Nisin punimet - Rama dhe Veliaj vendosin pllakën e parë në bulevardin e ri
11/01/2017 - 15:03 Nga: Florinda Merko

 Pllaka e parë në bulevardin e ri është vendosur nga kryeministri Edi Rama dhe kryetari i bashkisë Erion Veliaj. Të dy drejtuesit vlerësuan punimet, ndërsa Rama theksoi se vota në drejtimin e duhur ka dhënë frytet e para. Veliaj nga ana tjetër apeloi që të gjitha Ministritë të zhvendosen në boulevard, pasi ky investim do të sjellë një standard të ri jetese në kryeqytet.

Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i bashkisë Erion Veliaj kanë vendosur pllakën e parë në bulevardin e ri të Tiranës.

Kryeministri Rama tha se nisja e punimeve mund të ishte bërë që herët, por u pengua nga vota në drejtimin e gabuar në zgjedhjet e 2011.

Rama: Tirana mund ta kishte pasur këtë Bulevard sot. Tirana mund ta kishte Sheshin “Skënderbej” sot. Tirana mund të mos ishte sot, në vitin 2017, një kryeqytet që ende nuk ka arritur të mishërojë një vizion të 87 viteve më parë, kur dy arkitektë vizionarë të thirrur nga mbreti Zog projektuan këtë segment fantastik dhe unikal, që e bën Tiranën të veçantë dhe që i krijon kushte organizmit të saj që të zhvillohet në mënyrë të shëndetshme. Por, ja që për shkak të votës, gjërat nuk shkuan ashtu siç do duhej të shkonin. Për shkak të votës Tirana humbi vite, u përpëlit në një kurth të pakuptimtë dhe faktikisht u tërhoq zvarrë. Po për shkak të votës, Tirana sot, jo vetëm është vënë në lëvizje, por është vënë në lëvizje me një shpejtësi të re

Për kryebashkiakun Erion Veliaj ky investim do të sjellë një standard të ri të jetesës në kryeqytet, ndërsa nuk do të mungojë edhe vendosja e disa institucioneve të rëndësishme përgjatë bulevardit.

Veliaj: Kjo do të jetë një hapësirë zhvillimi. Sot kemi kërkesa konkrete, kemi një grup të ambasadave që duan të transferohen këtu dhe dua ta përdor në fakt edhe këtë mundësi publike, për t’i kërkuar kryeministrit që në analizën e ardhshme të rishpërndarjes së zyrave dhe administratës në Shqipëri, në Tiranë, të konsiderojmë bulevardin e ri si një vend ideal për ministritë e ardhshme apo selitë e ardhshme.

Nga bulevardi, Veliaj njoftoi se në 14 mars do të inagurohen 2 investime të rëndësishme si Pazari i Ri dhe parkimi nëntokësor në sheshin “Skënderbej”.

Projekti i bulevardit të ri dhe rehabilitimi i sheshit “Skënderbej” janë 2 projekte të inicuara nga Rama në 2011, kohë kur drejtonte Bashkinë dhe që po zbatohen nga kryebashkiaku i ri Erion Veliaj.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Helikopterët e Vivas shuajnë zjarrin në pyjet e Rrogozhinës

Close