Denoncimi i BOOM - Shteti i bllokon firmës llogaritë, fermerët e duhanit s’paguhen prej 2 vitesh
21/04/2017 - 19:11

Kamera e emisionit BOOM në RTV Ora News ka udhëtuar në fshatin Pocest të Korçës, aty ku fermerët e këtij fshati merren me kultivimin e duhanit për të fituar bukën e gojës.

Janë rreth 40 famije në këtë fshat që prej dy vitesh nuk kanë marrë lekët nga tregtimi i duhanit. Banorët thonë se kanë bërë një kontratë me firmën Sardi e cila grumbullon duhan në këtë zonë. Sipas kësaj marrëveshje të gjithë prodhimin do t’ia japin kësaj firme, por prej më shumë se dy vitesh ata nuk janë paguar nga firma.

Pavarësisht se fermerët janë të pajisur ne nipt, përsëri ata nuk kanë mundur të marrin fitim nga prodhimi i duhanit. Banorët thonë se çështjen e kanë çuar deri tek krimi ekonomik dhe prokuroria, por Prokuroria ka mbyllur çështjen, duke mos i lënë as mundësinë e apelimit.

Gazetarja e BOOM kontaktoi edhe me Bashkinë e Maliqit, e cila ishte në dijeni për këtë shqetësim. Bashkia tha se është në mbështetje të fermerëve dhe do të bëjë të pamundurën që fermerëve ti zgjidhet problemi.

Por, BOOM intervistoi edhe pronarin e formës Sardi shpk, i cili pranon pretendimin e fermerëve por sqaron se ka 150 ton duhan të pashitur. Pronari thotë se tatimet dhe doganat janë përfshirë në një korrupsion, pasi në dokumentacione rezulton se fermerët i kanë tregtuar krom. Ai thotë se shteti i ka bllokuar llogaritë duke mos i dhënë mundësi që të shlyhen fermerët.

Denoncimi i banorëve të fshatit Pocest

Fermeri 1: Në vitin 2014 kemi mbjellë kulturën e duhanit të kontraktuar nga firma Sardi shpk, erdhi na mblodhi duhanin na tha për dy javë do ju jap lekët. Herët e tjera na i ka dhënë lekët në dorë, këtë radhë na i la për dy javë. Kaloi dy javë, kaloi dy muaj, kaluan dy vjet. Pas dy vjetësh erdhi në preu një faturë dhe na tha do hapni llogari në bankë. E hapëm llograinë në bankë dhe lekët do t’i jap. Ikën dy vjet dhe lekët akoma nuk janë hedhur në bankë. Kemi hyrë dhe te banka borxh, nuk mbyllim dot llogarinë.

Gazetarja: Sa lekë ju detyrohet kjo firmë ju?

Fermeri 2: Kjo më detyrohet 1 milion e 800 mijë të vjetra. E kemi shitur rregullisht mallin, këtë radhë doli gënjeshtar, nuk e mbajti fjalën.

Fermerja 1: Unë kam 1 milion e 150 mijë për të marrë ai erdhi na tha do t’ju jap me niptin. Na dha një dokument, por ky dokument nuk hyn në punë.

Gazetarja: Sa lekë ju detyrohen?

Fermeri 3: Mua më kanë 1 milion lekë

Fermerja 2: kam 6 milionë dhe jemi të ardhur, tokën e kemi marrë me qira dhe asnjë lekë skemi marrë. Kemi karta, edhe llogari bankare, por lek s’kemi marrë. Në premtoi që do ti merrni. Tre vitet e para në i jepte lekët në dorë ky ne dhe sikur krijuam një farë besimi.

Fermeri 4: Mua 2 milion lekë më ikën, qira, frezim etj.

Gazetarja: Tani me çfarë merreni?

Fermeri 4: Po tani hiç, na janë prerë krahët, po bëhen 3 vjet.

Çështjen banorët e çojnë në prokuri, por çështja është mbyllur

Fermeri: Vajtëm te krimi ekonomik, na mori deklaratat ankesat që andej na thirri Prokuroria, dorëzuam këtë letrën dhe Prokuroria dha që është mbyllur, nuk ka çështje penale.

