Vizita - Senatori McCain takoi muxhahedinët, falenderon Shqipërinë për pritjen
16/04/2017 - 8:58

Gjatë qëndrimit në Shqipëri, Senatori McCain ka zhvilluar një takim me presidenten e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, Maryam Rajavi. Gjatë takimit dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar zhvillimet e fundit në Iran, situatën në Lindjen e Mesme dhe perspektivat për të ardhmen. Para takimit, Senatori McCain ka vizituar një nga qendrat ku janë strehuar muxhahedinët. Ai ka përgëzuar transferimin e tyre të suksesshëm nga Iraku dhe vlerësoi këmbënguljen dhe sakrificat e anëtarëve të rezistencës.

“Nuk ka dyshim se shumë njerëz në këtë sallë kanë pësuar humbje të mëdha në njerëz për shkak të tiranisë iraniane. Por ju sërish jeni ngritur, keni luftuar dhe keni sakrifikuar për lirinë, për të ardhmen tuaj,”- tha Senatori McCain. Më tej, Senatori iu është drejtuar muxhahedinëve me nota mirënjohjeje se si ata janë kthyer tashmë në një shembull për botën.

McCain ka falenderuar qeverinë shqiptare për pranimin e muxhahedinëve, ndërsa ka vlerësuar udhëheqjen e zonjës Rajavi, duke theksuar se një ditë Irani do të jetë i lire dhe të gjithë së bashku do të mblidhen në Sheshin e Lirisë në Teheran. Gjatë takimit, zonja Rajavi falenderoi Senatorin McCain për përpjekjet e tij për transferimin e sigurtë të muxhahedinëve. Presidentja e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit theksoi se ndryshimi i regjimit në Iran nuk është i domosdoshwm thjesht për t’i dhënë fund shkeljeve flagrante të të drejtave të njeriut, por edhe për zhdukjen e luftës dhe krizës, vendosjen e paqes dhe qetësisë në rajon. Znj. Rajavi shtoi se populli iranian dhe rezistenca janë më të vendosur dhe të përgatitur se kurrë për të përmbysur pushtetin dhe për të vendosur demokracinë dhe sovranitetin kombëtar në Iran.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Ja çfarë bën pastruesja kur pronarët nuk janë në shtëpi

Close