Viti 2021, nuk do të shënojë vetëm një sfidë mes partive që do të përmbyllet në 25 prill, por dhe efekte të rëndësishme që do të jepen nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Ndër çështjet më të debatueshme është ajo mbi zgjedhjet e 30 qershorit, e ankimuar nga kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi.

Kjo e fundit për Rtv Ora deklaroi se ende nuk është thirrur nga Kushtetuesja për të dhënë argumentet e saj.

Ademi: Akoma nuk ka një komunikim për këtë, presim të vijojë procedura ashtu si më përpara na është komunikuar që me formimin e gjykatës që tashmë është funksionale do të vijojë shqyrtimi i çështjes.

E pyetur për pritshmëritë që ajo vetë ka lidhur me vendimmarrjen, Ademi u shpreh:

Ademi: Fakti që ne jemi prezantuar në Gjykatën Kushtetuese me një kërkesë-padi besojmë që Gjykata Kushtetuese tashmë funksionale e dalë nga reforma në drejtësi patjetër do të bëjë të mundur që kërkesa jonë të verifikohet kur bëhet fjalë për kërkesa që lidhen me kushtetutshmërinë, me respektinin e ligjit konform Kushtetutës, respektimin e detyrave funksionale të institucioneve që menaxhojnë dhe administrojnë zgjedhjet nëse janë konform Kushtetutës dhe daljen në një përfundim që bazohet në Kushtetutë.

Intervista në studio me gazetaren Besmira Pelushaj, përgatiti për online Besjana Kuçana