Gazetarja: Në këtë letër që ju ka nisur Prokuroria thotë që brenda 5 ditëve keni të drejtë të ankoheni, pse nuk u ankuat?

Fermeri 1: Na i sollën pasi kishin kaluar 5 ditë. E sollën me vonesë.

Fermeri 2:  Vajtëm denoncuam te krimi ekonomik, ata njoftimin e sollën dorë më dorë dhe kur vajtëm ne na thanë që çështja u mbyll se mbaroi afati.

Fermeri 3: Prokuroria për atë çështjen që erdhi me vonëse ishte e qëllimshme. Ne vajtëm ata na thanë është cështja e mbyllur. Ne vajtëm te zyra e Prokurorisë ata na thanë shko te posta, unë jam këtu ti më thua shko në postë. Çështja u mbyll gjasme në favorin tonë, lekët do ti japë ai kur të ketë sepse nuk kemi bërë kontratë.

Bashkia e Maliqit është në dijeni të çështjes

Gazetarja: A është bashkia juaj në dijeni të fakteti që janë rreth 50 fermerë nga fshati Pocest të cilët i kanë dhënë një sasi të konsiderueshme duhani firmës Sardi shpk dhe prej tre vjetësh që nuk marrin lekët nga kjo firmë.

Kastriot Malushi, nënkryetar i bashkisë Maliq: Është një problem që ka një periudhë goxho kohore. Jemi njohur me shqetësimin e disa fermerëve. Kryetari i bashkisë është në mbështetje të këtyre fermerëve të cilët kanë lidhur një kontratë me një firmë private që grumbullon duhanin. Firma nuk i është përgjigjur në kohë për dhënien e lekëve. Kryetari i bashkisë ka qenë në mbështetje dhe do të jetë që ky problem të gjejë një zgjidhje sa më të shpejtë.

Gazetarja: Keni tentuar të kontaktoni ndonjëherë me pronarin e kësaj firme?

Kastriot Malushi, nënkryetar i bashkisë Maliq:  Në disa kontakte telefonike që kemi pasur ai nuk ka refuzuar që nuk di t’i japë lekët, por është problemi i kohës dhe kjo ka vazhduar gjatë dhe fshatarët me të drejtë kanë humbur besueshmërinë te ky mbledhës i prodhimit të tyre.

Pronari i firmës Sardi: Shteti ka bllokuar llogaritë bankare

Gazetarja: Kemi qenë në Pocest të Korçës dhe fermerët aty kishin një shqetësim. Ata pretendojnë se në vitin 2013-2014 të kanë dhënë një sasi të konsiderueshme duhani por nuk i kanë marrë lekët. Qëndron ky pretendimi i tyre?

Gazmir Sardi, pronari i Sardi shpk: Po pretendimi i fermerëve qëndron. Problemi nuk është faji im. Aty janë rreth 1500 kv pa shitur ose 150 ton duhan pa shitur dhe kjo nuk ka ardhur si faji im, por si korrupsion përfshirë: tatimet e përgjithshme, doganat e republikës, edhe njerës të tjerë me pushtet.

Gazetarja: Këto fermerë që i ke marrë ti duhanin dalin sikur ty të kanë shitur krom?!

Gazmir Sardi, pronari i Sardi shpk:  Po po sikur më kanë shitur krom, dhe sikur kanë marrë rente minerale fermerët, me emër dhe mbiemër. Për këtë unë kam bërë kallëzim penal në Prokurorinë e Durrësit, kam bërë edhe një kallëzim tjetër te Krimet e Rënda për falsifikim dosjesh. I jam drejtuar drejtorisë së tatimeve Durrës dhe nuk më kthejnë përgjigje. Këtu nuk është problemi që vetëm kanë marrë vetëm TVSH e fermerëve por këtu është vjedhje e njerëzve që janë veshur me pushtet të shtrirë në dogana e tatime.

Gazetarja: Kush mendoni se e ka bërë këtë flasifikim?

