Aksioni - Task-Forca për ujin e pijshëm ndërpret 74 lidhje të paligjshme
07/07/2017 - 14:23

Grupet e Task-Forcës në terren kanë ndërprerë 74 lidhje të paligjshme të ujit të pijshëm si dhe ka  vendosur 16 gjoba.

Bashkia e Tiranës thotë se ndërhyrjet e ditëve të fundit të aksionit të Task-Forcës për prerjen e lidhjeve të paligjshme dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për kursimin e ujit të pijshëm po sjellin një përmirësim të situatës.

Bashkia e Tiranës, UKT dhe agjencitë e varësisë, të cilat janë angazhuar në përballimin thatësirës së zgjatur kanë vijuar punën në terren për monitorimin e situatës dhe evidentimin e të gjitha rasteve të shpërdorimit të ujit të pijshëm.

Fokusi i aksionit të djeshëm ishin linjat e transmetimit në periferi të Tiranës, si në zonën e Yzberishtit, Babrrusë, Rr. “Dhimitër Kamarda”, Rr. “Ali Demi”, Rr. “Kont Urani”, Rr. E “Elbasanit”, Rr. “Hoxha Tahsin”, zona e ish-Bllokut, Rr. “Myslym Shyri”, Liqeni i Thatë, Rr. e “Kosovarëve”, zona e “Qyteti Studentit”, ish Parku i Autobusëve, si dhe në linjën e transmetimit të ujit të pijshëm DN 700 dhe DN 1000.

Grupet e Task-Forcës, me pjesëmarrjen e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, Prefekturës dhe stafit teknik të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, kanë evidentuar një sërë rastesh të lidhjeve të paligjshme dhe të përdorimit të ujit të pijshëm për qëllime të tjera, si ujitje të tokave dhe të mbjellave bujqësore.

Vetëm dje, grupet e punës kanë bërë verifikimin e  602 rasteve, duke ndërprerë 74 lidhje të paligjshme të ujit të pijshëm, kryesisht në zonat e periferisë së Tiranës. Gjatë verifikimeve në terren, 16 subjekte janë gjobitur sipas parashikimit në ligj, ndërsa për çdo shkelje penale është bërë gjithashtu denoncim në organet përkatëse.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar dhe lidhjes së kontratave të reja, ku vetëm dje janë nënshkruar 78 të tilla, ndërsa janë lidhur edhe 45 aktmarrëveshje me UKT. Specialistët e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë kanë punuar dhe në drejtim të vendosjes së matësve të rinj të ujit, ku gjatë ditës së djeshme në kryeqytet janë instaluar 168 të tillë.

Bashkia e Tiranës u bën thirrje banorëve që të bashkëpunojnë si në rastet e denoncimit të çdo rasti abuzimi, ashtu edhe në përdorimin me kursim të ujit të pijshëm. Në dispozicion të qytetarëve janë vendosur edhe dy numra telefoni pa pagesë, 08004488 të Ujësjellësit të Tiranës dhe atë të Bashkisë së Tiranës 08000888, për të raportuar problemet e furnizimit me ujë të pijshëm apo për të denoncuar rastet e abuzimit.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Lista Serbe pret nga partitë shqiptare t’i bëjnë 51 vota për të siguruar votën e tyre

Close