Debate në grupin e PS - Rrogat për vettingun sjellin përplasjen e parë Rama-Tahiri
26/09/2017 - 16:48 Nga: Sonil Frashëri

Kërkesën e anëtarëve të Komisioneve të vettingut për një rrogë më të lartë, kryeministri Edi Rama e quajti ekzagjerim. Në mbledhjen e grupit, kreu i Partisë Socialiste tha se anëtarët e vettingut kanë një pagë që është e kënaqshme.

Rama: Pagat për këtë institucion janë ekstra, e rëndësishme është që të fitohet efiçensa maksimale jo të ekzagjerohet me masa që sjellin efekte krejtësisht të kundërta.

Ky vendim u shoqërua me debate në mbledhje. Saimir Tahiri ashtu si në Komisionin e Ligjeve ku nuk votoi përbërjen e dy Komisioneve të vettingut, tha se nëse duhen më shumë para për ta do të duhet të jepen pasi drejtësia ka më shumë rëndësi se paratë.

Tahiri: Dy nga komisionet thanë aty se ne nuk bëjmë dot detyrën me këtë buxhet. Unë sigurisht e di që propozimi i tyre duhej futur në një kornizë ligjore.Por kur këto institucione thonë që sot nuk bëjmë dot detyrën po nesër çfarë do të na thonë?

Me Tahirin replikoi Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili tha se financiarisht është bërë maskimumi për të garantuar funksionalitetin e këtyre institucioneve.

Ndërsa kryetari i Komisioneve të Ligjeve, Ulsi Manja, tha se kërkesa për rritje të organikës ka të bëjë për shërbimet mbështetëse që nuk kanë lidhje me thelbin e punës së vettingut.

Ahmetaj: E ftoj Saimirin të ulet me mua që të shohim detajet që edhe ai të dalë i qetë që ne i kemi dhënë mbështetjen maksimale strukturës nga ana financiare.

Manja: Me ligj ka pagën e barabartë me anëtarin e Gjykatës së Lartë, ndërsa anëtari i Kolegjit të Apelimit thotë ligji do ta ketë pagën e barabartë me anëtarin e Gjykatës Kushtetuese.

Tahiri: Në qoftë se fatura për të mbështetur këto komisione sot është e diskutueshme po unë them është që në të gjitha rastet më e vogël se fatura që kanë paguar shqiptarët në 20 e kusur vite për padrejtësi. Hajde të shkurtojmë diçka tjetër, ku di unë?Të shkurtojmë borde, bishta institucionesh që ndoshta kanë nevojë të shkurtohen, këtu nuk duhet të kursejmë.

Një vërejtje për këtë vendim e shprehu dhe deputeti Erjon Braçe, i cili tha se vendime të tilla që kanë të bëjnë me financat e shtetit nuk duhet të shmangin Komisionin e Ekonomisë dhe Financave, gjë që shkaktoi debate në grupin socialist.

Braçe: Lidhur me atë vendimin për vettingun, për strukturat dhe pagat e tyre kam përshtypjen që është një vendim që ka në mënyrë të qartë efekte financiare. Kësaj rradhe u tejkalua, unë do u kërkoj që herë të tjera të mos ndodhë më që të mos kalojnë në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave.

Lexoni më shumë: Debati i plotë në grupin e PS-së për vettingun

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
SHBA edhe një herë i drejtohet Kryeministrit Haradinaj për demarkacionin

Close