Situata politike - Rama komenton Nanon President: Kemi marrëdhënie shumë të mira
17/04/2017 - 22:08

Kryeministri Edi Rama ka folur për marrëdhëniet e tij me ish-kryeministrin dhe ish-kreun e PS, Fatos Nanon. Në një intervistë me gazetaren Rudina Xhunga në “Dritare” Rama tha se me Nanon ka marrëdhënie të mira.

I pyetur se nëse ai do të jetë nje emër për President konsensual, Rama tha se nuk dua të marr në gojë emra njerëzish. Ndërsa për Bujar Nishanin ai tha se nuk mund të jetë një president konsensual. 

Pyetje: Mund të ishte Nishani një president konsensual?

Rama: Nuk besoj, sepse të jesh konsensual do të thotë që të kesh një paanshmëri relative, zoti Nishani nuk e ka pasur as relative paanshmërinë. Megjithatë kjo është një çështje që do diskutohet në radhë të parë, sic ka filluar të diskutohet brenda koalicionit më saktë mes PS dhe LSI dhe pastaj ne do të kemi një qëndrim të unifikuar.

Pyetje: A do të ishte Fatos Nano President konsensual?

Rama: Unë nuk dua të marrim nëpër gojë emra njerëzish edhe nuk dua të kthejmë këtë në një muhabet si ato të lokaleve të katundit mediatik.

Pyetje:  Pse ju nervozon përmendja e zotit Nano?

Rama: Jo nuk më nervozon fare,  përkundrazi kemi marrëdhënie shumë të mira meqë ju e doni këtë informacion mesa po kuptoj, i kemi marrëdhëniet shumë të mira, por përkundrazi është respekti për të që më bën mos marrim njerëz nëpër gojë.

Rama ka folur edhe për takimin mes dy negociatorëve të PS dhe PD, respektivisht Taulant Ballës dhe Oerd Bylybashkit, dhe sipas tij ky takim nuk solli asnjë rezultat.

“Dy takime si të murit me murin, që nuk ka sjell asnjë rezultat” ka thënë Rama për takimet e Ballës dhe Bylykbashit.

Në lidhje me koalicionin  PS- LSI Rama tha se është një koalicion komplementar dhe Meta është përpjekur në mënyrën e vet për zgjidhjen e krizës.

Rama: Ilir Meta ka natyrën e tij, ka profilin e tij, por në këtë koalicion jemi komplementar. Përpjektë e tij kanë qenë konstruktive. Ka menduar gabim për mendimin tim, por ashtu ka menduar ai. Është një bashkëjetesë mes një partie të madhe e një më të vogël, ka probleme, ka tensione, edhe përplasje, por që kemi bërë shumë reforma.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Kënga bamirëse e artistëve për zjarrin në Londër thyen rekord

Close