Kuvend - Tahiri: Deputeti jo më “zyrë pune”. Sulmon biznesmenët në Kuvend
12/09/2017 - 22:36

I zhveshur nga kostumi i Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri shpalosi në Kuvend manualin sesi duhet të jetë një deputet i Kuvendit të Shqipërisë.

Pa analizuar shumë programin e qeverisë, Tahiri u fokusua tek reforma në administratë, ku deklaroi se deputetët duhet të heqin duart njëherë e mirë prej saj.

Kjo pasi sipas tij jo vetëm që nuk zgjidh problemin por denatyrizon dhe rolin e deputetit dhe funksionion për të cilin ai është zgjedhur.

Tahiri: Duhet ta filojmë duke hequr të gjithë bashkë nga sot e përgjithmonë duart fillimisht nga administrata. Pjesën politike le ta emërojë qeveria.Të zgjedhin njerëzit e duhur për punën e  duhur. Pjesën tjetër të administratës ne nuk kemi asnjë punë.Le të merret ligji siç e kemi shkruar dhe miratuar të gjithë bashkë.Pa ndërhyrje deputetësh dhe pa rradhë deputetësh e trokitje në dyert e Ministrave.Nëse duhet të hapim një epokë të re, kjo është pikërisht ajo që duhet. Roli i deputetit në raport me njerëzit, parlamentin në këtë minibotën tonë, deputetë që respektohen për ata që janë dhe bëjnë jo për atë që kanë dhe atë japin. Dhe partitë do mbështeten për alternativën e tyre dhe jo dyert që hapin për mbështetësit e tyre. Dhumë kolegë mund të thonë po militantët, po mbështetësit, anëtarët e partisë?I kanë sytë nga ne dhe nga ju për fat të keq.

Kështu jemi mësuar në 20 e kusur vite. Ndoshta ka ardhur koha të mbyllim këtë histori. Jo vetëm se militantët tanë i gënjejmë, ca duke i punësuar dhe shumë të tjerë duke i mbajtur në pritje, pritje, e në pritje edhe sepse deputetët denatyrohen.Disa dalin nga vetja dhe të gjithë bashkë nga roli i tyre duke trokitur në dyer Ministrash dhe Drejtorësh për të futur në punë aq mbështetës sa munden. Sot ka ardhur dita t’ia heqim vetes këtë luks të vogël. Ti bëjmë një nder të madh të rinjve që duan të punësohen duke besuar tek merita dhe forca e tyre. Kjo kërkon vullnet dhe angazhim që të mos kthehet në histori ciklike.Edhe deputetët do të jenë më mirë, do dalin nga rradha e atyre që presin para dyerve të çdo drejtori dhe Ministri të qeverisë për të kapur ndonjë gjë apo për të kapur çdo gjë.

Kritikat Tahiri nuk i kurseu dhe ndaj biznesmenëve të katapultuar në Kuvend.

Tahiri: Nuk i kam kuptuar kurrë ata që hyjnë në parlament nga bota e biznesit dhe kur vinë këtu nuk flasin asnjëherë të vetme. Sigurisht e kuptoj se një gjë e madhe duhet të jetë të lësh biznesin dhe të vish në parlament dhe të mos flasësh asnjëherë. Po unë se kam kuptuar. Por ne ndoshta duhet ta ndajmë rolin e  deputetit.Na duhet jo vetëm angazhimi, jo vetëm apeli i prezencës apo fjalimeve por na duhen mbi të gjitha mundësitë, instrumentat, kushtet për ta fuqizuar deputetin për të bërë atë që duhet të bëjë dhe ta zhveshë përfundimisht nga forca që nuk i takon, ndoshta kështu njerëzit do të votojnë për deputetin që duhet, ata që bëjnë diçka, për ata që thonë diçka dhe besojnë në diçka më shumë sesa për atë që japin dhe marrin.Ky është ndër të rrallët mandate të një qeverie që ka në dorë në mënyrë të pakushtëzuar të bëjë gjërat që të tjerët mund të kenë dashur por nuk i kanë bërë, ose nuk i kanë dashur hiç.

Ish-Ministri nuk harroi dhe reformën në drejtësi.

Tahiri: Kryefjala të paktën e imja është drejtësia, drejtësia, drejtësia. Reforma në drejtësi u miratua. Vettingu filloi dhe askush nga ne nuk do të ketë fytyrë të rrijë në karrige nëse ekzemplarë të drejtësisë që sot janë brenda sistemit të gjyqësorit apo prokurorisë do ta kalojnë paq edhe këtë hallkë. Reforma e tokës është themelore, sepse e kemi hasur në fushatë.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Demarkacioni me Malin e Zi, Pacolli nesër në Podgoricë

Close