Kryeministri Edi Rama ka replikuar me gazetaren Marsela Karapanxho, pasi kjo e fundit e pyeti për 120 kuksianët që kreu i qeverisë premtoi që do i ulte nga Londra në aeroportin e Kukësit.

Karapanxho e ka pyetur nëse biletat e kuksianëve do të paguhen me taksat e qytetarëve apo do ta mundësojë kryeministri me të ardhurat e tij. Sakaq Rama i është përgjigjur me replika, duke e pyetur gazetaren se sa e ka rrogën dhe sa taksa paguan.

Gazetarja: Me çfarë buxheti do t’i paguani biletat e 120 kuksianëve që do të zbresin nga Londra me taksat tona apo me paratë tuaja? Thatë që nëse do të votohej të dielën do të dilnit më mirë se kundërshtarët tuaj. Sa më mirë? Me 65-67 mandate apo 74?

Rama: Jemi në një fazë të jetës sonë publike ku aritmetika po pëson goditje të mëdha. Nuk e di si del llogaria me 65 nëse unë them më mirë se në 2017. Unë e kuptoj këtë influencën e tabelave të gabuara të shumëzimit dhe të pjesëtimit. Për të qenë serioz kam një pyetje, sa taksa paguan ti? E di? Nuk e diskutoj që paguan, por them e di sa taksë mbi rrogën paguan?

Gazetarja: Po të shprehem se sa përqind e rrogës time shkojnë për taksa, do të merrej vesh edhe rroga.

Rama: Sa përqind paguan? Nuk e di, s’ka problem

Rama: Pse e thashë këtë, s’kam asnjë arsye të provokoj. Nuk jemi në debat… E thashë sepse shumë shpesh e dëgjoj nga ata që nuk e dinë sa taksa paguajnë që “nga taksat tona”, “taksat tona” sikur ta dinin këta sa taksa paguajnë, do ishte një hap i madh përpara. Nuk do të jetë një fluturim me taksat tuaja, as me paratë e mija sepse nuk e kam këtë mundësi për një fluturim të tillë, por kur të realizohet do ta mësoni se si do të bëhet fluturimi i 120 kuksianëve që do të votojnë PD, falas, që do të jetë një mësim për sharjet dhe përqeshjet që kanë bërë nga Londra për aeroportin e Kukësit, që ishte një lojë, një përrallë, një 3D, HD.