Detaje të reja - Blerjet e shumta të Xhyliut zbuluan grabitësit e miliona eurove në Rinas
16/02/2017 - 18:47 Nga: Saimir Lleshi

Prokuroria e Tiranës ka zbardhur skemën se si ka ndodhur grabitja e 3 dhjetorit 2015 në aksin Tiranë-Rinas, ku u vodhën rreth 3.8 milionë euro si dhe rolin e secilit prej 4 personave të arrestuar. 

Sipas prokurorisë, shtetasi Fatjon Xhyliu, ish-punonjës i kompanisë private që transportonte paratë ka qenë në punë pranë kësaj kompanie, në kohën e vjedhjes me armë më 3 dhjetor 2015.

Ditën e ngjarjes, sipas prokurorisë, ai nuk ka qenë në punë. Sipas dosjes hetimore, ky person nëpërmjet të arrestuarit tjetër Ditjon Memlika, është njohur me shtetasin Neim Avdulaj, i cili ka kërkuar bashkëpunim për vjedhjen e parave që do të transportoheshin për në Rinas nga kompania private e sigurisë.

Shpenzimet e luksit të Fatjon Xhyliut – Prokuroria bën me dije se pas hetimeve disa mujore, në vjeshtën e vitit 2016, një informacion në rrugë operative bënte me dije se shtetasit Fatjon Xhyliu, ish-punonjës i kompanisë private, kishte shpenzuar shuma të konsiderueshme parash, prej të cilave nuk kishte mundësi reale për t’i pasur ato.

Këto para ishin shpenzuar kryesisht për blerje makine, rregullim shtëpie, blerje dyqani, etj”, thotë Prokuroria.

Pas kësaj, Prokuroria e Tiranës ka kryer verifikime e nevojshme për të vërtetuar informacionet e ardhura.

“Në shkurt 2016, Prokuroria e Tiranës krijoi dyshime të arsyeshme se, shpenzimet e të dyshuarit Fatjon Xhyliu ishin përtej mundësive të tij reale. Gjithashtu, ndërkohë ishin siguruar edhe të dhëna të tjera, të cilat mendohej se e lidhnin atë me vjedhjen e dhjetorit 2015. Për këtë arsye, në dt. 12.02.2017, prokuroria e Tiranës urdhëroi ndalimin e tij, si person nën hetim për veprat penale të “Vjedhjes me armë” për ngjarjen e vitit 2015”, sqaron Prokuroria.

Pas ndalimit të tij, organi i hetimit ka identifikuar edhe disa persona të tjerë në lidhje me grabitjen e vitit 2015. “Nga verifikimet e deritanishme, janë përftuar të dhëna, të cilat përfshijnë edhe shtetasit Ditjon Memlika, Neim Avdulaj dhe Ernest Kupa”, thuhet më tej.

Prokuroria e Tiranës thekson se në bazë të deklarimeve paraprake të personave nën hetim, janë krijuar “dyshimet e arsyeshme mbi skemën e vjedhjes së parave në dhjetor 2015, por që ka të dhëna se e njëjta është përdorur edhe për ngjarjen e ndodhur në Shkurt 2017, ku, në po të njëjtën mënyrë, u vodhën një tjetër sasi parash, e cila po transportohej për në Rinas nga një kompani private sigurimi fizik”.

100 mijë euro për lëvizjet e parave- Prokuroria sqaron se shtetasi Xhyliu dhe Memlika kanë pranuar ofertën e Avdulajt, për të cilën do të paguheshin me 100 mijë euro dhe se detyra e tyre ishin njoftimet mbi lëvizjen e automjeteve që transportonin paratë.

“Në bazë të këtij informacioni, disa persona të tjerë, me ndërmjetësinë e Neim Avdulaj, do të realizonin goditjen. Për të realizuar komunikimin, Xhyliu dhe Memlika ishin pajisur me telefona nga Avdulaj. Në datë 03.12.2015, dy punonjësit e “Rogat” në atë kohë, Xhyliu dhe Memlika, kanë njoftuar me sms Avdulajn për lëvizjen e mjete me vlera monetare. Avdulaj, nga ana e tij, dyshohet se ka njoftuar shtetasin A.Ç.

Pas këtyre komunikimeve me sms, disa persona të tjerë, kanë realizuar vjedhjen me armë të parave që gjendeshin në mjetet e kompanisë “Rogat”, në zonën e Kasharit, rrugës për në Rinas. Pas realizimit të vjedhjes, sipas deklarimeve, Xhyliu dhe Memlika kanë marrë nga rreth 100 mijë euro secili për dhënien e informacionit”, sqaron prokuroria.

Gjithashtu, prokuroria thotë se “nga deklarimet paraprake dhe të dhënat të siguruara deri në këtë fazë të hetimit, janë krijuar dyshimet e arsyeshme se këta persona janë të përfshirë edhe në vjedhjen me armë të parave që po transportoheshin nga mjetet e kompanisë “Jaguar”, mesditën e datës 09.02.2017”.

Ernest Kupa kreu grabitjen me armë – Sipas Prokurorisë së Tiranës, shtetasi Ernest Kupa, i arrestuar, dyshohet të jetë një nga autorët që janë përfshirë në grabitjen me armë.

“Po në bazë të deklarimeve paraprake, në këtë veprimtari dyshohet se ka qenë i përfshirë edhe shtetasi Ernest Kupa, i cili gjithashtu u ndalua me urdhër të Prokurorisë së Tiranës. Për këtë shtetas dyshohet se ka kryer veprime aktive në vjedhjen me armë në të dy rastet”, thuhet në deklaratë.

Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet dhe një pjesë e konsiduereshme e të dhënave nuk mund të publikohen në këtë fazë të hetimit, pasi konsiderohen sekret hetimor.

Katër personat e mësipërm u arrestua më 14 shkurt në kuadër të operacionit të koduar “Patrioti”.

Vjedhja e miliona eurove nga dy grabitjet në Rinas, 4 në pranga
Grabitja në Rinas, Xhyliu i penduar në gjykatë, Memlika mohon akuzat

 

Njoftimi i plotë i Prokurorisë për grabitjet në Rinas

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Parliamentary elections, Socialist Party secured 74 seats in Parliament to govern alone

Close