Vrasja në Greqi, MPJ: Dënojmë dhunën ndaj shqiptarëve në burgjet greke
29/03/2014, 11:54
Përditesuar: 29/03/2014, 12:22

Ministria e Punëve të Jashtme dënon sulmet ndaj autoriteteve të zbatimit të ligjit, sikundër çdo akt dhune ndaj shtetasve shqiptarë që kryejnë dënimin në burgjet e Greqisë. Në një deklaratë për mediat lidhur dy ngjarjet e fundit në institucionet e dënimit në shtetin helen, vrasja e gardianit nga shtetasi shqiptar Ilia Kareli dhe vdekja e këtij të fundit nga dhuna e ushtruar nga policia, MPJ inkurajon dhe kërkon nga autoritetet greke zbardhjen e plote të ngjarjes, që sipas saj do të mundësonte vendosjen përpara drejtësisë të përgjegjësve.

“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh ngushëllimet për humbjen tragjike të jetëve të gardianit të burgut të Malandrinos në Greqi, Jorgos Cironis, dhe të shtetasit shqiptar Ilia Kareli që vuante dënimin në këtë burg.Pas marrjes së njoftimit në rrugë zyrtare, MPJ ka kërkuar përmes Ambasadës tonë në Athinë dhe Konsullatës në Selanik që të ndjekin nga afër dhe në rrugë institucionale situatën. Nga informacionet paraprake zyrtare të autoriteteve greke pritet zbardhja e raportit mjeko-ligjor i cili do të mundësonte zbardhjen e plotë të çështjes” thekson më tej MPJ në deklaratë.

I burgosuri shqiptar, Ilia Kareli, u gjet i vdekur të enjten rreth mesnatës duke gdhirë e premtja në qelinë e tij të izolimit, si rezultat i dhunës së ushtruar mbi të. Sipas raportit mjeko-ligjor ai ka pasur thyerje të disa brinjëve në kafazin e kraharorit si dhe shumë shenja të goditjeve me mjete të forta në trupin e tij.

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento