Kuvend - Rama: LSI e mbistresuar nga humbja e vendit të punës
13/09/2017 - 9:21

Kryeministri Rama kishte edhe një mesazh për ish-aleatin e saj në 4 vitet e para të qeverisë. Nga foltorja e Kuvendit, shefi i qeverisë tha se LSI është më shumë e gjendur befas në opozitë, duke u ulur prapa kurrizit të PD.

Rama i tha opozitës së dytë në Parlament se disfatën në këto zgjedhje ta shikojnë tek vetja e tyre. Ai e paralajmëroi LSI që të ketë kujdes me shprehjen  “qeveri e vogël korrupsion i madh”.

Rama: Nuk më vjen as keq as mirë, ky është një fakt i jetës që një opozitë tjetër më shumë e gjendur befas në këtë opozitë sesa e përgatitur për tu ulur atje poshtë pas kurrizit të PD pas 8 vjetësh ulur këmbëkryq në tepsinë e pushtetit, u shfaq këtu e mbistresuar nga humbja e vendit të punës.

Siç ju thashë edhe opozitarëve të përbashkët, po jua them edhe ju pas kurrizit të tyre, mos e kërkoni jashtë vetes shkakun e disfatës tuaj dhe mos i merrni shqiptarët për budallenj, që mund ti tërhiqni nga hunda duke iu bërë predikimi sikur sapo zbritet nga qielli. Dhe kujdes me atë parullën “qeveri e vogël korrupsion i madh” se tingëllon qamet si një lapsus frojdjan mbi marrëdhëniet që keni ju vetë me pushtetin.

Më vjen shumë mirë që pas kushedi që kur ky kuvend e nisi punën në orar dhe një debat kaq i gjatë dhe i lodhshëm u zhvillua sidoqoftë në një ecuri shembullore mbi binaret e rregullores.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Demarkacioni me Malin e Zi, Pacolli nesër në Podgoricë

Close