Gjatë intervistës së tij për “Ditë e Re”, në RTV Ora, kryetari i Partisë Republikane komentoi edhe taktikën e dy forcave kryesore të Opozitës së Bashkuar, PD dhe LSI, për të kandiduar në dy lista të veçanta në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit.

Sipas Mediut, kjo ishte mënyra më e mirë për maksimalizimin dhe ruajtjen e votës dhe për të siguruar sa më shumë mandate parlamentare.

“Opozita shqiptare ka një qasje të përbashkët politike dhe të gjithë veprimtarinë politike e ka pasur të përbashkët. Ekziston një koalicion i bashkuar opozitar. Dhe koalicioni opozitar bashkohet në qëllim. Dhe qëllimi është përmbysja e regjimit të inkriminuar dhe korruptuar të Edi Ramës.

Nga ana tjetër, opozita do të përdorë të gjithë elementët elektoralë, në interesin e vet, për shkak të ndryshimeve të njëanshme të Kodit Zgjedhor dhe Kushtetutës nga ana e Edi Ramës, për të përçarë opozitën dhe për të manipuluar procesin, mendojmë që dalja në dy blloqe e në dy koalicione, është interesi më i mirë për Opozitën.

E para, përfshin një spektër më të gjerë politik. Nga e majta në të djathtë. E dyta, krijon më tepër mundësi dhe angazhime elektorale, si në një krah ashtu edhe në krahun tjetër. Pra, kemi një grup që kandidon nga LSI dhe një nga koalicioni afër PD.

Dobësimi i PD, aleatëve të PD apo LSI në procesin e kandidimit, do të ishte i dëmshëm“, tha Mediu.

Kryetari i PR shtoi se, opozita ka një program të përbashkët përballë shqiptarëve dhe për të folur me një gjuhë.

Ai shtoi se, opozita ka zgjedhur mënyrën e duhur për të ruajtur votën dhe për të marrë sa më shumë mandate.

Lexo edhe:

Do kandidoni në Fier më 25 Prill? Ja si përgjigjet Fatmir Mediu në “Ditë e Re”