Zgjedhjet vendore në Maqedoni, fitojnë partitë në pushtet

Zgjedhjet vendore në Maqedoni, fitojnë partitë në pushtet

Partitë VMRO-DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim kanë shpallur mbrëmë para mesnate, fitoren e kandidatëve të tyre për kryetarë komunash në më shumë qytete.

BDI-ja ka fituar në Kërçovë, në Çair të Shkupit, në Dibër të Madhe, por ende e paqartë është gjendja në Tetovë, nëse ka fituar BDI-ja apo do të ketë balotazh; Ndërkohë në Strugë do të ketë balotazh midis kandidatit të Partisë Demokratike Shqiptare dhe kandidatit maqedonas të mbështetur nga të gjitha partitë maqedonase. Këto nuk janë rezultate zyrtare, por të komunikuara nga shtabet e partive.

Zgjedhjet vendore të cilat u mbajtën dje në Maqedoni duket se i fituan partitë e pushtetit, VMRO-DPMNE-ja dhe Bashkimi Demokratik për Integrim. Megjithëse rezultatet vijnë nga shtabet partiake dhe nuk janë zyrtare, ato gati se pranohen nga partitë kundërshtare. Ajo që është më me interes për shqiptarët është se komuna e Kërçovës do të drejtohet nga një kuadër shqiptar, hera e parë kjo pas rreth shtatëdhjetë vjetësh.

Fatmir Dehari i BDI-së nuk do të mund ta fitonte postin pa votat e disa mijë emigrantëve nga vendet e Evropës dhe Amerika të cilët erdhën të premten e të shtunën, votuan dhe dhe u nisën për në shtetet ku jetojnë. Në Strugë, ndërkohë, kandidati i Partisë Demokratike Shqiptare, Zijadin Sela shkon në balotazh me kandidatin e përbashkët të partive maqedonase.

Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së e pranoi humbjen në Strugë ndërsa njoftoi mbështetjen për zotin Sela në balotazh nga përkrahësit e BDI-së, megjithëse shqiptarët e kësaj zone do ta bëjnë këtë edhe pa u bërë thirrje ndonjë drejtues politik. Zoti Ahmeti, gjatë një konference për shtyp në selinë e partisë në Tetovë, tha se kandidatët e partisë së tij për kryetarë komunash kanë fituar në Çair të Shkupit, në Dibër të Madhe, dhe në komunat rurale të Zhelinës, Bogovinës, Sarajit, Likovës dhe Pllasnicës.

Ndërkohë BDI-ja shkon në balotazh pas dy javësh në komunat e Gostivarit, Haraçinës, Studeniçanit, Bërvenicës, Vrapçishtës dhe Dollnenit. Në Tetovë, Teuta Arifi e BDI-së ka rreth tre mijë vota epërsi ndaj kandidatit të PDSH-së Sadi Bexheti, por, ndërsa BDI-ja e konsideron Tetovën “një fitore të shklëqyer” në raundin e parë, PDSH-ja paralajmëron balotazh për këtë komunë.

Mbrëmë kanë festuar VMRO-ja dhe BDI-ja ,ndaras, natyrisht. Kryetari i VMRO-së Nikolla Gruevski i cili është edhe kryeministër, përsëri vazhdoi me tonet nacionaliste në lidhje me Kërçovën dhe Strugën, gjatë një paraqitjeje në selinë e partisë së tij në Shkup, duke thënë se “ëndërrat nacionaliste nuk do të jetësohen në Kërçovë e Strugë dhe se këto qytete mbeten maqedonase dhe qeveria do të shtojë vigjilencën dhe kujdesin për maqedonasit atje”.

Nga ana tjetër, Ali Ahmeti i BDI-së ka folur me maturi për fitoren në Kërçovë duke u bërë thirrje qytetarëve të cilët kanë dalë për të festuar atje se duhet të jenë të përmbajtur dhe të kujdesshëm.

“Kjo fitore u takon të gjithë qytetarëve të Kërçovës sepse kryetarët që janë zgjedhur dhe që do të zgjidhen kanë obligim të kujdesen dhe të punojnë për të gjithë ata njerëz, për të gjithë komunitetin që jeton aty”, është shprehur zoti Ahmeti.

Procesi zgjedhor ka kaluar përmes një atmosfere të qetë, ku nuk janë shënuar incidente fizike as dhunë, që është  një nga proceset e rralla në këtë vend që nga pavarësia e tij para 22 vjetësh.

Vëzhguesit e OSBE-së dhe ODIHR-it sot do të bëjnë vlerësimet mbi rrjedhën e zgjedhjeve të djeshme, ndërkohë që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve pritet të shpallë rezultatet e para gjatë ditës së sotme.

EMISIONET