Zgjedhjet e 25 prillit, Abazi: Duket sikur ky shtet ka për qëllim të trembë qytetarët

Kreu i Vetë Vendosjes në Shqipëri, Boiken Abazi i cili kandidon në qarkun e Tiranës në një intervistë për RTV Ora shprehet se ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në fushatën elektorale janë simptoma të një politike 30 vjeçare.

Abazi shprehet se duket sikur qëllimi i shtetit është trembja e qytetarëve për t'i instaluar frikën në mënyrë që mos votohet masivisht.

Përsa i përket votës së emigrantëve, Abazi shprehet se nuk është në interes të partive të vjetra politike që te sigurojë votën e tyre.

Keni bërë një fushatë shumë ndryshe. Sa e vështirë ka qenë mos keni me vete as medien, as makinerinë e madhe të mbështetëse, as mundësitë financiare që kanë pasur partitë e mëdha?

"I kishim marrë parasysh para se të dilnim në terren. Kemi vizituar të gjithë qytetarët që na kanë hapur derën dhe kanë qenë të interesuar për programin tonë. Jemi shprehur publikisht me deklaratat tona, në lidhje me rastin që ndodhi në Kavajë, në lidhje me krimin e rëndë që ndodhi në Elbasan duke i dënuar rastet. Kjo që ka ndodhur është simptomë e një politike 30 vjeçare që ka ndërthurur bandat e organizuara me partitë politike. Prej patronazhistëve dhe vjedhjes së të dhënave të qytetarëve, tek blerja e votës dhe tek tentativa e qartë për të instaluar frikën. Duket sikur ky shtet ka për qëllim të trembë qytetarët. Kjo është thirrja jonë ndaj gjithë qytetarëve që të vijnë të votojnë masivisht."

Si e shikoni situatën? Shqipëria po mbyll një fushatë elektorale shumë larg standardeve të kërkuara dhe shumë larg standardeve të Kosovës?

"Kështu është, por ka një historik dhe një arsye për këtë, që në vitin 2010 LVV ka mbrojtur çdo votë në ato zgjedhje. Kjo është strategjia jonë edhe në Shqipëri."

Si do ta mbroni votën në të tre qarqet ku ju kandidoni? Në Tiranë, Lezhë dhe Gjirokastër?

"Do të vëzhgojmë nga afër procesin e numërimit se aty ndodhin problematikat. Jemi në takime intensive dhe me komisionerë e vëzhgues të partive të tjetra që kanë ardhur dhe na kanë treguar të gjitha manipulimet që kanë ndodhur."

Ne nuk arritëm dot t'i sigurojmë votën emigrantëve shqiptarë.

"Kjo është një e drejtë e mohuar ndaj bashkë-atdhetarëve tanë. Nuk duket që ka interes për votën e tyre, sepse ata nuk janë të kapur as nga pushteti, as nga partitë politike. Nuk është interes i partive të vjetra ta mundësojnë votën e emigrantëve por ne do vazhdojmë të luftojmë për këtë të drejtë."



Bashkë me krimin që ndodhi dje në qytetin e Elbasanit, publikimi i të dhënave nga PS përbën skandalin e madh të këtyre zgjedhjeve. Cili është qëndrimi juaj?

"Padyshim ne e kemi dënuar, është vjedhje e të dhënave personale, diçka shumë sensitive. Ky lloj krimi që ka ndodhur ndaj qytetarëve është i dënueshëm në çdo vend normal demokratik."

Me vendim të qeverisë, shtetasit e Shqipërisë që jetojnë dhe punojnë në Kosovë mund të jetojnë lirshëm pa pengesat burokratike?

"Ka qenë një marrëveshje të cilën Shqipëria e ka respektuar duke hequr lejet e qëndrimit si detyrim për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe duke liberalizuar lejet e qëndrimit. Partitë e regjimit të vjetër nuk e zbatonin këtë marrëveshje. "

Intervistoi Beti Njuma, përgatiti për online Xhuliana Zhuleku

EMISIONET