Shqipëria po përjeton ditë kritike sa i përket pandemisë së koronavirusit.

Vetëm përgjatë javës së tretë të shkurtit u regjistruan 111 vdekje dhe mbi 7 mijë infektime.

Kurba e viktimave kulmoi të premten me 19 humbje jete, ndërsa gjatë kësaj jave në mesin e atyre që kanë ndërruar jetë janë edhe pacientë të moshave 39 apo 40 vjeç.

Ministria e Shëndetësisë raportoi se në 24 orët e fundit janë identifikuar pozitiv 1 mijë e 184 persona ndërsa betejën me virusin vdekjeprurës e humbën 13 pacientë.

E rënduar paraqitet situata në spitalet e dedikuara për trajtimin e koronavirusit.

Gjatë orëve të fundit janë shtruar edhe 26 pacientë të tjerë, të cilët kanë pasur nevojë për kujdesin e mjekëve ndërsa në total numri i të hospitalizuarve ka arritur në 632.

Ndërkohë në terapi intensive ndodhen 40 persona nga të cilët 14 të intubuar.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të dielën janë vaksinuar mbi 800 persona.