Infrastruktura - Veliaj: Mbajmë premtimin për një Tiranë më dinjitoze se ajo që gjetëm
17/07/2017 - 12:35 Nga: Manjola Hasa

Bashkia e Tiranës përfundon ndërtimin e Rrugës. “Selaudin Bekteshi” në Njësinë Nr. 4. Sipas këtij institucioni rruga ishte në gjendje të amortizuara duke vështirësuar kalimin e banorëve. Kryebashkiaku Veliaj e quajti këtë një premtim të mbajtur dhe u shpreh se me vullnet dhe punë hapësira të tilla janë kthyer në ambiente të denja për kryeqytetin.

Bashkia e Tiranës përfundoi ndërtimin e rrugës “Selaudinë Bekteshi” në njësinë nr 4.  Kohë më parë, kjo rrugë ishte në gjendje të amortizuar dhe një ndër segmentet më problematike të zonës.

Pasi inspektoi përfundimin e investimit, kryetari i Bashkisë Erion Veliaj tha se ky projekt është një tjetër dëshmi e vullnetit për të punuar.

Veliaj: Kemi mbjellë 230 pemë, kemi sjellë një rrjet të ri kanalizimesh dhe ujësjellësi, në një farë mënyre ka ardhur urbanizimi fill pasi ka mbaruar legalizimi dhe do të vazhdojmë të mbajmë çdo premtim në këtë lagje, për t’u siguruar që në fund të këtij mandati të lëmë një Tiranë shumë herë më dinjitoze se sa ajo që gjetëm.

Infrastruktura nuk është e vetmja pjesë ku është ndërhyrë. Bashkia e Tiranës thotë se në krijimin e të gjithë mundësive të tjera, argëtimi dhe hapësira shlodhëse është kthyer në një zonë të denjë urbane.

Veliaj: Jam shumë i lumtur që kemi sjellë një infrastrukturë cilësore, kemi bërë një kopsht, një çerdhe, një qendër sociale, që do të thotë se investimet cilësore po vijnë edhe në zonat periferike. Tiranën nuk e zhvillojmë dot nëse transferojmë gjithë njerëzit te kali i Skënderbeut, por vetëm duke punuar me këtë cilësi, çdo ditë nga një rrugë.

Një ndër shkollat që do i shtohet qytetit është Shkolla “Ardian Klosi” që do të hap dyert për nxënësit në muajin shtator.

Veliaj: Lajmi i mirë është se do të hapim shkollën e re “Ardian Klosi”. Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët, nuk ka nevojë të dyndemi në shkolla jashtë kësaj lagjeje, po punojmë me Drejtorinë Arsimore për të sjellë këtu disa nga mësuesit më të mirë, për të sjellë këtu disa nga kurset e gjuhëve të huaja më të mira, për të pasur terrenet sportive më të mira dhe besoj se është mëse e nevojshme që të gjithë prindërit ta kenë parasysh që regjistrimet për këtë vit t’i kenë në lagjen e tyre, te shkolla e re “Ardian Klosi.

Përsa i takon situatës së ujit të pijshëm, bashkia e Tiranës dhe UKT janë të vendosur për të vazhduar me aksionin e tyre ndaj prerjeve të lidhjeve të paligjshme dhe formalizimin e banorëve që ende nuk kanë një kontratë më Ujësjellësin.

/Oranews.tv/ 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Gjoba mbi 500 euro për turistët që ndotin qendrën

Close