Ora News dhe IPR Marketing - Sondazhi kombëtar 6 ditë para zgjedhjeve: PS 48%, PD 33%, LSI 13%….
19/06/2017 - 23:40

Kur kanë mbetur 6 ditë nga dita e votimit(25 qershor 2017)  Ora News në bashkëpunim me IPR Marketing sjell sondazhin IV në rang kombëtar si dhe orientimin e votës në qarkun e Tiranës, Korçës dhe të Vlorës.

Një fotografi e sotme (19 qershor) në rang kombëtar tregon se PS ka fituar 5 pikë nga fushata elektorale në krahasim me sondazhin e parë të 31 majit, PD ka fituar vetëm 1 pikë nga fushata elektorale në krahasim me sondazhin e  parë. Ndërkohë nga orientimi i votes  në qarkun e Tiranës,  PS merr 16 mandate,  13 PD, 4 LSI, 1 LIBRA. Në Korçë, PS shënon rritje dhe merr 6 mandate, PD 4 e LSI 1. Ndërkohë Rama rikonfirmohet në Vlorë me 8 mandate. PD dhe LSI 2.

Në sondazhin e Ora News dhe IPR Marketing, pyetjes nëse mendojnë të votojnë me 25 qershor, 55% janë përgjigjur po, 34% jo, 10% nuk e di dhe 1% nuk janë përgjigjur fare.

Një përgjigje surprizë e këtij sondazhi ishte fakti se shqiptarët duan kryeministër teknik. Kryesisht janë votuesit e LSI ata që e duan. Rezultatet u analizuan ne studion e Tonight Ilva Tare nga drejtori i IPR Marketing Antonio Notto, analistet Dritan Hila, Afrim Krasniqi, Blendi Çeka dhe Artur Zheji. 

Tirane-  E ndërsa fushata vijon intensive, partitë politike nuk kanë mundur të mobilizojnë elektoratin e tyre duke qëndruar pothuajse në të njëjtin nivel të sondazhit të publikuar 5 ditë më parë në Ora News.

Në sondazhin e katërt të Ora News dhe IPR Marketing PS ka ruajtur 48% e votave të marra 5 ditë më parë.  Në 2013 ka marrë 41.4%.

PD ka një rritje me 1% nga sondazhi i fundit, duke marrë 33%. Në 2013 ka marrë 30.6%.
Edhe LSI mbetet në nivelin e 13% të 5 ditëve më parë. Në 2013 ka marrë 10.5%.

LIBRA ka një  rënie me 2.3% të votave nga 3% që kishte në sondazhin 14 qershor 2017.

Ndërkohë dhe PDIU ka  1.8% nga 3% te votave që kishte 5 ditë më parë. Në 2013 ka marrë 2.6%

FRD ka marrë 0.2% nga 0.3% që kishte me 14 maj 2017. Në 2013 kishte 1.7%. Sfida ka marrë 0.5%.

Analistet komentojne sondazhin ne rang kombetar

Antonio Notti: Partia Socialiste është e qëndrueshme me javën e kaluar. Sipas sondazhit tonë, PS ka fituar 5 pikë gjatë kësaj fushate. PD në këtë fushatë më tepër ka humbur se ka fituar konsensus. LSI është e qëndrueshme në krahasim me javën e kaluar dhe pak a shumë është e qëndrueshme krahasuar me 31 majin, ku është rritur me 1%.

Libra ka një rënie të lehtë në krahasim me javën e kaluar dhe identifike me sondazhin e 31 majit. PDIU me një rënie të lehtë në krahasim me javën e kaluar. Nëse PS është nën 70 mandate duhet të kishte sondazh në secilin prej qarqeve gjë që është e pamundur. 48% nuk është tregues i numrit të mandateve, do të thotë që do të ketë vetëm 48% të votave, që do të thotë mund të ketë 45% ose 55% të mandateve.

Zheji: Rezultati në kufijtë e dhimbjes

Zheji: 48% i afrohet targit teorik të Ramës, 68-69 mandate. Them dhimbje për disa arsye. E para, sondazhi ndoshta do të ketë marzhin më të lartë të gabimit për mendimin tim, sepse ndryshe nga 2013, në 2017 është rritur frika. Pa diskutim frikë ka pasur edhe në kohën e doktor Berishës.