Gazmir Sardi, pronari i Sardi shpk: Këto i ka bërë ekonomisti im bashkë me drejtor doganash, drejtor tatimesh etj. Këta kanë vjedhur edhe rentë minerare të shtetit, paratë e shtetit them unë.  Unë shpresoj te drejtësia ta zgjidhë shpejt këtë punë. Kam vajtur në kryeministri, më kthyen përgjigje, kam vënë në lëvizje Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, të Doganave shpresoj të hapet llogaria dhe fermerët të jenë të sigurtë. Kanë hyrë në sistem me inspektorët e titmeve, kanë marrë tvsh time të duhanit edhe i kanë ngrirë në Portin e Durrësit dhe kanë blerë kromin e blerë nga task forca dhe policia e shtetit. Patjetër që unë do t’i shlyer fermerët.

 

Gazetarja: Mund të na thoni sa ton duhan keni në gjendje deri në këtë moment që po flasim?

Dashamir Tafani, Teknik i Sardi shpk: Për momentin janë rreth 150 ton gjendje

Gazetarja: Duhanin në sa fshatra e keni mbledhur afërsisht?

Dashamir Tafani, Teknik i Sardi shpk: 10 fshatra, dominon zona e Korçës.

Gazetarja: Arsyeja pse ky duhan ka mbetur stok?

Dashamir Tafani, Teknik i Sardi shpk: Nisëm një maune për eksport, ndalohet në doganë dhe të gjitha detyrimet janë të paguara nga firma, arsyet nuk dihen. Nëse ky duhan nuk shitet këtë vit i gjithë është për tu groposur. Kushtet nuk janë të favorshme për ta mbajtur, duhet sisifektim, ka shumë probleme që ky duhan del jashtë përdorimit. Ne këtë duhan e kemi blerë me marrëveshje sipas udhëzimeve të Inspektorit të Tatimeve Durrës. Kemi bërë një akt marrëveshje para blerjes, kemi berë blerjen, me nipt, me numër llogarie  sic kërkohet nga tatimet. Tani opsioni i fundit është se nëse nuk shitet atëherë nuk e di si mund të veprohet që duhani ti kthehet fermerit. Nëse shteti nuk na jep të drejtën e eksportit sic e kemi pasur më parë, ne nuk kemi zgjidhje tetër.

Gazetarja: Te sa fermerë keni shkuar për të mledhur këtë duhan?

Dashamir Tafani, Teknik i Sardi shpk: Për këtë duhan kemi grumbulluar te rrth 150 fermerë.

Gazetarja: Si mund të zgjidhet kjo situatë në të cilën ndodheni?

Dashamir Tafani, Teknik i Sardi shpk: Zgjidhja duket qartë, i lutemi organeve kompetente të lirojnë numrin e llogarisë, eksportin e këtij malli që dhe fermerët të marrin atë që merritojnë, sepse përndryshe humbja është kolosale si për firmën dhe për fermerët. Firmën ta lemë dorë të dytë, kryesorja është likujdimi i fermerëve. I lutemi organeve kompetente të zhbllokojnë llogaritë që fermerët të marrin djersën e tyre. Në Gjykatën e Aplit kemi marrë të drejtën, vazhdon gjykimi akoma, por i lutemi shtetit që të na lirojë llogaritë dhe eksporti, pastaj gjyqi le të vazhdojë si është e drejta. Nëse do na jepet e drejta për të shitur këtë mall, kryesorja është që të likujdohen fermerët.

Fermeri 1: Nëse nuk marrim paratë që na janë vjedhur mos vijë asnjë të kërkojë votën, as i majtë as i djathtë. Ne duam paratë, mos shkelje njeri këtu se do ta marrim me dru deputetin.

Fermeri 2: Po nuk na dhanë  lekët nukvotojmë

Fermeri 3: Po nuk morëm lekët e duhanit nuk votojmë. Po ngordhin fëmijët për bukë. 

Fermeri 4: Shteti i bllokon firmës llogaritë, fermerët e duhanit prej 2 vitesh pa u paguar  

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close