Defekt në HEC - Turizëm në errësirë, zona e Thethit prej një jave pa energji elektrike
07/07/2017 - 16:29 Nga: Bepin Kolvataj

Prej më shumë se 1 jave në Theth energjia elektrike shkon me orar të kufizuar, për shkak të një defekti në Hidrocentralin e Ndërlysaj i cili ndodhet në këtë zonë, e që mundëson furnizimin me energji elektrike për fshatin turistik.

Denoncimin e bëjnë vetë banorët e Thethit të cilët përmes një mesazhi të dërguar në redaksinë e “Ora News” thonë se kanë prej disa javësh pa energji elektrike, pikërisht në kulmin e sezonit turistik.

“Sot ne Theth ka me shum se 1 mijë turistë të huaj dhe po na shkaterrohet biznesi dhe jeta” shkruan Ndoc Gjeçaj, i cili ka bujtinën e tij në këtë zonë turistike dhe pret turistë nga e gjithë bota.

Problemin e pranojnë edhe drejtues të OSHEE Shkoder, të cilët deklarojnë se defekti i ndodhur në këtë Hidrocentral në zonën e thellë malore po riparohet dhe pritet që brenda pak ditësh të kthehet energjia elektrike në Theth.

Aktualisht si zgjidhje po i jepet energji zonës nga një rrjet i dytë por për shkak të amortizimit dhe pamundësive të tjera, furnizimi kryehet me orare të reduktuara.

Natyrisht që kjo është një gjendje që përseritet shpesh në Theth dhe imazhi që përcillet tek turistët është tejet i rëndë, pasi edhe në Shqipërinë e 2017-es ky problem nuk ka marrë zgjidhje.

Vetëm pak ditë më parë në një kronikë që Ora News bëri në këtë zonë, banorët e ngritën si shqetësim energjinë elektrike.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

  1. Anonymous says:

    mjere vatani

Komento

Read previous post:
ALUIZNI i vë shtëpinë në emër të vëllait, BOOM zgjidh problemin

Close