Kuptohej që mandati i dytë i Berishës ishte mandati i fundit. Ka një shqisë që njeriu kupton se mbaron një cikël, ndërkohë që Rama është më i vendosur për të ushtruar kontroll më shumë se Berisha. Edhe përgjigja ndaj anketimit do të ketë qenë e deformuar ndaj faktorit frikë. Nuk ka bërë çudi në fushatë. Timonin kishte para dy javësh, timonin ka tani.

Në qoftë se ky sondazh do të bëhet realitet më 25 qershor, gjë që nuk do të ndodhi, shqiptarët të mos i japin timonin sepse kemi rrëfyer tradicionalisht nuk kemi ditur ç’të bëjmë me të drejtën e arbitraritetit të vendimmarrjes pa kufizime. Nuk kemi akoma gjenetikisht apo psikologjikisht një komb që prodhojmë burra shteti të vetëpërmbajtshim. PD duhet të angazhohet për të dhënë një ekuilibër. 

Këto zgjedhje duhet të prodhojnë këtë zgjidhje; ekuilibër dhe balanca. Njihet arroganca e kryeministrit aktual. Imagjinoni sikur larg qoftë për shqiptarë të marrë 71 vota se ku do shkojë niveli dhe tavani i kësaj.

Afrim Krasniqi: Hendek i madh midis të majtës dhe të djathtës

Krasniqi: Së pari duket sikur PS ka rritje me 7%, nuk është 7%. Rritja reale është 1-2%. PD përkundrazi është minus 4 %, sepse bashkë me aleatët duhet të kishte deri në 37%. Problemi i dytë që është themelor. Kemi katër parti dhe vetëm një është e djathtë. Ky është hendeku më i madh midis të majtës dhe të djathtës.

Dritan Hila: Nuk besoj që PS të marrë 48% të votave

Hila: Unë nuk besoj që Partia Socialiste të marrë 48% të votave me një kryeministër është konsumuar dhe që nuk ka program. Nuk ecet me barcaleta. Kanabisi ka punën e vet, por nuk mund të luaj rol në të gjithë territorin. Është me rëndësi që e djathta t’i thotë elektoralit unë kam këtë program.

Nuk mund të thuash në paterica se jam gjysmë me këtë dhe gjysmë me këtë tjetrën. Ecja në këtë rrugë të minuar ka shkatërruar të djathtën. Ndërkohë, e majta nuk është e majtë. Është një lloj sistemi ku bashkohet, paraja, betoni, kanabisi dhe zhgënjimi nga mungesa e alternativës. Është rasti i parë kur kryeministri është kryeopozitari i Shqipërisë.

Blendi Çeka: Këtë javë gjithë sytë nga PD-ja

Çeka: Gjithë sytë janë tek PD-ja. Është i vetmi subjekt që ka një marzh lëvizjeje. Ka një hapësirë për t’u përmirësuar. Ecuria e PD-së do të jetë treguesi kryesor se çfarë do të ndodhë me rezultatin përfundimtar.

Me 25 qershor do votojnë 55% e shqiptarëve, 34% bojkotojnë

Në sondazhin e Ora News dhe IPR Marketing, pyetjes nëse mendojnë të votojnë me 25 qershor, 55% janë përgjigjur po, 34% jo, 10% nuk e di dhe 1% nuk janë përgjigjur fare.


 

Surpriza e sondazhit, shqiptarët duan Kryeministër teknik, kryesisht votuesit e LSI

;Shqiptarët duket se janë të lodhur nga liderët aktualë politike. Pyetjes së drejtuar nëse për Shqipërinë do të ishte më mirë sikur Kryeministri i ardhshëm të jetë një teknik, politikan apo nuk e di, 56.7% e zgjedhësve të pyetur kanë preferuar një Kryeministër teknik.

Interesant është fakti se ata që e duan më tepër një figurë teknike në krye të qeverisë janë votues të LSI.

Politikan e duan 27.5% e të anketuarve, dhe kryesojnë votuesit e PS. Ndërsa nuk e di janë përgjigjur 15.8%, dominon elektorati i pavendosur.

Bojkotuesit dhe të pavendosurit për 25 qershorin s’kanë votuar as në 2013

Nga 10% e shqiptarëve që janë të pavendosur për të votuar me 25 qershor, sipas sondazhit të Ora News dhe IPR Marketing 72.9% e tyre nuk kanë votuar as në 2013, ose në një masë të madhe kanë votuar për PD, 11%.

