Operacioni - Tiranë, i grabisin çantën me diamantë dhe i vënë gjobë 10 mijë euro
21/08/2017 - 9:11 Nga: Keti Banushi

I grabisin çantën me diamantë e flori më pas e kanosin kundrejt shumës 10 mijë euro.

Ngjarja është regjistruar të shtunën (19 gusht 2017) në Yrshek të Tiranës, ndërsa sot policia ka arrestuar dy persona si të dyshuar dhe një e ka shpallur në kërkim.

Sipas policisë së Tiranës dyshohet se Enea Duraj, 26 vjeç, lindur në Kuçovë dhe banues në Tiranë dhe Renato Toska, 28 vjeç, lindur në Ballsh dhe banues në Tiranë të shtunën kanë grabitur me dhunë shtetasin R. S., në vendin e njohur si Yrshek, Tiranë. Ata i kanë marrë një sasi monetare dhe disa sende të cilat ky shtetas i mbante në çantë.

Operacioni u kodua “Diamantët” pasi në çantë shtetasi R.S ka pasur dhe diamantë dhe para, por nuk dihet vlera dhe sasia.

Por të dyshuarit nuk janë mjaftuar ata i kanë vendosur një gjobë prej 10 mijë eurosh.

“Nga hetimi me metoda speciale, rezultoi se këta shtetas, më pas e kanë kanosur shtetasin R. S., me qëllim përfitimin e shumës monetare prej 10 000 Euro”


“Forcat operacionale kanë ndërhyrë në momentin e dorëzimit të kësaj shume monetare duke arrestuar Enea Duraj dhe Renato Toska. Ndërsa është shpallur në kërkim E. H., 31 vjeç”
  informon policia e Tiranës.

Gjatë kontrollit u janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, shuma monetare prej 5000 Euro dhe 300 000 Lekë të reja, të cilat i janë vënë në dispozicion nga shtetasi R. S.

Materialet proceduriale iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim dhe “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, parashikuar nga Nenet 139-25 dhe 109/b të Kodit Penal.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Monument për “vrasësin” e miliona njerëzve në botë!

Close