Pas denoncimeve të shumta të qytetarëve për ndryshim të vendbanimit në prag të zgjedhjeve të 25 prillit, ministria e Brendshme bëri publike këtë të hënë të dhënat e para paraprake për qytetarët me të drejtë vote.

Sipas drejtorit të Gjendjes Civile, zgjedhjet e ardhshme kanë të drejtë vote 3.6 milionë qytetarë, ndërsa së shpejti do nisë dhe afishimi i të dhënave në vendet publike.

Ministria e Brendshme bëri publike këtë të hënë të dhënat paraprake për qytetarët që kanë të drejtën e votës më 25 prill të vitit të ardhshëm, pa dhënë asnjë sqarim për denoncimet e ditëve të fundit nga qytetarët për zhvendosje të qendrave të votimit.

Sipas Drejtorit të Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, rezulton se 3.608,003 qytetarë kanë të drejtën e votës, ndër të cilët 50.5% janë meshkuj, ndërsa 49.5% janë femra. vihet re se në këto zgjedhje janë rreth 72 mijë votues më shumë.

Zyrat e Gjendjes Civile në bashki apo njësi administrative, kanë detyrimin ligjor të printojnë ekstraktin e parë të përbërësve zgjedhore të të gjithë zgjedhësve sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, nën juridiksionin e tyre territorial.

Drejtori i gjendjes civile shprehet se pas printimit të ekstraktit të parë të listave, ato  do të afishohen më pas në ambientet e bashkive apo njësive administrative me hyrje të lirë dhe të aksesueshme për qytetarët.

Të dhënat e publikuara këtë të hënë, 5 tetor, janë të parat pas denoncimeve të shumta në media të qytetarëve të cilët denoncuan transferimin e gjendjes civile larg vendbanimeve të tyre.