Itali - Tetë vjet burg për dy skafistët vlonjatë. U kapën në gomonen me 800 kg drogë
21/04/2017 - 15:21 Nga: Alba Kepi

Gjykata italiane e qytetit të Lecces ka dhënë dënimin ndaj dy skafistëve shqiptarë Devi Aliaj e Aleksandro Begaj , të cilët natën e 23 shtatorit të vitit 2016 u arrestuan nga financa italiane ndërsa po trafikonin me gomone rreth 800 kg marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë.

Juria nën drejtimin e gjykatësit Vincenzo Brancato me një gjykim të shkurtuar ka dënuar Devi Aliaj me 6 vjet e 20 ditë burg si dhe me një gjobë prej 40 mijë euro.

Ndërsa Aleksandro Begaj është dënuar me 2 vjet 8 muaj e 20 ditë burg kundrejt 4 vjet e 6 muaj burg që kishte kërkuar prokuroria.

Dy skafistët shqiptarë ishin rezident në qytetin e Vlorës.

Operacioni i Policisë Financiare u ekzekutua natën e 23 shtatorit të 2016, kur roja bregdetare identifikoi gomonen me drogë rreth 11 milje larg brigjeve italiane.

Ndalimi i saj e arrestimi i dy skafistëve shqiptarë u bë në afërsi të komunës së San Kataldos në Lecce.

Gomonia ishte e gjatë rreth 8 metra dhe e pajisur me 2 motra të fuqishëm jashtë bordit të saj.

 

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Basha mbledh me urgjencë aleatët në selinë e PD-së

Close