IPR Marketing e Ora News - Sondazhi III, Surpriza: PD 5 % rënie në një javë, PS rritet 3 %, LSI…
14/06/2017 - 23:16

IPR Marketing dhe Ora News mbrëmjen e së mërkurës (14 qershor 2017) në Tonight Ilva Tare rezultatin e sondazhit të tretë të zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit.  

Surpriza kanë ardhur si në rezultatin në nivel kombëtar ashtu dhe në Shkodër.

Kështu përsa i përket sondazhit kombëtar, Partia Socialiste ka shënuar një rritje me 3 përqind, nga 45 përqind e votuesve të shprehur pro në datën 7 qershor, sot do të votonin pro saj 48 përqind e zgjedhësve.

Nga ana tjetër PD shënon një rënie me 5 përqind. Nga 37 përqind të shqiptarëve që do të votonin për PD në datën 7, të mërkurën për këtë forcë politike do të votonin pro 32 përqind e tyre.

Nga ana tjetër LSI ka shënuar një qëndrueshmëri të votave me 13 përqind të mbështetjes.

Ndërkohë rritje ka shënuar dhe LIBRA me 3 përqind, nga 2  përqind që e mbështesnin një javë më parë.

Po ashtu rritje shënon dhe PDIU, duke shkuar në 2.5 përqind të votave nga 1.5 që kishte një javë më parë.

19 përqind e të intervistuarve shprehen pro koalicionit PS-LSI kundrejt 15 përqind pro koalicionit pro PS-PD.

Megjithatë rënie ka shënuar dhe pjesëmarrja në votime. Ku vetëm 54 përqind e të anketuarve janë shprehur se do të shkojnë në zgjedhje përkundrejt 62 përqind që ishin shprehur pro një javë më parë.

Ndërkohë në vitin 2013, PS u mbështet nga 41 përqind e votuesve, PD nga 30.6 përqind dhe LSI me 10.5 përqind

Përsa i përket Shkodrës, PS dhe PD ndajnë vota të barabarta, duke marrë 41 përqind të zgjedhësve.

Sipas sondazheve PS dhe PD marrin nga 5 deputetë në këtë qark.

Në vitin 2013, në Shkodër PS mori 31.1 përqind të votave dhe PD 37.5 përqind.

Sa i përket LSI-së, kjo forcë do të marrë 7 përqind të votave nga 10 që kishte në vitin 2013.

Megjithatë me këtë rezultat LSI përfiton një deputet. Teksa LIBRA do të marrë 2.5 përqind të votave.

Numri i të intervistuarve në sondazhin e sotëm (14 qershor) është 2002, periudha 12-13 qeshor. Marzhi i gabimit per sondazhin kombetar është +/- 3.3 %.

 Ne studion e Tonight Ilva Tare komentuan shifrat e sondazhit: Antonio Notto, (drejtori i IPR Marketing)  Artur Zheji,  Afrim Krasniqi, Blendi Çeka, Dritan Hila. 

 

 

Sondazhi i dates 14 qershor 2017

.

Koalicionet pas zgjedhore. Me shume qytetare duan PS-LSI

Nëse asnjë nga forcat politike nuk do të arrinte të merrte vota për të formuar qeverinë e vetme 19.3% e qytetarëve kanë zgjedhur një koalicion mes PS dhe LSI për qeverisjen e ardhshme, kundrejt 15 % pro koalicionit PS-PD.

Për një koalicion mes PS-PD kanë votuar 15%, PD-LSI 9.2%. Ndërkohë që për një bashkëqeverisje PS-PD-LSI kanë dhënë mbështetje vetëm 5.7%. Interesante eshte fakti se 50 % dhe 66 % (ne rastin tjeter)  nuk dine ti japin pergjigje pyetjes: Cilën aleancë do të pëlqenit për të formuar qeverinë.

 

Analiza per koalicionet 

Antonio Notto: Shqiptarët nuk e quajnë të rëndësishëm koalicionin me Partitë e vogla. Shohin aleancat e forta, që mund të jenë PS-LSI ose PS-PD. Nëse duhet të ketë një aleancë, shqiptarët mendojnë të kenë një aleancë të fortë. Parapëlqejnë aleancën midis partive të forta jo aleanca midis një partie të fortë dhe një partie të vogël.

