Kriza politike - Zgjedhjet, Bushati: Të hapur për çdo propozim nga opozita
21/04/2017 - 8:14

Mazhoranca është e gatshme të ulet në tryezë me opozitën për të diskutuar mbi të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, por edhe çdo kërkesë që vjen nga ana e Partisë Demokratike, e cila gjen mbështetje nga OSBE-ODIHR.

Deklarata vjen nga Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati në një intervistë të dhënë për Zërin e Amerikës, në kuadër të vizitës së tij në SHBA.

Ditmir Bushati: Administrimi i procesit zgjedhor në Shqipëri ka vite që bëhet në mënyrë bipartizane. Ju dhatë një kronikë nga ana e KQZ-së, ku shihet qartë edhe mënyra si funksionon ky institucion dhe gjithë institucionet e tjera të administrimit zgjedhor. Është normale që opozita të ketë një mendim krejt ndryshe nga ai i qeverisë, përsa i përket kursit të reformave, përsa i përket ecurisë së tyre, por nuk është opozita që mund të përcaktojë kundërshtarin politik, ashtu siç nuk është qeveria, e cila mund të prodhojë opozitën, apo që mund të përcaktojë opozitën. Është krejt normale që përsa u përket standardeve zgjedhore, krahas standardeve të arritura me mund gjatë gjithë këtyre viteve, ne të ulemi në tryezë. Qëndrimi ynë ka qenë i qartë… jemi të gatshëm për të zbatuar një për një të gjitha rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, por edhe çdo kërkesë që vjen nga ana e Partisë Demokratike, e cila gjen mbështetje nga OSBE-ODIHR.

 I pyetur se çfarë garancish ofron qeveria për opozitën që ajo të ndihet e sigurtë që të hyjë në zgjedhje, Bushati përgjigjet:

Ditmir Bushati: Besojmë se garancitë nuk janë tonat, janë garancitë që ka caktuar arbitri ndërkombëtar, që është OSBE-ODIHR-i; ka disa rekomandime, për të cilat ne kemi shprehur dakordësinë e plotë, për t’i kthyer në nisma ligjore dhe në masa të tjera administrative, psh, për shitblerjen e votës për të marrë masat më të rënda penale; përsa i përket procesit të dekriminalizimit, për një lidhje më të mirë të ligjit të dekriminalizimit me kërkesat e kodit zgjedhor; së treti, për t’i bërë më profesionalë trupat e administrimit të procesit zgjedhor; së katërti, për të vendosur një raport më të drejtë, më të mirë, qoftë edhe më të lirë nga pikëpamja ekonomike për të gjithë taksapaguesit shqiptarë ndërmjet fushatës elektorale dhe mediave, së fundi, por jo më pak e rëndësishme, për të realizuar një pjesëmarrje më të mirë të gruas në Parlamentin e ardhshëm shqiptar. Këto janë çështje, të cilat i ka shtruar OSBE-ODIHR-i dhe të cilat kanë gjetur dakortësinë tonë. Por nga ana tjetër, kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të hapur, për çdo propozim që vjen nga ana e opozitës, nga ana e Partisë Demokratike, për ta përmirësuar procesin zgjedhor, për ta bërë më garantist. Nga ana tjetër, përcaktimi i kundështarit nuk është në dorën e aktorëve politikë. Përcaktimi i kundërshtarit është diçka që varet drejtpërdrejt nga vota e popullit.

Ministri i Jashtëm komentoi edhe kërkesën e PS-LSI ndaj KQZ për të shtyrë afatin e regjistrimit të koalicioneve për zgjedhjet e 18 qershorit.

Ditmir Bushati: Kjo është një çështje që jam i bindur se do të trajtohet në përputhje me parashikimet ligjore dhe besoj se akti i djeshëm nga ana e koalicionit ka qenë një akt me vullnet të mirë, për t’i dhënë një mundësi tjetër Partisë Demokratike për të marrë pjesë në procesin zgjedhor, për t’i dhënë gjithashtu një mundësi dialogut me PD-në, aq më tepër që dihet qëndrimi ynë, edhe thirrja që u është bërë partive popullore europiane për të lehtësuar zgjidhjen e situatës, por nga ana tjetër, duke qenë se jam në Uashington, dëshiroj të ritheksoj dhe të komunikoj me opinionin publik, atë çka m’u bë me dije sot (20 prill) në takimin me Nënsekretatirn amerikan të Shtetit, Tom Shanon, në lidhje me dy vija, apo dy linja të qarta të politikës amerikane në lidhje me Shqipërinë. Së pari, për të mos e bllokuar dhe për ta çuar më tej zbatimin e reformës në drejtësi, procesin e domosdoshëm të vetingut të të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe institucionalizimin e arkitekturës së re në fushën e drejtësisë, pra ngritjen e institucioneve të reja në fushën e drejtësisë; dhe së dyti, nevojën për të marrë pjesë zgjedhjet e 18 qershorit të të gjithë aktorëve politikë dhe për të bashkëpunuar ngushtësisht jo thjesht me njëri-tjetrin, por me OSBE-ODIHR-in, për të zbatuar rekomandimet që do ta bënin këtë proces më të ndershëm, më të drejtë për të gjithë.

Kreu i diplomacisë foli edhe për akuzat e opozitë për kultivimin dhe trafikun e drogës si dhe strategjinë e re të lançuar nga qeveria për luftimin e këtij fenomeni.

Ditmir Bushati: Së pari,kjo qeveri, ishte e para që hoqi Lazaratin nga harta e vendit, si një zonë, e cila ishte jashtë administrimit të shtetit. Së dyti, është qeveria e parë që e ka njohur fenomenin si të tillë dhe është përpjekur për ta përballur atë. Së treti, para pak ditëve, apo javëve, ne në qeveri kemi miratuar një plan veprimi kundër kultivimit të kanabisit, që ka në vëmendje jo thjesht çështjet që kanë të bëjnë me rolin e policisë së shtetit në parandalimin e kultivimit, apo në kapjen e autorëve që janë të përfshirë në këtë trafik, por edhe përfshirjen e pjesëve të tjera të shoqërisë. E kam fjalën për të zgjedhurit vendorë, për drejtues të institucioneve fetare, për drejtues të institucioneve arsimore; sepse është një përgjegjësi, e cila në fund të ditës kërkon një përgjigje më të madhe shoqërore. Së fundi, por jo më pak e rëndësishme, në këtë plan veprimi i cili nuk është bërë thjesht nga përfaqësues të qeverisë shqiptare, apo ekspertë shqiptarë, por është bërë në bashkëpunim me ekspertë ndërkombëtarë, në operacionet që po ndërmerr policia e shtetit. Këto operacione do të kenë një bashkëpronësi së bashku me përfaqësues të vendeve partnere, të cilat kanë ose ekspertë policorë në terren, apo ekspertë të shërbimeve të ndryshme.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close