Reagimet - Vettingu, Rama e Basha përplasje deklaratash në mesnatë
21/04/2017 - 9:58

Dje në seancën e kuvendit, kryeministri theksoi se zgjidhja mund të gjendet vetëm brenda kornizës kushtetuese duke përjashtuar largimin e tij por tha se nëse gjendet gjuha e përbashkët me të gjithë aktorët politike dhe ndërkombëtarët, vettingu mund të votohet seancën e parë të parlamentit të ardhshëm.

 Për këtë propozim ka reaguar edhe kreu demokrat Basha i cili i ka thënë jo kompromisit për ta shtyrë vettingun pas zgjedhjeve.

Në një deklaratë të postuar në facebook kryetari i PD shkruan se “propozimi i Ramës është një tjetër dëshmi se për kryeministrin në ikje drejtësia dhe reforma në drejtësi kanë qenë dhe mbeten vetëm një mjet pazaresh, shantazhi dhe imazhi”. Kurse për ne– shton Basha-drejtësia është themeli që garanton lirinë dhe demokracinë, mbi të cilin do të ngrihet shteti modern shqiptar. Sipas Bashës opozita është për vetingun më 21 korrik.

Ne, vijon më tej Basha, kemi refuzuar vetingun e Edi Ramës sepse duam një veting të vërtetë, të pakapur nga politika dhe të paanshëm. Basha premton se menjëherë pas formimit të qeverisë që do të garantojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, “jemi të gatshëm të votojmë ligjin për zbatimin e vetingut sipas frymës dhe përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut”

 Më pas ka ardhur dhe reagimi i Ramës i cili deklaron se kjo ofertë vlen vetëm nëse janë dakord ndërkombëtarët.

 “Nëse miqtë e partnerët tanë që e kanë Vetingun kusht për negocimin për anëtarësimin e Shqipërisë në BE – do të kërkonin fleksibilitet në emër të përfshirjes së PD në zgjedhje, atëherë e vetmja mundësi mund të ishte nëse PD do të pranonte ta votonte Vetingun, në seancën e parë të parlamentit të ri.‘- sqaroi Rama

 

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Bota arabe kushtëzon Katarin

Close