Saranda pa ujë
08/08/2017 - 16:24 Nga: Gerald Bregu

Saranda, një ndër qytetet me të frekuentuara gjatë sezonit turistik po përballet me mungesën e ujit të pijshëm. Banorët e lagjes katër të qytetit shprehen se prej disa ditësh nuk kanë ujë në rubinetat e tyre. Drejtori Ujësjellës Kanalizimeve Sarandë, thekson se po punohet për normalizimin e situatës.

Në pikun e sezonit turistik, qyteti bregdetar i Sarandës po përballet me mungesën e ujit të pijshëm. Shqetësuese situata është në lagjen katër të qytetit, ku banorët shprehen se prej disa ditësh  nuk kanë ujë në rubinetat e tyre. Ata theksojnë se situata është përkeqësuar pas punimeve për vendosjen në funksion të ujësjellësit të ri.

Banore: Ne kemi qenë më mirë me ujë, u bënë linjat e reja që do kishim 24 orë. Ne tani vdiqëm, vjen cerek ore në mëngjes, ka raste që nuk vjen fare.

Banori: Për të pirë, blejmë, po për të larë? Po për banjo?

Banore: Ishte shumë e vështirë të mos bëja një banjo, të pi pak ujë të ftohtë. Janë probleme që ne nuk jemi mësuar ngaqë jetojmë në Athinë.

Drejtori i Ujësjellës Kanalizimeve Sarandë, Sheme Lulo shprehet se po punohet për normalizimin e situatës.

Lulo: Nuk ka gjendje kritike, ka tek tuk ndonjë pamundësi te furnizimi që ne shkojmë e konstatojmë, i gjejmë zgjidhje. Atje ku nuk kemi mundësi ta furnizojmë, kemi agregatin tonë që është i mjaftueshëm prej 2 metër kub. E zgjidhim për momentin kurse për periudhën e gushtit kemi marrë masat duke i paraprirë gjendjes kritike.

Ujësjellësi i ri i Sarandës me një vlerë prej 7.6 milion euro mbulon vetëm 65% të qytetit, pjesa  tjetër vijon të ketë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm duke cenuar në këtë mënyrë edhe turizimin.

/oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Demarkacioni me Malin e Zi, Pacolli nesër në Podgoricë

Close