Situata - Zjarret në Dropull rrezikojnë banesat, Greqia sjell përforcime të reja
13/08/2017 - 14:01 Nga: Robert Goro

Greqia ka dërguar përforcime të reja edhe në mjete, me qëllim që të përfshihen në operacionet e përballimit të zjarreve në jug të Shqipërisë.

Në këtë mënyrë, qeveria greke i është përgjigjur kërkesës së autoriteteve shqiptare ndaj Komisionit Europian, për asistencë të mëtejshme.

Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve, ANA-MPA, përveç dy avionave zjarrfikes CL-415 që u dërguan dy ditë më parë, të shtunën në territorin shqiptar shkuan edhe tre mjete me gjashtë zjarrfikës, që aktualisht po veprojnë në zonë.

Të dielën nga pika kufitare e Kakavijës do të kalojnë edhe katër mjete të tjera.

Asistenca greke në kuadër të Bashkimit Europian afrohet në një kohë që edhe vetë Greqia po ballafaqohet me një valë intensive zjarresh në të gjithë vendin.

Ndërkohë Emergjencat Civile raportuan sot se në qarkun e Gjirokastrës vazhdojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në fshatrat Frashtan dhe Lugar, bashkia Dropull, të cilat paraqesin rrezik për banesat.

Në operacione për të shuar zjarret janë përfshirë punonjës të zjarrfikëses, punonjës të bashkisë, forca të Policisë së Shtetit, forca ushtarake dhe banorë të zonës.

Për shkak të erës së fortë flakët janë përhapur dhe kanë vënë në rrezik serioz banesat e disa fshatrave dhe të fshatrave. Në ndihmë kanë shkuar 2 avionë të vegjël nga Greqia dhe një helikopter, të cilët kanë ulur intensitetin e zjarreve, por pa e fikur plotësisht. Operacionet janë ende në zhvillim.

/Oranews.tv/ 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close