Ish-deputetja e PD, Albana Vokshi, përmes një reagimi në Facebook, akuzon kryebashkiakun e Tiranës se shpenzon 1 miliard lekë për inceneratorin e Tiranës, ndërsa nuk shpenzon asnjë qindarkë për sigurinë e nxënësve në shkolla.

“Me 1 miliardë lekë që Erion Veliaj i ka paguar shtesë inceneratorit të Tiranës mund të ishin paguar edhe testet covid dhe ato sereologjike për mësuesit dhe stafet pedagogjike”, shprehet ish-deputetja.

Vokshi paralajmëron Veliajn se, çdo qindarkë që është marrë në kurriz të qytetarëve të Tiranës do të kthehet pas në 25 prill.

“Pak ditë para nisjes së vitit të ri shkollor, qeveria e Edi Ramës dhe Bashkia e Tiranës, e drejtuar nga Erion Veliaj, paguan me taksat tona 1 miliardë lekë inceneratorin e Tiranës. Asnjë qindarkë shtesë për shkollat, por gjithçka për biznesin me pronarë që fshihen në parajsa fiskale.

1 milardë lekë për inceneratorin e Tiranës dhe asnjë pikë ujë dhe as një kallëp sapuni në shkollat e Kryeqytetit.

Erion Veliaj derdh 1 milardë lekë në kontot në parajsa fiskale, por nuk jep asnjë qindarkë për maskat falas për nxënësit dhe dezinfektimin e klasave.

Me 1 miliardë lekë që Erion Veliaj i ka paguar shtesë inceneratorit të Tiranës mund të ishin paguar edhe testet covid dhe ato sereologjike për mësuesit dhe stafet pedagogjike.

Çdo qindarkë e vjedhur në kurriz të banorëve të Tiranës do t’i kthehet kundër në 25 Prill. Dhe kushdo i përfshirë në këtë megaaferë do të shkojë para drejtësisë”, shkruan Vokshi në reagimin e saj.