Ndërkohë 30% që deklaron se nuk do të votojë, 78.1% e tyre nuk kanë votuar as në 2013. Përqindje të madhe zënë edhe të zhgënjyerit nga PS, ku janë 10.5% që kanë votuar këtë parti në 2013 dhe tani deklarojnë se nuk do të votojnë.

Ndërkohë votuesit që mbeten ende në dilemë për partinë që do votojnë, në 2013 69.6% e tyre nuk kanë votuar fare, ndërsa 10% e tyre i kanë besuar votën PD.

Sondazhi per qarkun Tirane: PS merr 16 mandate, 13 PD, 4 LSI, 1 LIBRA

Në betejën për Tiranën, qarkun me 34 mandate deputetësh, Partia Socialiste ruan të njëjtin rezultat të para katër viteve.

Në sondazhin e Ora News dhe IPR Marketing të publikuar mbrëmjen e sotme në Tonight Ilva Tare, PS ka marrë 44% të votave nga 44.1% në 2013. Merr 16 mandate deputetësh. Nëse i hedhim një sy nga sondazhi i 31 majit, PS ka një rritje me 3%.

Ndërkohë PD ka marrë 34% të votave, ka një rritje me 1% nga sondazhi i parë në Ora News. Merr 13 mandate. Në 2013 ka marrë 33.6%.

LSI e treta në renditje ka një rritje të ndjeshme krahasuar me 2013 duke marrë 12% të votave nga 7.8%. E përkthyer në mandate, LSI merr 4 mandate.

LIBRA e Blushit ka një rënie me 1% nga sondazhi i 31 majit në Ora News, ka marrë 5% të votave dhe merr 1 mandat.

 PDIU shënon rritje me 1.5% nga sondazhi i parë, duke marrë 2.5% të votave, por pa mundur të marrë asnjë mandat. Në 2013 ka marrë 2% të votave.

FRD ka marrë 1% të votave nga 2.2% në 2013.

Analistet komentojne rezultatet e qarkut te Tiranes

Afrim Krasniqi: PDIU mund të marrë mandat në Tiranë

Krasniqi: Fakti që PDIU është rritur nga sondazhi i herës së kaluar ka shkuar në 2.5% unë pres një trend mobilizimi. Nëse ka një mobilizim, praktikisht pres që të marrin mandatin e parë.

Zheji: Nëse rezultati i Tiranës do të ishte nacional PS jo më shumë se 62 mandate

Zheji: Me këtë trend të lehtë rritje për PD-në është gjithsesi një reagim ndaj keqqeverisjes globale. Megjithëse Lul Basha akuzohet nga mazhoranca aktuale fjeti gjumë, cilësia e ajrit ishte më e mirë dhe ndërtimet ishin në limitet e tyre. Kjo votë jep një rritje të lehtë Ramës që është tek marzhi i gabimit, i jep një rritje të lehtë partisë së re të republikës së re të Lulzim Bashës, jep një rritje substanciale për LSI dhe njëkohësisht kemi një rritje të rëndësishme të Libra që është një e majtë me tru.

Është një votë ku Rama e humbet qartësisht timonin nëse do të ishte në relacion kombëtar. Nëse rezultati i Tiranës do të ishte nacional PS jo më shumë se 62 mandate, do të ishte e detyruar të merrte një partner në koalicion për të mbajtur frenat.

Blendi Çeka: Libra synon mandatin e dytë në Tiranë

Çeka: Duket që PS është më poshtë asaj që duhet të ishte. PS ose ka tendencë rritje, ose ruajtje stabiliteti, Tirana është ndryshe. Për herë të dytë, PS performon më dobët, duke u sjellë tërësisht ndryshe në raport me qarqet e tjera në Shqipëri. Lidhur me Libran është shumë pranë mandatit të dytë. Vazhdon të jetë shumë pranë mandatit të dytë. Esencialisht me këtë mandat të dytë kërcënon edhe Partinë Socialiste dhe më pak Partinë Demokratike.

Hila: Tirana nuk i ha barcaletat e Ramës

Hila: Pasojë e këtij rezultati është votuesi inteligjent i Tiranës, i cili nuk i ha barcaletat. Nuk është se i bëjnë fort përshtypje rregullimet e rrugëve. Në qoftë se nuk do të ishte futur Veliaj në lojë, rezultati do të ishte edhe më i dobët. Duket se nuk po merr pjesë në fushatë, por inaugurimet e shumta e ndihmojnë këtë.

