Shkeljet - Të ikurit gati raportin për zgjedhjet e 25 qershorit, publikohet nesër
16/08/2017 - 20:18 Nga: Sonil Frashëri

Ministrat teknikë së bashku me dorëheqjen e tyre kanë gati edhe raportin përfundimtar me gjetjet kryesore për zgjedhjet e 25 qershorit. Ora News mësoi se Ministrat në periudhën zgjedhore kanë vërejtur përdorimin e parave të pista, kanë dokumentuar shitblerjen e votës dhe përdorimin e administratës dhe aseteve të saj në favor të partive të maxhorancës. Në raport thuhet gjithashtu se përfshirja e opozitës në qeveri për të monitoruar procesin zgjedhor është praktikë e mirë dhe kjo duhet të ndodhë që nga 1 janari i vitit zgjedhor.

Raporti i Ministrave teknikë të emëruar nga Partia Demokratike për të vëzhguar procesin zgjedhor ka përfunduar dhe tashmë është në duart e zëvendës kryeministres, Ledina Mandija, e cila do ta publikojë ditën e nesërme.

Ora News mëson se raporti flet për përdorim të parave të pista në fushatën elektorale ndryshe nga sa thotë Drejtoria e Përgjithshme për Parandalimin e Pastrimit të Parave. Ministri i Brendshëm ka konstatuar se ky fenomen është vërejtur në shitblerjen e votës nga parti të maxhorancës ose subjekte të lidhura me to.

Tregues për këtë sipas Ministrave teknikë është rënia e vlerës së monedhës së euros për të cilën ata rekomandojnë të analizohet në thellësi.

Gjithashtu Ministria e Brendshme ka vërejtur përfshirjen e grupeve kriminale në fushatë në qarqet Dibër, Elbasan, Lezhë dhe Shkodër, ndërsa institucionet e tjera nuk kanë bashkëpunuar si duhet me policinë për t’i parandaluar këto fenmomene.

Shitblerja e votës rezulton e përhapur dhe në të janë përfshirë zyrtarë të administratës të nivelit të lartë dhe punonjës të policisë, të cilët nuk kishin reagimin e duhur për parandalimin e këtij fenomeni. Ministrat rekomandojnë të nxirren personat përgjegjës brenda Policisë së Shtetit që nuk kanë zbatuar urdhërat operacionalë.

Ministrat teknikë kanë vërejtur përfshirje të pjesëtarëve të Policisë së Shtetit në mbështetje të subjekteve politike dhe kërkojnë fuqimisht nga Prokuroria të nisin ndjekjen penale ndaj tyre.

Në Ministrinë e Brendshme kanë mbërritur 484 denoncime në lidhje me veprat penale në lidhje me zgjedhjet.

Ministrat kanë dokumentuar përdorimin e aseteve shtetërore për qëllime elektorale, duke krijuar pabarazi mes forcave politike në zgjedhje si dhe janë përdorur aktivitete elektorale në mjedise publike si shkolla, kopshte etj dhe për këtë Ministrat rekomandojnë që këto aktivitete të ndalohen me ligj.

Ministrat gjithashtu kërkojnë hetim nga Prokuroria dhe KLSH për përdorimin e fondeve për mundësimin e aktiviteteve.

Ministrat e shohin si shqetësuese pjesëmarrjen e nëpunësve civilë në fushatë dhe për shkak se monitorimi i tyre është pothuajse i pamundur rekomandohet të ndalohet plotësisht pjesëmarrja e nëpunësve civilë në aktivitete politike brenda dhe jashtë orarit zyrtar të punës.

Gjithashtu Ministrat teknikë në raportin e tyre kanë verifikuar se gjatë kohës së fushatës ka patur lëvizje të burimeve njerëzore si punësime, transferime dhe largime nga puna dhe këto punësime, Ministrat rekomandojnë që të jenë objekt i auditit të KLSH dhe i kërkojnë Prokurorisë të hetojë nëse ato janë bërë për përfitime politike.

Ministrat kërkojnë fillimin e procedimit penal edhe për personat që kanë vonuar apo penguar marrjen e informacioneve të nevojshme nga ana e task-forcës e krijuar posaçërisht për zgjedhjet e 25 qershorit.

Ministrat rekomandojnë që përfshirja e opozitës në qeveri për të monitoruar procesin zgjedhor është një praktikë e mirë dhe duhet të fillojë që nga 1 janari i vitit zgjedhor, ndërsa ngritja e task-forcës duhet të bëhet 3 ose 6 muaj përpara zgjedhjeve, në mënyrë që të parandalojë të gjitha parregullsitë që mund të hasë procesi zgjedhor.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
City hall’s investments, Mayor inspected work for construction of 23rd playground

Close