Interviste per Ora News - Financimi i partive, Mandija: Tërheqje parash nga bankat, një rast në prokurori
18/06/2017 - 13:20 Nga: Pranvera Bozhiqi

Brenda dy javësh nga emërimi i ministrave teknikë, në administratën e lartë shtetërore është shënuar një numër i lartë shkarkimesh.

Zv/kryeministrja Ledina Mandija në një intervistë të dhënë për Ora News, tregon se çdo denoncim ka kaluar më parë në proces hetimi dhe vetëm pas kësaj është vepruar.

Ledina Mandija: “Nuk është e vërtetë që me një fotografi direkt filloi një procedurë, u bë një kallzim ose u hoq një person nga puna por në këtë moment ne po bëjmë verifikme. Kemi referuar raste dhe ministri i ka raportuar që janë shumë të vjetra, i përkasin muajve mars-prill, ndërkohë që nuk kishte filluar fushata elektorale dhe nuk kishin hyrë në fuqi ndryshimet e Kodit Penal përsa i përket veprave penale. Kështu që në këto raste nuk është marrë asnjë masë.”

Në përgjigje të deklaratave se më të goditurit në shkarkime janë drejtorët e Lëvizjes Socialsite për Integrim, Mandija sqaron se: “Unë nuk e di sesa drejtorë ka PS, LSI apo PDIU por të paktën për rastet që kam dëgjuar që janë shkarkuar, jam informuar nga ministrat përkatës që i takojnë forcave të ndryshme politike. Nuk kam një shifër përfundimtare por raportet kanë qenë pothuajse njësoj. Mos të themi 50 me 50 por 60 me 40.”

Por hetimet kanë zbuluar dhe një tjetër fenomen, atë të fshehjes së financimeve në fushatë. Zv/ kryeministrja Mandija thotë se Drejtoria e Pastrimit të Parave ka konstatuar një rast kur janë tërhequr para nga një bankë e nivelit të dytë. Tashmë çështja është dërguar në Prokurori për hetime të mëtejshme.

Ledina Mandija: “Drejtoria e Pastrimit të Parave kishte zbuluar një rast të cilin e kishte referuar në Prokurori, ku edhe për këtë nuk mund të jepet më tepër informacion pasi janë informacione sekrete dhe konfidenciale për shkak të hetimit.”

Zv/kryeministrja Mandija sqaron po ashtu se nuk janë të vërteta pretendimet se ministrat apo titullarët nuk po lejojnë punonjësit të marrin pjesë në Komisionet Zgjedhore.

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close