Pyetja e Zhejit: Kampionët për rezultatin kombëtar, si e verifikoni që kjo gjeografi telefonatash është bërë në rang kombëtar?

Notto: Banka e të dhënave janë të lidhura me ato të zonave, ndaj dhe numri i përket një zone. Ndaj ne e kërkojmë që jo vetëm personi është në atë zonë, por edhe banon në atë komunë. Ndaj, kampioni është në rang kombëtar.

Ulet numri i votuesve, rritet i atyre qe nuk do te votojne dhe të pavendosurve

Sipas sondazhit 54.7% e te intervistuarve  ka deklaruar se do të shkojë të votojë. Kjo shifër vjen në rënie në krahasim më dy sondazhet e para. Në sondazhin e 31 majit ishte 62.1%, në 7 qershor 59.7 %.

Ndërsa 36.1 % e qytetarëve kanë deklaruar se nuk do të shkojnë të votojnë në zgjedhjet e 25 qershorit.

Në krahasim me sondazhin e datës 7 qershor numri i qytetarëve që nuk do të shkojnë të votojnë në 25 qershor është rritur me 2.4%. Ndërsa në krahasim me sondazhin e 31 majit numri i atyre që kanë thënë se nuk do të votojnë është rritur me 9.4%.

Ndërkohë është rritur edhe numri i të pavendosurve që në këtë sondazh është 8.5%, krahasuar me atë të datës 7 qershor, i cili ishte 7%. Ndërsa në sondazhin e 31 majit të pavendosurit ishin 9.6%.

Artur Zheji komenton: Basha nuk bind elektoratin që PD do jetë në pushtet

Teksa komenton rezultatet e sondazhit, drejtuesi i “360” Artur Zheji, thotë se Basha nuk  arrin të bindë elektoratin e vet që PD është në pushtet.

Zheji: Sensi i arbitraritetit është më shumë se arroganca dhe kjo është eksperimentuar edhe në vendet tjera dhe po eksperimentojnë edhe shqiptarët. Ky është një problem shumë i madh. PD ka bërë dy gabime që janë strategjike, jo personale të zt.Basha por të atyre që e këshillojnë. E para ka lënë të kuptohet se ka një sinkronizim me Partinë Socialiste duke goditur LSI-në. Tek PD, zgjedhësit e të cilës janë inteligjencë, thonë se ç’interes ka vota se ne do shkojmë me PS-në.

Unë mendoj se trendi do të ndryshojë. Praktikisht, kjo i ka dembelosur të anketuarit. Vaterloja e këtij sondazhi mund të jenë këto zgjedhje. PD është ndëshkuar edhe nga fakti që duke goditur LSI-në, ata dembelët kanë thënë ore e kemi mbyllur me Ramën, të tjerët më inteligjentë thonë nuk kapim dot 71 por mund të kapin 60 dhe bëjmë aleancë me LSI-në. Nëse Basha nuk bind elektoratin se më 25 qershor PD është në pushtet, elektorati jep një energji të reduktuar.

Dritan Hila komenton: LSI ka shtrënguar radhët

Hila: Përqendrimin e baterive tek LSI, del tek ajo shprehja ore këta po luftojnë për vendin e dytë. Prezenca në qeveri i ka shkaktuar edhe një lloj ngërçi edhe psikologjik. Ne i kemi harrur qeverinë e kanabisit dhe kanë filluar t’i bien lepurit që po kalon dhe që është LSI, e cila nga ana tjetër ka shtrënguar radhët. Zbutja e toneve nga ana e PD-së, i ka dhënë komoditet edhe zt. Rama. Gjuha që ai përdor që Luli është djalë i mirë, Berisha nuk është aq i keq sa duket, është një propagandë që po i funksionon.

