Vili Minarolli: Engin Ceka nuk e provokoi liderin e opozitës
28/04/2013, 21:00
Përditesuar: 28/04/2013, 22:11

Në studion e RTV “Ora News”, i ftuar në intervistën e mbrëmjes ka qënë Ambasadori shqiptar në Austri, Vili Minarolli, i cili ka folur lidhur me incidentin që ndodhi në Vjenë midis kreut të Partisë Socialiste Edi Rama dhe njërit prej diplomatëve të përfaqësisë sonë, Engin Ceka.

Minarolli u shpreh se të gjitha ato që ka thënë Engin Ceka janë të vërteta. Detyra e diplomatit është që të informojë Ministrinë e jashtme për çdo gjë që ndodh.

“ Ajo që nuk është e qartë është fakti që incidenti ka ndodhur mbasi ka mbaruar aktiviteti i Ramës. Në një pyetje që lidhej me çështjen e votimit të emigrantëve, pati një ngritje zëri nga ana e Edi Ramës. Kur kanë mbaruar aktivitetin, Egin Ceka jashtë vëmendjes së gjithë të tjerëve, ka dashur ta sqarojë Ramën se n.q.s. pengesa për votimin e emigrantëve në ambasada bëhen diplomatët e politizuar, e siguronte atë se diplomatë të tillë nuk ka. Diplomatët janë të gjithë në shërbim të shtetit. Rama reagoi shumë ashpër dhe e vuri në pozitë shumë të vështirë diplomatin. Veprimi i Cekës ishte shumë normal, ai është shumë i njohur në ambjentin e diplomacisë akademike në Vjenë. Rama foli me injorim për diplomatët shqiptar kur 80 % e diplomatëve vijnë nga Akademia e Vjenës.”

Ambasadori Minarolli tha gjithashtu se ai nuk kishte marrë ftesë për këtë aktivitet nga ana e Partisë socialiste por kishte ftesë personale nga organizatori i këtij aktiviteti, Fate Velaj, një qytetar austriak me kombësi shqiptare.

Minarolli tha se i ka kërkuar Velajt që ti thoshte Ramës se Partia Socialiste duhet të njoftojë ambasadën shqiptare në Vjenë për ardhjen e tyre. Por asnjë konfirmim nuk erdhi nga PS-ja.

“Diplomatët e mi ishin të gjithë prezent por unë nuk mund të shkoja pa një ftesë nga ana e PS-së. Ceka morri pjesë në këtë aktivitet sepse ishte i ftuar, si të gjithë diplomatët e tjerë. Ambasadori nuk bën politikë, ambasadori zbaton politik”, u shpreh Minarolli

Ambasadori ka folur gjithashtu për vlerat e diplomatit Egin Ceka, dhe ka vlerësuar kapacitetin e tij intelektual, kulturën dhe edukimin e tij solid, por edhe integritetin dhe dinjitetin e tij.

“Incidenti tërhoqi vëmendjen për shkak të zërit të lartë, për shkak të fjalëve ‘provokator’ ‘dhe kush të ka futur ty’ si dhe për shkak të xhestit kur Rama po i tërhiqte flokët dhe veshin. Ceka gëzon respektin e të gjithëve, ai ka të gjitha cilësitë e një diplomati në shërbim të vendit”, u shpreh ambasadori.

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Current ye@r *