I ftuar për intervistën “kokë më kokë” në “Politik On” ishte anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike Fatbardh Kadilli.

Kur jemi në vigjilje të fushatës elektorale dhe kur partitë kanë ndezur motorët për zgjedhjet e 25 Prillit, Alfred Lela, teksa i kujtoi Kadillit një thënie të ish kryeministrit Sali Berisha, “Shqipëria blu”, e pyeti nëse do të kemi sërish një Shqipëri blu.

Fatbardh Kadilli: Unë do dëshiroja të ishte e gjitha blu por ne jemi opozitë e bashkuar dhe ka edhe ngjyra të tjera brenda. Dhe duhet të respektojmë edhe diversitetin e koloritit që ka secila parti, e madhe apo e vogël, në opozitë. Por natyrisht do doja që të ishte blu sepse në meritën e kësaj partie, që fillon 30 vjet më parë, është përpjekja për ti hequr Shqipërisë atë koren e fortë komuniste. Shumë njerëzve sot iu duket një gjë e vjetëruar që në Shqipëri të flitet akoma për komunizmin, por ka diçka në mentalitet. Po marr një shembull: mënyra si kryeministri sulmon kundërshtarët është një mentalitet tipik komunist. Përqeshi, denigroji kundërshtarët. Njësoj si Enver Hoxha denigronte nga Hrushovi tek i fundit.

Alfred Lela: A është e bashkuar opozita? Se duket që ka parehati…

Fatbardh Kadilli: Mund të ketë parehati. Se çdo negociatë është e vështirë. Secila palë kërkon të gjejë hapësira për angazhimin e vet. Jam i bindur që çdo parti kërkon më shumë protagonizëm, më shumë rol, ndonjëherë më shumë se çka kallqe për ti mbajtur pesha. Është legjitime dhe kjo sjell pa dyshim vështirësi. Besoj se takticizmi me një listë, me shumë lista, me një parti të madhe, parti të vogël, është i rëndësishëm por jo përcaktues…

Në cilën zonë do të zgjedhë të kandidojë ish kryeministri Sali Berisha?

Fatbardh Kadilli: Rregullisht ka qenë në qarkun e Tiranës. Unë e kujtoj, që në vitin 1992 ka qenë në Kavajë, edhe në 91 mbase, dhe nuk i është ndarë ndonjëherë qarkut të Tiranës. Është e drejta e tij dhe besoj që duhet të rrijë në Tiranë.

Po Basha? Në Tiranë…

Fatbardh Kadilli: Është e drejta e tij. Është kryetar i partisë dhe duhet të jetë në një zonë ku nuk është drejtues qarku. Kryetari i partisë drejton gjithë fushatën.