Procesi i legalizimit në Fier, 300 dosjet e fundit mbyllen brenda korrikut
17/07/2017 - 14:03 Nga: Xhemil Beharaj

Edhe pse kanë mbetur 300 objekte pa leje për t’u legalizuar, ALUIZNI në Fier njofton se ky proces përfundon në fund të korrikut. Prej vitit 2013, ALUIZNI ka legalizuar 25 780 objekte pa leje të vetëdeklaruara ndër vite në qarkun e Fierit. Në fund të muajit korrik përmbyllet plotësisht procesi i legalizimit për objektet dhe nisin legalizimet për 400 shtesat e pallateve në qark.

Drejtori i ALUIZNI-t për Rajonin Fier,  Ervin Bushi shprehet  se procesi ka shkuar në 98% i përfunduar kur kanë mbetur rreth 300 objekte  pa u legalizuar, por dosjet e tyre janë pothuajse gati dhe do të legalizohen.

Ervin Bushi: “Kanë mbetur shumë pak, rreth 10% e dosjeve në total që janë process dhe e kemi shpërndarë lejen e legalizimit dhe kemi bërë faturimin në hipotekë. E gjithë procedura deri në marrjen e lejes dhe më pas nxjerrja e çertifikatës për qytetarin ndiqet nga drejtoria e ALUIZNI-t. Jemi duke vazhduar punën dhe më pas do të informojmë qytetarët që çertifikata e pronësisë është gati dhe të shkojnë që ta tërheqin në hipotekë.”

Qarku Fier është një nga qarqet që ka ecur më shpejt në procesin e legalizimit të ndërtimeve pa leje.

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Komento

Read previous post:
Gjoba mbi 500 euro për turistët që ndotin qendrën

Close