PS shënon rritje dhe merr 6 mandate në Korçë, PD 4 e LSI 1 mandat

Partitë shënojnë rritje të elektoratit në qarkun e Korçës me 11 mandate deputetësh,  krahasuar me zgjedhjet e 2013.

Sipas sondazhit,  nëse korçarët do të votonin sot, PS do të merrte 47% të votave ose 6 mandate deputetësh, nga 43.5% të votave në 2013.

E dyta pozicionohet PD me 33% të votave nga 32.2% në 2013. Merr 4 mandate.

Rritje të ndjeshme ka shënuar LSI me 15% të votave nga 9.9% në 2013. Merr një mandat deputeti.

Ndërkohë LIBRA e Blushit ka marrë 2.9% të votave por nuk merr dot asnjë mandat.

Analistet komentojne rezultatet e qarkun e Korces 

Artur Zheji: Korça nuk i ka lënë timonin Ramës

Zheji: Ka një trend rritje të opozitës me 1% por që është tregues. Nuk ia kanë lënë timonin Ramës dhe kjo është e rëndësishme. Korça ka bërë një rishpërndarje më të kthjellët megjithëse ka pasur një volum të krahasueshëm që ka pasur Vlora. Me kalimin e ditëve, efekti Blushi do të ndihet më shumë. Trendi i gjithë qarkut ka kuptuar se nëse jepesh dhe dorëzimesh me zemër dhe pa një makinë llogaritëse një subjekti politik, atëherë ky subjekt politik që është Partia Socialiste do ta shpërdorojë këtë besim.

Dritan Hila: Basha i pa interesuar për rezultatin e 25 qershorit, por 2021

Hila: Peleshi ka një vazhdimësi pushteti aty. Edhe Ridvan Bode ka çuar investime. është një rezultat i besueshëm. Ndryshime nuk vijnë nga Korça, por nga Vlora ose nga Shkodra. Kemi partinë e re të Lulzim Bashës që do ta ndjente këtë dobësi. Basha ka qenë i vetëdijshëm për rezultatit ku do të arrinte. Kam idenë që nuk është i interesuar për rezultatin e 25 qershorit, por për 2021-n.

Blendi Çeka: LSI në Korçë kërcënon mandatin e 6-të të PS-së

Çeka: Rritjen reale këtu e ka Lëvizja Socialiste për Integrim. Duket se ka një konkurrencë të drejtpërdrejtë për mandatin e dytë të LSI-së dhe mandatin e 6-t të PS, ndërkohë që mandati i 4 i PD duket stabël.

Afrim Krasniqi: PS dhe LSI në koalicion në Pogradec për kandidatin e 4-t

Krasniqi: Nga PD u dërgua një figurë publike dhe i vetmi problem që pati është se u dërgua në momentet e fundit. Nga LSI është një figurat më të mira, që është Edmond Panariti. Nga Libra është figurë e njohur nga bota akademike. Korça ka pasur një listë luksoze. Problemi i madh i PD-së është se ndryshoi tërësisht listën.

Largoi sekretarin më jetëgjatë të PD-së. Së dyti, kemi dy bashki të djathta, Pogradecit dhe Bilishti dhe në rezultate nuk është reflektuar. Nëse ka ndonjë vend ku PD dhe LSI është në koalicion është Pogradeci për kandidatin nr4 (Klevis Balliu). Nuk besoj të ketë surpriza të mëdha.

Sondazhi: Rama rikonfirmohet në Vlorë me 8 mandate. PD dhe LSI 2 

Partia Socialiste thellon rezultatin në qarkun e Vlorës krahasuar me zgjedhjet e mbajtuara katër vite më parë.

Në sondazhin e Ora News dhe IPR Marketing 56% e votuesve i kanë dhënë besimin PS, duke rrëmbyer 8 mandate deputetësh. Kujtojmë që kryeministri Rama garon i 6 në Vlorë. Në 2013, për PS kishin votuar 46.6%.

Edhe Partia Demokratike ka rritje në këtë qark, me 19% të votave nga 17.7% në 2013. PD merr 2 mandate deputetësh.

Rritje të ndjeshme ka shënuar edhe LSI, duke marrë 14% të votave nga 8.7% në 2013. Merr 2 mandate.

