriozitet. 30 vite më parë u kontaktuan ndonjëherë nga qeveria e dikurshme shqiptare?

Giuseppe Marchionna Jo absolutisht jo. Ishte një Shqipëri tjetër asokohe, nuk kishim asnjë kontakt zyrtare me qeverinë shqiptare e me asnjë eksponent zyrtar shqiptar.

Kujtoj se në gusht të po atij viti më 1991, ndodhi një tjetër eksod i madh i shqiptarëve po drejt Brindizit e ministri i jashtëm italian De Michelis kishte mundur të kontaktonte  që këto anije që po mbërrinin përsëri në qytetin tonë , të orientoheshin për të mbërritur në Bari, e jo më në Brindizi pasi do të ishte e papërballueshme një tjetër fluksi i dytë për qytetin tonë.

Ministri i jashtëm De Michelis në marrëveshje me ish kryeministrin shqiptar të asaj kohe Fatos Nano, siguron për Shqipërinë operacionin Pelikan baraz me 15 miliardë liretta ndihma ushqimore e shqiptarët e mbërritur në Bari e të strehuar për pak kohë në stadiumin e qytetit u riatdhesuan përsëri në Shqipëri.

Alba Kepi– Çfarë kujtimi personal keni të atyre ditëve?

Giuseppe Marchionna –  Kujtoj se për pesë ditë rresht nuk kam mundur të fle. E as kam ngrënë. Kujtoj tensionin personal, e sensin e një katastrofe të papritur që mund të ndodhte cast pas cast. Isha i preokupuar se nga çasti në çast në ndonjë qoshe të qytetit mund të ndodhte diçka e shëmtuar e të prishte atë ekuilibër që po mundoheshim të vendosnimi.

Alba Kepi- Një tjetër e dhënë kurioze është se në Brindizi nga 27 mijë shqiptarë që mbërritën në 7 mars 1991,sot  30 vite më pas jetojnë në këtë qytet vetëm 250-260 shqiptarë. Si ka mundësi kaq pak?

Giuseppe Marchionna  Duhet marrë parasysh se ne në jug nuk jemi një realitet veçanërisht i zhvilluar, ka vështirësi për vetë banorët. Dhe pse duhet thënë se shqiptarët që jetojnë sot në Brindizi janë plotësisht të integruar e flasin në dialektin tonë. 

Alba Kepi– Ndërsa kujtojmë këtë 30 vjetor të eksodit të madh shqiptar , të vjen ën mendje një ngajrje e ngjashme por që përfundoj në një tragjedi njerëzore. E njëjti muaj mars, por 6 vite më pas, më 1997 në kanalin e Otrantos një anije e stërmbushur me shqiptarë përballë një blloku detar nga marina ushtarake italiane e ngjarja përfundon me dhjetra shqiptarë të mbytur. E njëjta skenë eksodi por fatkeqësisht me një fund tragjik.

Giuseppe Marchionna Qe një aksident tragjik  ku humbën jetën dhjetëra shqiptarë, Qe një tjetër sjellje penguese nga qeveria italiane që vuri në det anijet ushtarake për të ndaluar cdo lloj zbarkimi në Puglia.

Kam qënë gjithmonë kundër një qëndrimi të tillë e kam shprehur dhe me sjelljen time.

Të njëjtën gjë policia italiane më kërkoj në mars të 1991 në Brindizi. Më kërkuan të mbyllja gjithcka, dhe dyqanet me frikën se shqiptarët do t’i shkatërronin e unë kërkova pikërisht të kundërtën hapjen e gjithçkaje. Ishin njerëz  që duhen ndihmuar. nëse mbyll gjithçka, efekti i kundërt mund të jetë dramatik.