Xhafaj, Bashës: Pse nuk gërmove për vëllanë tim me dy ministrat e tu?!
12/09/2017 - 14:42

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj i ka kthyer përgjigje akuzave të opozitës për lidhjet e e tij me krimin.

Dhe përgjigjja në seancë e sotme parlamentare e Xhafajt për ata që i quajti “akuza të vjetra të risjella nga balt hedhësit e vjetër dhe të rinj” pritet të jetë e fundit.

“Duhet të arrestosh vëllain e Fatmir Xhafajt dhe t’ja dorëzosh interpolit që e kërkon për trafik ndërkombëtar droge. Duhet të shkarkosh Fatmir Xhafajn si njeri të lidhur me krimin”  deklaroi Lulzim Basha gjatë fjalës së tij të mbajtur sot në kuvend.

Fatmir Xhafaj u përgjigj: Dua të bëj një reagim publik për disa akuza të vjetra të risjella këtu nga balt-hedhësit e vjetër dhe të rinj në këtë sallë. Punët e shumta që më presin  në lidhje me sfidën e kësaj qeverie dhe timen personale për forcimin e rendit dhe sigurisë personale nuk  do më mundësojnë në ditët në vijim të kthej përgjigje për disa çështje të sajuara dhe të bëj replikë me ata që i përcjellin publikisht këto çështje.

Jam plotësisht i bindur se pjesa e shëndoshë e opinionit publik nuk ka nevojë për shpegimin tim sot. Jo vetëm sepse e kam bërë herë të tjera, por e kanë shumë të qarta motivet e këtij sulmi politik. Ndaj po e bëj sot duke shpresuar se kjo do të jetë hera e fundit si detyrim ndaj çdo lloj opozitari që ka dëshirën dhe vullnetin për të parë të vërtetën sic është.

Keni ndërmarrë ndaj meje një sulm  të egër personal, bazuar në një histori të filluar 15 vite më parë, dhe për të cilën disa herë kam bërë publike fakte dhe qëndrimin tim.

15 vjet më parë në 2002, kur unë isha ministër dhe ju  opozitë e ngritët  për herë të parë publikisht këtë akuzë. Jam përgjigjur përmes një deklarate. Në 2010, kur ju ishit në pushtet njëri kryeministër dhe tjetri, dora vetë, ministër i Brendshëm i asaj kohe, më sulmuat si kundërshtar opozitar përsëri me të njëjtin avaz, vëllai dhe e shkuara e tij.

Shtatë vjet më parë në 7 tetor në këtë sallë unë si opozitar iu përgjigja akuzës tuaj si pushtetar. Çfarë kam pasur për të thënë i kam thënë. Ju prej 8 vitesh ishit në pushtet i kishit të gjitha mundësitë si kryeministër, dhe ministër i Brendshëm të provonit akuzat, të ndëshkonit ashpër me policinë, prokurorët dhe gjyqtarët tuaj. Nuk besoj se i falët familjarët e mi se mua jo e jo!

Gjashtë  vjet më vonë iu rikthyet këtij avazi në kulmin e reformës në drejtësi. Cfarë nuk thatë për ta bërë sa më ndërkombëtare akuzën tuaj të vjetër. Ju vazhduat avazin dhe unë reformën dhe rezultati dihet. 

E rifilluat të njëjtën akuzë sivjet në mars, kur u bëra ministër i Brendshëm. Thatë çfarë ju nxorri goja e ligë, për dy tre muaj.

Nga maji i këtij viti ju opozitarët u bëtë pushtetarë, në dy ministritë kryesore të ligjit, në atë Brendshmen dhe të Drejtësisë.

Ministrat të cilat u emëruan personalisht nga kryetari juaj. Janë të dyja ministritë ku janë faktet dhe provat kombëtare dhe ndërkombëtare nëse ka të tillë. 

Por çfarë bëtë ju?! Si nuk gërmuat xhanëm dhe ti zbulonit. Ku kishte rast më të mirë sesa të më kryqëzonit me fakte e prova sipas jush.

As më shumë e as më pak, jo vetëm kryetari juaj dhe askush tjetër,  i veshur si ky edhe me mandat ligjzbatuesi apo moralbërësi nuk mund të më vendosë mua në këtë akuzë apo të më bëjë përgjegjës.

Por çfarë i ka ndodhur apo mund ti ndodhë një pjesëtari të familjes time. Cilido prej tyre që ka pasur ose mund të shkelë në të ardhmen ligjin është madhor dhe ka përgjegjësinë ta vuajë atë sipas ligjit dhe as ai askush tjetër nuk mund të japë më shumë ngarkesë sesa vetë ligji.

Nëse në një moment është plotësisht e vërtetë cfarë në mënyrë të ulët më akuzoni kam të drejtën legjitime të pyes: Ku është përgjegjësia ime njerëzore dhe politike?

Sa për ligjore as që nuk mund të bëhet fjalë. Unë jam në politikë prej 20 vitesh. Jam gati ti përgjigjem për gjithcka bëj e sillem në raport me interesat e vendit tim në raport me Kushtetutën e Ligjin.

Jam gati të përballem me përgjegjësitë e mia. Nuk kam ndërmend të merrem me replikë për avazin tuaj që e përsërisni sa herë shtrëngoheni dhe më sulmoni mua.

/Oranews.tv/ 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Demarkacioni me Malin e Zi, Pacolli nesër në Podgoricë

Close