Blendi Çeka: Diçka çalon në fushatën e PD-së

Çeka: PD është i vetmi subjekt që zbret me pikë dhe ndërkohë shifrat për mospjesëmarrjen në zgjedhje rritet. Përshtypja ime është që ka diçka që nuk po funksion me strategjinë e Partisë Demokratike në fushatë. Thelbi i fushatës së PD-së duhet të ishte bilanci i kësaj qeverie dhe ndërkohë krijimi i vizionit se çfarë do të bëjë PD si pjesë e qeverisë. Fakti që miksohet me elementë të tjerë si sulme personale ndaj LSI e PDIU, gjë që humb atë çka do të ishte thelbi i fushatës së PD. Është i vetmi subjekt që ka ulje në pikë dhe ka rritjen të atyre që nuk marrin pjesë në zgjedhje. Janë të demobilizuar. Lidhur me PS-në, në rast se i referohemi rezultatit është që një ndër dy shqiptar voton PS-në. Rritja e Partisë Socialiste është në harkun e 5.6 për qind.

Afrim Krasniqi: Aleatët në listat e PD rezulton e gabuar

Krasniqi: Me sa shoh unë shqiptarët nuk e kanë kapërdirë ende konceptin e Republikës së re. Është njësoj sikur të hysh në fushë pa top, pa fanellë dhe të thuash kam vendosur të fitoj ndeshjen. Një opozitë mund të mos ketë shanse të fitojë, dhe është normale por një opozitë krijon frymë. Kjo është arma më e madhe e një opozite. Nëse luan me të njëjtat mekanizma që luajnë palët e tjera, ti ke hyrë në një pellg. Formula e hyrjes së aleatëve në listë rezulton e gabuar.

Surpriza ne Shkoder: PS e PD ndajnë nga 5 mandate, LSI 1 deputet

 

Shkodra ishte surpriza e sondazhit të tretë të IPR Marketing dhe Ora Neës, të transmetuar në Tonight Ilva Tare.

Bastioni i demokratëve me shifrat e sodnazhit tashmë është një garë e hapur se si do të ngjyroset politikisht ky qark.

Partia Socialiste dhe Partia Demorkatike, në fotografimin e votës në datat 12 dhe 13 qershor, duke pyetur 1000 persona, ndahen në barazim me nga 41% secila.

Partia Socialiste shënon një rritje të ndjeshme prej 10% krahasuar me zgjedhejt e vitit 2013, ndërsa Partia Demkoratike po ashtu rritet me 4%. 

Kjo do të thotë që socialistët dhe demokratët do të duhet të ndajnë nga 5 mandate. 1 Mandat i takon LSI, e cila projektohet me 7% të votave, me një rënie prej 3.5% nga zgjedhjet e shkuara.

LIBRA e Ben Blushit, endet ndërmjet kufirit të pragut elektoral me 2.5% të votave, ndërsa Partia Socialdemokrate, me Tom Doshin kandidat, paraqitet me 2% të votave. 0.6% shkojnë për PDIU.

Ky sondazh është realizuar duke intervistuar  1000 qytetarë  dhe marzhi i gabimit është 3.7 %. U intervistuan 12- 13 qershor 2017    

Antono Notto: Partia Socialiste nuk është në rritje vetëm në Shkodër, por edhe në qarqe të tjera. Edhe Partia Demokratike ka rritje ne Shkoder. Kemi thënë javën e kaluar që është më e lehtë që PD dhe PS të marrin më shumë deputetë se sa në zgjedhjet e 2013-t sepse kemi vetëm 18 parti. Kemi një votë më shumë të përqendruar. Ne pyesim për votën e partive dhe zgjedhësit përgjigjen sipas partive.

Zheji: Vota e Shkodrës për PS-në votë pro-kanabis

Duke analizuar sondazhin e IPR Marketing dhe Ora News në Shkodër, analisti Artur Zheji, thotë se opozita ka pësuar rritje atje dhe se largimi i zonjës Topalli duket se nuk ka ndikuar negativisht.

Zheji: Kemi një trend rritje të opozitës që gjë rrëfen që të paktën në Qarkun e Shkodrës ka një rritje të preferencës të Partisë Demokratike. Pasqyruar në këtë sondazh, Partia Demokratike nuk ka pësuar ndonjë goditje nga largimi i zonjës Topalli. Unë e mendoja më dramatike largimin e zonjës Topalli në Shkodër. Unë do të doja që Topalli të ishte në atë listë si një shkodrane dok. Si kryetare e Kuvendit, performaca e saj është gjykuar si refraktare dhe si një pengesë e rinovimit të lidershipit të Partisë Demokratike dhe një armike e përbetuar e zt.Basha.

