Investimi - Shtëpi për të pastrehët, 200 apartamente në katër qytete
04/09/2016 - 16:29 Nga: Manjola Hasa

Enti Kombëtar i Banesave ka përfunduar ndërtimin e 200 apartamenteve për të pastrehët.

Banesat me kosto të përballueshme janë ndërtuar në Fier, Lushnje, Librazhd dhe Berat dhe përfituesit e tyre përzgjidhen me vendim të Këshillit Bashkiak sipas kritereve të përcaktuara.

Drejtorja e Entit Kombëtar të Banesave, Doris Andoni, tha se proçesi është drejt përfundimit dhe banesat janë gati për shpërndarje.

Andoni: Kemi mbyllur investimet në katër qytete, jemi në proçedurat përmbyllëse. Po komunikoja dhe me Drejtorin tonë rajonal të Beratit ku kemi përfunduar një objekt me 35 apartamente. Të njëjtën gjë kemi dhe në Librazhd, Lushnje dhe Fier. Fieri po na zgjat pak më shumë për shkak të problematikave që kemi pasur me miratimin e listës së përfituesve, por shpresoj që shumë shpejt ta vëmë në vijë sepse në Fier kemi 75 apartamente që janë gati për t’iu dhënë qytetarëve.

Në Shqipëri jetojnë më shumë se 32.000 persona të regjistruar pranë pushtetit vendor si të pastrehë.

Përmbushja e nevojave të kësaj kategorie ka kosto të lartë, ndaj dhe Enti i Banesave po piloton projekte si ai në Pukë me bazë donacioni dhe punë vullnetare.

Andoni: Angazhimi i krahut të punës së komunitetit që do të strehohet por njëkohësisht dhe puna vullnetare e nxenësve që vazhdojnë kurse profesionale. Fillojmë dhe një fushatë sensibilizuese për donacione, në mënyrë që ne të kemi mundësi të ulim të maksimum kostot e investimit.

Autoritetet garantojnë se banesat janë ndërtuar me standarde.

Andoni: Objektet që kemi përfunduar janë me një cilësi shumë të lartë ndërtimi, shumë të mirë, me parametrat e efiçensës së energjisë, me elementë për lehtësimin e personave me aftësi të kufizuara.

Familjet që përfitojnë banesë më kosto të ulët, kanë të drejtë të marrin një kredi me kushte lehtësuese në bankat e nivelit të dytë sipas marrëveshjeve të qeverisë shqiptare me to.

Pas shlyerjeve të detyrimeve sipas kontratës, banesa mbetet në pronësinë e familjeve.

/Ora News/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Vajza shkon në shkollë me protezë në këmbë, shokët e presin të lumtur

Close