Platforma Shqipëria që duam - Qeveria e re, ja garancia që jep kryeministri Rama për shqiptarët
30/06/2017 - 22:27

Komunikimi dhe ndërveprimi me qytetarët do të jetë mënyra që ka zgjeshur kryeministri Edi Rama për t’u njohur me nga afër me shqetësimet e shqiptarëve. Platforma e pagëzuar me emrin “Shqipëria që duam” sipas kryeminisrit Edi Rama do të nisë shumë shpejt nga puna, pasi qeveria e re është konceptuar si një koalicion me qytetarët.

Platforma “Shqipëria që duam” është forma më e re që  kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të komunikojë me publikun dhe të marrë prej tij sugjerime për mandatin e dytë qeverisës.

Në përfundim të një diskutimi paraprak, Rama ka publikuar një status në Facebook ku shprehet se ka pasur një interesim të madh.

 “Ideja shumë fillestare për këtë, është krijimi i një platforme të hapur komunikimi e ndërveprimi, “Shqipëria që duam”. E cila do të shërbejë për t’ju dëgjuar në kohë reale për çështje të aktualitetit politik e qeverisës; për të diskutuar me ju reforma e masa të rëndësishme dhe mundësuar ndikimin tuaj mbi politikat qeverisëse në çdo sektor e mbi punën e çdo ministrie apo institucioni të varësisë; për të luftuar së bashku korrupsionin, evidentuar tepsixhinjtë apo parazitët e çdo niveli, duke i goditur me zero tolerancë e nxitur zgjidhjen e ndershme të problemeve komunitare apo vetjake të kujtdo prej jush” shkruan Rama në Facebook.

Kryeminstri ka diçka për të thënë edhe për koalicionin, por këtë herë jo atë politik, por për koalicionin me qytetarët.

“Dua që qeveria e re të jetë një koalicion real me njerëzit e zakonshëm dhe së bashku të rrëzojmë sa të mundim, muret qorre e shurdhe të godinave të shtetit, ndaj jush. Nga bulevardi i Tiranës deri në çdo pikë të vendit, ata që paguhen prej jush për të bërë punën e shtetit për ju, ose duhet të punojnë siç e do puna, ose pastaj duhet të kenë punë me ne”, vijon statusi i Kreut të qeverisë.

 Në fund e mbyll postimin me një kërkesë për qytetarët, të cilëve u kërkon që të mos e lënë vetëm në rrugëtimin e ardhshëm 4-vjeçar.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
U kapën me 200 mijë paund kokainë, 20 vjet burg për tre shqiptarë

Close