Shoh që është ndëshkuar edhe Partia Sociale Demokrate që do të thotë Tom Doshi. Unë prirem të them që shkodranët pëlqejnë arrogancës që Rama ka dëshmuar në Shkodër që ka fyer jo pak kryetaren e Bashkisë, zonjës Ademi. Nuk di të ketë rritje të punësimit. Ky qark ka qenë tmerrësisht i mbjellë me kanabis për arsye se ka vende të paprekshme nga policia, qëllimisht edhe gjeografikisht dhe mund të jetë konceptuar nga shkodranët si një votë pro-kanabis. Ndoshta kjo është një votë pro PS-së dhe pro të mbjellave vitin që vjen.

Krasniqi: Votat për PD në Shkodër protestë për listën e kandidatëve

Krasniqi: Nëse i referohemi zgjedhjeve lokale, e djathta në Shkodër ka pasur 55% të votave, kurse për të majtën kemi një rënie 2%. Nëse i referohemi 2013-s kemi ndryshime të mëdha. Mendoj që është tregues i mungesës së organizimit dhe tregues i unitetit. Ne e dimë që Shkodra është bastion i Partisë Demokratike.

Asnjë nga kandidatët e partive politike nuk është pedagog në Universitetin e Shkodrës. Nga ana tjetër, nëse shohim emra kemi kandidatë të fortë. Është një votë që është protestë kundër si PD-ja ka bërë listat dhe se si PD-ja po bën fushatën elektorale në qytetin e Shkodrës. Nuk është një votë kundër PS-së. Është maksimalja që PS mund të marrë në Shkodër.

Çeka: 15% të pavendosur mundësi për PD-në për mandatin e 6-të

Blendi Çeka: PD ka akoma hapësirë të zgjerohet. Kemi 15 të pavendosur, të cilët në rast se bëhet aktivë ekziston mundësia që këtë lloj barazimi 5 me 5 ta bëjnë 6 me 4 për Partinë Demokratike, që është logjika normale se si mund të shkojë qarku i Shkodrës. Për sa i përket zt.Doshi është kandidat individual dhe është votë drejtpërdrejtë për të. Doshi minimalisht duhet të marrë 9 mijë vota, përafërsisht.

Hila: Rezultati i Shkodrës është pak i çuditshëm

Hila: Kemi një investim të madh në Shkodër. Unë kur isha më thanë që ka filluar të lëvizë turizmi, pasi ndihen njerëzit që vijnë. Edhe në periferi të Shkodrës kemi investime si në rrugën e Razmës dhe Vermoshit. Rezultati është pak i çuditshëm.  Njerëzit i ndjenjë investimet dhe ndoshta bëhen pak më të ftohtë. Nuk di të jetë bërë ndonjë investim dy vitet e fundit përjashto stadiumin dhe ndoshta vijmë në këtë rezultat.

Nuk mendoj se ikja e Jozefinës e ka dëmtuar PD-në në Shkodër. Kam besimi që elektrizimi i mëtejshëm i situatës të rritet PD-ja. Nuk mendoj se Partia Socialiste të shkojë më tej. Pavarësisht se Rama mund të shtiret si shkodran, nuk mendoj se shkodranët ta ndjenjë si fëmijë të tyre të pagëzuar.


Rezultatet :   Sondazhi I Ora News e IPR Marketing: PS fiton zgjedhjet me 43%, PD me 36%, LSI 12%

Sondazhi II kombëtar: PS fiton 45%, PD 37%, LSI 13%, Libra 2%, PDIU 1.5%

 

(Lajmi online u punua nga gazetaret: Ermir Xama, Suela Gera, Saimir Lleshi, Orgen Bendo) 
/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Zgjedhjet 2017 – KQZ përcakton rregullat për ditën e votimit, rastet kur ndërhyn policia

Close