Grupi PS - PS dhe qeveria bëhen një. Taulant Balla pjesë e ekipit qeverisës
14/09/2017 - 10:20

Në mbledhjen e parë të Grupit Parlamentar Socialist kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria dhe deputetët socialistë do të firmosin një marrëveshje mirëkuptimi dhe bashkëpunimi. Marrëveshja do të mundësojë sinergjinë mes tyre dhe do t’u vijë në ndihmë qytetarëve. Kryesia e Partisë Socialiste ngarkoi Saimir Tahirin në detyrën e koordinatorit kombëtar të bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm ndërsa zgjodhi dhe 4 nënkryetarët e grupit parlamentar.

Tirane- Partia Socialiste dhe qeveria do të lidhen bashkë nga një marrëveshje mirëkuptimi. “Jemi një parti. Jemi një fuqi”

Marrëveveshja do të firmoset mbledhjen e ardhshme të grupit parlamentar ndërmjet kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, dhe të gjithë anëtarëve të kabinetit qeveritar.

Edi Rama: Është një marrëveshje që sanksionon rregullat e bashkëpunimit dhe ndërveprimit mes qeverisë grupit parlamentar dhe PS-së, si tre pjesë të pandashme të të njëjtit ekip qeverisës.

Marrëveshja përmban gjithçka na duhet për të pasur një fuqi qeverisëse dhe një fuqi komunikuese me publikun si asnjëherë më parë. Është një dokument i gjatë por nuk ka ujë brenda, sepse gjithçka që përmblidhet në të është e nevojshme” 

Saimir Tahiri Koordinator kombëtar për bashkëqeverisjen

Në mbledhjen e grupit Rama deklaroi dhe dy risitë e reja. 

Në kuadër të kësaj bashkëqeverisjeje Kryesia e PS-se caktoi Saimir Tahirin si Koordinatori Kombëtar për bashkëqeverisjen, platforma e të cilës do të prezantohet pas pak ditësh. 

Edi Rama: “Platforma e bashkëqeverisjes,   që do të shpallim publikisht, pas pak ditësh, nuk do të jetë një website i radhës por mekanizëm i gjallë njerëzish që do ta përdorin atë për të realizuar dhe bërë të mundur implementimin e tre pikave kyçe të dëgjesave publike: Pastrim të gjithë mekanizmit të shtetit nga grabitqarët, shërbim, dhe ndëshkim për ata që bëhen pengesë për këto të drejta”

Qytetarët mund të thërrasin në interpelancë ministrat apo kryeministrin

Në platformën e bashkëqeverisjes do të sanksionohet që njerëzit e zakonshëm kanë të drejtë të thërrasin në interpelancë ministrat apo kryeministrin 

“Në këtë platformë do të sanksionohet e drejta e njerëzve të zakonshëm për të thirrur në interpelancë ministrat dhe kryeministrin, siç i thërret një grup shokësh,  pasi të ketë mbledhur  me një numër të caktuar firmash” tha Rama.

Taulant Balla pjesë ekipit qeverisës

Ndërsa lidershipi i grupit do të jetë pjesë e ekipit qeverisës

“Lidershipi i grupit, nuk është formal, por është pjesë e ekipit qeverisës dhe po ashtu me detyra të përcaktuara për çdo nënkryetar grupi për të garantuar sinergji. Jemi një parti. Jemi një fuqi. Nuk  jemi të ndarë në shtresa. Shtresa e lartë në qeveri, shtresa e mesme në kuvend dhe shtresa e ulët, atje larg për të cilët kujtohemi vetëm kur ka zgjedhje”

 

Një herë ne vit mbledhja e qeverisë do të spostohet në çdo qark

Dy elementë të kësaj marrëveshjeje janë:

1- Qeveria gjatë një viti politik, një sesioni parlamentar, do të mblidhet nga një herë në çdo qark. Nuk është mbledhje simbolike por për tu spostuar në çdo qark një herë në vit dhe për të qëndruar atje më shumë sesa të jetë mbledhja dhe për të kaluar kohë dhe punuar së bashku me ekipin e deputetëve. Do të thirren në dëgjesa drejtuesit e institucioneve, si dhe do të organizohen takime me komunitetin. Do bëhen takime me pushtetin vendor.

2- Përveç takimeve të qeverisë çdo ministër gjatë vitit parlamentar duhet të spostohet dhe të qëndrojë një herë në muaj në një qark.

Marreveshja do i shperndahet dhe deputeteve 

Marrëveshja do i shpërndahet të  gjithë deputetëve që do të nënshkruajnë  marrjen në dijeni për të.

“Marrëveshja vendos gjithkënd në pozicionin e vet në raport me të drejtat por mbi të gjitha detyrimet ndaj grupit, qeverisë, si detyrime ndaj atyre që na kanë zgjedhur. Thelbi i saj është që ne të zbatojmë kontratën e 25 qershorit”  sqaroi  Rama. 

Kur deputetët do komunikojne me ministrat?

Marrëveshja do përcaktojë pikat kur deputetët duhet të komunikojnë drejtëpërdrejtë me ekipin qeveritar

“Kryetarët e zgjedhur sot të komisioneve tona, si pjesë e ekipit qeverisës janë njëkohësisht edhe zëdhënësit tuaj pranë qeverisë për çdo aspekt e problem përveç mekanizmave që do të përcaktojë marrëveshja të komunikimit të drejtëpërdrejtë të çdo deputeti me ekipin qeveritar” tha Rama.

Ne fillim te tetorit mblidhet Asambleja

Jo më larg se dhjetëditëshi i parë tetorit do të mblidhet Asambleja Kombëtare  për të zgjedhur kryesinë e re dhe sekretariatin e ri të Partisë.

Po sot PS zgjodhi kryetarët e komisioneve. Deputetët jo vizita jashtë shteti të enjteve

Kryeministri Edi Rama e nisi mbledhjen e parë të grupit të ri parlamentar të Partisë Socialiste duke falenderuar kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruci, për nisjen në kohë të seancës.

Në mbledhjen e kryesisë dhe të grupit socialist, u zgjodhën 4 nënkryetarët e grupit parlamentar të cilët janë Evis Kushi, Elisa Spiropali, Vilma Bello dhe Ilir Beqaj, ndërsa sekretari i grupit parlamentar u zgjodh Ervin Bushati.

/Oranews.tv/

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Trafikantët e drogës-policit: Ju tregoj unë çfarë të bëni tani

Close