LIBRA ka marrë 2% të votave, ndërsa PDIU shënon rënie. Ka marrë 5% të votave nga 5.6% në 2013. Nuk merr asnjë mandat deputeti.

Përveç rezultatit në rang kombëtar, do të mësohet se si lëviz vota e shqiptarëve edhe në dy qarqe të rëndësishme në vend, Tiranën dhe Korçën.

Blendi Çeka: LSI në Vlorë ndryshe nga qarqet e tjera 

Çeka: LSI është interesante. Duket që arrin në nivelin e dy mandateve dhe është ndryshe nga qarqet e tjera. Duket e qartë se këtu ka dy mandate të plota. Qarku i Vlorës ka pasur hapësirë për rishpërndarje të votave.

Afrim Krasniqi: Arsyet pse PD humbet në Vlorë

Krasniqi: Nuk e pres kaq të thellë dhe presë të ndryshoj. Unë e shoh një krizë totale të së djathtës për përfaqësim. Kryetari lokal kaloi me LSI-në para dy-tre javësh. Lista u dërgua nga Tirana. Së treti, PD nuk ka arritur të siguroj votat e çamëve që janë të djathta. Nuk kanë arritur dot jo vetëm të maksimalizojnë votat aleatëve por as edhe strukturave.  Për Partinë Socialiste në 4 vjet nuk shoh ndonjë investim të madh dhe kandidatët nuk janë pritur me brohorima.

Artur Zheji: Marrëveshja me Ramën, gol për Bashën

Zheji: I bie që në marrëveshjen Rama-Basha, Basha ka ngrënë gol. Kjo është shndërruar në bumerang, pasi duke marrë vota më shumë, humbet deputetë dhe kjo është dramatike për opozitën. Në qoftë se funksionon kështu në të gjitha qarqet, nuk kuptohet pse është bërë një marrëveshje e tillë me kaq kollollaj. Gabim i madh që nuk u lejuan koalicionet. 

Rezultati është dramatik. Është dramatik për Vlorën dhe vlonjatët. Duhet t’i jepnin një ndëshkim me votë për një tallje të madhe me Lungo Maren.

Dritan Hila: Rritja e PS në Vlorë për shkak të investimeve të mëdha

Hila: Rama faktikisht ka hedhur investime të mëdha në Vlorë dhe tashti po duken. Ka bërë kanalizimet komplet të Vlorës, po shtrin linjat e kanaleve të zeza dhe do të jetë i dytë në Shqipëri për përpunimin e ujërave të zeza. Ka qenë një qytet që deri përpara një viti ishte si Kandahari dhe si duket vlonjatët i çmojnë këto investime. Në ndryshim nga qytetet e tjera janë themelore dhe jo fasade.

Për të kryer sondazhin është përdorur një kampion prej 2 mijë personash në nivel kombëtar dhe me nga 1 mijë persona për secilin qark.  

Antonio Notto: Presim që votat e së dielës të jetë brenda këtyre kufijve maksimalë apo minimal të parashikuara. Sondazhet tona kanë qenë gjithnjë pranë rezultatit përfundimtar. Ne jemi ndjekur evolucionin që prej datës 31 maj. Pavarësisht se jemi para 6 ditëve, studimi jonë nuk është ajo çfarë do të ndodhë të dielën. Exit Polle është fotografia e asaj çka është votuar. Sot është një fotografim i votës tani.

Artur Zheji: Këtë javë u përkeqësuan standardet zgjedhore

Zheji: Mendoj se kjo ishte një javë që u karakterizua nga rënia e nivelit të standardit zgjedhor në mënyrë të frikshme. Patëm episode dhune brenda së majtës. Sa më shumë ofrohet dita e zgjedhjeve, aq më shumë nxehen gjakrat. Kam përshtypjen se zt.Basha ka vendosur më në fund një demarkacion të qartë, që do të thotë në asnjë mënyrë koalicion me PS-më.

Ora News dhe IPR Marketing ju thonë të vërtetën për 25 qershorin.

Sondazhi I Ora News e IPR Marketing: PS fiton zgjedhjet me 43%, PD me 36%, LSI 12%

Sondazhi II kombëtar: PS fiton 45%, PD 37%, LSI 13%, Libra 2%, PDIU 1.5%

Sondazhi III, Surpriza: PD 5 % rënie në një javë, PS rritet 3 %, LSI…

/Ora News.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close