Presidenti Putin konfirmoi pak ditë me parë se Festa e Çekisteve rus do të festohet pavarësisht Covid 19 dhe rrezikut të përhapjes së pandemisë. Kremtimet do të zhvillohen jo vetëm në Moskë por në të gjitha përfaqësitë diplomatike nëpër botë, traditë kjo që vazhdon që prej 1917. Rëndësia e ditës së Chekistëve është rritur ndjeshëm që prej vitit 2000 me ardhjen në krye të shtetit rus të Vladimir Putin.

Fondi i veçantë prej 2 milion euro i lëvruar nga Ministria e Financës ruse do të shpenzohet për kremtimet mbi Ditën e Çekistëve, më 20 dhjetor 2020 – themeluar si të tillë nga Boris Yeltsin në 1995.

Ndërkohë që pandemia e Covid-19 ka pllakosur në të gjithë botën, sistemet demokratike janë fokusuar në mbrojtjen e interesave dhe të jetës së qytetarëve përkatës, duke iu përkushtuar aplikimit të politikave unitare sociale dhe shëndetësore, në këtë kohë të zymtë që na rrethon. E kundërta ndodh me Federatën Ruse, që mesa duket do të vijojë edhe këtë vit me kremtimet mbi Ditën e Çekistëve, më 20 dhjetor 2020 – themeluar si të tillë nga Jeltsin.

Por a mund të festohet një festë e cila përkujton shkeljet e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut?

Në ish-BRSS, sistem i kaluar famëkeq totalitar që vijon të jetë prezent edhe në ditët e sotme, janë dënuar dhe vrarë jo vetëm të perceptuarit e bolshevikëve si “armiq imperialistë”, por edhe shtetas të pafajshëm rus të cilët kundërshtonin kufizimet dhe “lajthitjet” e atij sistemi.

Le të kthehemi pas në kohë dhe të rikujtojmë vitet kur drejtues të shërbimit sekret sovjetik ishin Feliks Xherxhinski (Feliks Dzierzynski), Jenrik Jagoda (Genrikh Yagoda), Lavrenti Beria (Lavrentiy Beria), etj. Si mundet që individë të tillë me karakter të dobët dhe cilësi negative të kenë qenë dhe të konsiderohen sot si paqedashës ndaj popullit të tyre?

Në ditët e mijëvjeçarit të ri, ku fokusi duhet të jetë larg komploteve, atentateve, presionit, përhapjes së frikës dhe destabilitetit, terrorizmit, fushatave propaganduese të rreme dhe të dëmshme, përse oficerët e shërbimit sekret rus e trumbetojnë me të madhe dhe krenari Ditën e Çekistëve? Mos vallë për të riforcuar sërish tentativat e dështuara për të helmuar, vrarë të gjithë kundërshtarët e regjimit të kalbur dhe në dobësim e sipër, putinian? Apo për t’i rikujtuar vetes së tyre dhe botës së zhvilluar demokratike se “kasapët” modernë janë ende në modë, si shëmbëlltyra të një regjimi të kaluar shtypës dhe totalitar?

Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për të kremtuar paqen, dashurinë dhe shëndetin midis njëri-tjetrit dhe fqinjëve tanë. Të njëjtin shembull duhet të ndjekë edhe Federata Ruse, të paktën të kujdeset për shtetasit e saj, të cilët po jetojnë një jetë sa të pasigurtë aq edhe trishtuese, ku intelektualë dhe gazetarë rusë janë vetëvrarë para syve të popullit.

Reflektimi kryesor pas ardhjes dhe shtrimit këmbëkryq të Covid-19 në jetët tona, duhet të jetë kremtimi i jetëve të reja që shtohen në këtë botë, respekti ndaj jetëve të humbura dhe jo shthurja në ekstazë totale nga disa oficerë të bindur ndaj një regjimi dhunues, diktatorial dhe shtypës.
Në thelb, shërbimi sekret rus thjesht ka ndërruar emrin e tij nga “Çeka” siç është emërtuar në fillesat e tij, në FSB, SVR e GRU, pasi fytyra e tij mbetet e njëjta: vrastare, negative dhe antinjerëzore.

A mund të ketë një urim për këtë regjim shtypës e vrasës? Festoni për jetën dhe jo për vuajtjet që ju shkaktoni! Reflektoni për një vit të ri të mbarë dhe jo për një vit kompleksesh, skenarësh, nxitjesh ankthi e stresi, siç bëtë në këtë vit që po lëmë pas!