108 vjet Polici e Shtetit, Çuçi: 2021 një sfidë, pasi është një vit zgjedhor

Në 108 vjetorin e Policisë së Shtetit, Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se prioritet mbetet lufta kundër krimit dhe drogës. Po ashtu dhe zgjedhjet tha ai do të jenë sfidë për Ministrinë dhe Policinë.

108 vite nga krijimi, lufta kundër krimit, drogës dhe ekstremizmit mbeten ndër prioritetet e Policisë së Shtetit.

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, tha se të tilla tema janë me rëndësi edhe për integrimin në Bashkimin Evropian ndaj është detyrë e policisë të garantojë siguri dhe drejtësi.

Çuçi: Nga takimet e zhvilluara mes përfaqësuesve të Qeverisë sonë dhe zyrtarëve të BE-së, ka rezultuar qartë barra e Ministrisë së Brendshme në ndjekjen e çështjeve që kanë të bëjnë me Kapitullin 24 të marrëveshjes për “sigurinë, drejtësinë dhe lirinë” etj. Tema të tilla si lufta kundër krimit, drogës, trafiqeve të ndryshme, ekstremizmit, migracionit, sigurisë kufitare etj., janë mjaft sensitive për vendet e BE-së. Për plotësimin e këtyre detyrave, Policia e Shtetit ka një ngarkesë të shtuar specifike. Kjo do të jetë një sfidë e hapur për organizatën, por unë shpreh besimin se në përfundim edhe kjo sfidë do të kapërcehet me sukses. Ky besim është i natyrshëm dhe i prekshëm nga të gjithë.

Zgjedhjet e këtij viti, janë një tjetër sfidë e Policisë së Shtetit.

Çuçi: Viti 2021 do të sjellë një ngarkesë jo të lehtë për Policinë e Shtetit e Ministrinë e Brendshme, pasi është vit zgjedhor. Policia ka detyra specifike për sigurimin e mbarëvajtjes së tyre. Ky angazhim do të kërkojë një shpenzim shtesë kohe dhe energjie. Duke e mbyllur dëshiroj të uroj çdo punonjës të Policisë së Shtetit – Gëzuar ditën e Policisë! Bashkë me urimet, dëshiroj t’ju përcjell juve dhe familjeve që ju mbështesin, falënderimet tona më të thella për çdo sakrificë të bërë në shërbim të qytetarëve, të mbrojtjes së rendit dhe sigurisë publike.Të jemi të vetëdijshëm për rolin dhe misionin e përbashkët për të ndërtuar një Shqipëri europiane, që të garantojë një të ardhme më të mirë për vendin dhe brezat e ardhshëm. 

Ministri Çuçi tha se Policia e Shtetit është një nga institucionet më të besueshme në vend dhe kjo falë reformave të ndërrmara vitet e fundit.

Vendi bledi cuci Kronike 108 vjet polici

EMISIONET