Shkodër - Punëtori i aksidentuar, daja kërkon drejtësi dhe pension për familjen
17/07/2017 - 17:47 Nga: Bepin Kolvataj

Në Shkodër, familja e punëtorit të Komunales që humbi jetën duke pastruar pusetën, ka hapur dyert e mortit. Daja i 34-vjeçarit Kleotos Çeliku, baba i dy fëmijëve, apelon që shteti të vendosë drejtësi në mënyrë që të mos kenë të njëjtin fat të tjerët që punojnë pa asnjë masë sigurie. Ai kërkon që shteti t’i lidhë pension familjes që mbahej vetëm me rrogën e Kleotosit.

Familja i ka hapur dyert e mortit dhe të afërm, miq dhe qytetarë të shumtë kryejnë homazhet e rastit.

Dhimbja është e madhe në familjen Çeliku, e cila humbi djalin e vetëm të saj në moshën 34 vjeçare, ndërsa po punonte për pastrimin e pusetave të ujrave të zeza.

Babai i dy fëmijeve, hyri për të zhbllokuar pusetën në një thellësi prej 5 metrash, për të mos dale më i gjallë, pas 17 vitesh punë në Ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizimeve.

Daja i tij, Fadil Hasaj, tregon për Ora News se vdekjen se kishte menduar kurrë, por gjithmonë i ishte trembur sëmundjeve që mund të merrte nipi i tij nga puna jashtë çdo kushti sigurie.

Fadil Hasaj: Po pse ndodh kjo, se futet 5 metra në pusetë pa masa mbrojtëse që nuk ka nevojë ti them unë se e dinë vetë ata inxhinierët se çfarë duhet. Trajnim, masa mbrojtëse, i lidhur me litar, asfiksim, duhet të paktën me e tërheq shokët.

Ngjarjes do t’i shkoj deri në fund, pasi dua drejtësi, thotë Hasaj.

Fadil Hasaj: Edhe fëmijët, edhe familja që ka lënë pas duhet me marr pjesën e vet. Edhe përgjegjësit e kësaj pune, edhe shkaktarët e kësaj pune. Nipi im nuk ka shku me i ra murit me kokë, por dikush e ka udhëheq me shku drejt punës, kafshatës së bukës. Po nuk u gjetën shkaktarët me këtë rast që shpreh unë, ndihmojmë dhe punonjësit pas. Se po harrojnë, sot një vit po futet një Tos tjetër, sot dy vjet një tjetër, shkon jeta e të gjithë njerëzve kështu.

E gjithë familja jetonte vetëm me rrogën e Kleotos Çelikut, ndërsa sot daja i tij apelon që shteti ti lidhë një pension familjes.

Fadil Hasaj: I bëj thirrje shtetit mos ti presin këto procedurat ligjore por urgjentisht ti lidhin riskun e bukës familjes së Tosit. Edhe ne nuk kemi me çfarë ti ndihmojmë. Shteti duhet të jetë urgjent në këtë punë, të hapë një paketë për ndihmën e kësaj familje.

Familja Çeliku pas ngjarjes së rëndë pret reagimin e Bashkisë së Shkodrës dhe drejtuesve të saj.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Njësia elitë amerikane që do të vrasë Kim Jong-un?

Close