Në SHBA janë përkujtuar 19 vitet e sulmeve terroriste të 11 shtatorit, që do linin pas rreth 3 mijë të vrarë në Nju-Jork. Ceremonitë këtë vit u kufizuan prej pandemisë, ndërsa në Kosovë viktimat u nderuan me pjesëmarrjen e ambasadorit amerikan dhe liderët institucionalë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përkujtuar përvjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Ceremonitë në nderim të rreth 3 mijë të vrarëve nisën të premten me shpalosjen e flamurit amerikan në fasadën e Pentagonit.

19 vite më parë, avionët e kontrolluar nga militantët e Alkaedës do të godisnin grataçelat e Nju-Jorkut të njohura si kullat binjake në orën 8:46 paradite, dhe dy avionë të tjerë brenda pak minutave edhe ndërtesën e Departamentit të Mbrojtjes dhe një bashki më të vogël amerikane.

Përgjigjja do të vinte dy ditë më pas nga ish-presidenti Xhorxh W. Bush me ofensivën ushtarake në bazat e Alkaedës në Afganistan, ndërsa ish-lideri i grupit, Osama Bin Laden, do të ekzekutohej nga forcat speciale të vendit vetëm 10 vite më vonë.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, edhe kremtimet e këtij viti ndryshuan.

Minutat e heshtjes nuk u pasuan sipas traditës me leximin e emrave të viktimave dhe pjesëmarrja ishte e kufizuar.

Nga bota politike botërore, ndërkaq, erdhën mesazhe ngushëllimi dhe solidariteti kundër terrorizmit.

Në Kosovë, kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, së bashku me ambasadorin amerikan, Filip Kosnet, vendosën kurora lulesh në pllakën përkujtimore të viktimave të 11 shtatorit.

“Populli i Kosovës si populli më pro amerikan në botë dhe Republika jonë si aleati kryesor i ShBA-së … qëndrojnë bashkë në luftimin e terrorizmit dhe gjitha fenomenet negative në raport me shoqëritë demokratike”

“Partneriteti i ngushtë dhe i qëndrueshëm midis popullit të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës e tejkalon politikën. Është e rëndësishme që kur shënojmë një ditë si kjo ne kujtojmë sakrificat, kujtojmë humbjet dhe gjithashtu se u kemi borxh atyre që mbijetuan të luftojmë për drejtësi edhe për të një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.”

Në kuadër të përvjetorit liderë tjerë institucionalë dhe politikë nderuan viktimat e 11 shtatorit.

“…terrorizmi  nuk njeh gjuhë, fe, racë dhe nacionaliteti… të ecim përpara duke e lutur zotin që jo vetëm në shtetin tonë por në mbarë botën në mbizotëroj paqe, liria, dashuria, lumturia dhe harmonia ndërfetare dhe assesi dhuna.”