Meta në Kosovë - Presidenti takon Haradinaj e Veselin: Prioritet, axhenda e përbashkët e qeverive
12/10/2017 - 22:18

Presidenti i Republikës Ilir Meta në ditën e tij të dytë të vizitës në Kosovë takoi kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.I bindur për marrëdhëniet e shkelqyera ndërshtetërore, Meta u zotua se ka ardhur koha që takimet dhe axhenda e përbashkët e qeverive, të konkretizohen me projekte konkrete.

Gjate vizitës se tij zyrtare në Kosovë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, takoi kryeministrin kosovar Ramush Haradinaj.

Për presidentin Meta, referuar marrëdhënieve të shkëlqyera ndërshtetërore, tashmë theksi duhet të vihet te axhenda e përbashkët e dy qeverive, duke përmendur këtu çështje të një rëndësie të lartë për qytetarët e dy vendeve si infrastruktura, arsimi, lëvizja e lirë dhe heqja e barrierave burokratike mes vendeve.

Presidenti Meta e siguroi edhe Kryeministrin Haradinaj për mbështetjen e fortë e të gjithanshme të Shqipërisë për Kosovën në proceset integruese evropiane dhe euroatlantike, si dhe anëtarësimin e plotë në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare.

Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta iu referua nevojës së madhe për liberalizimin sa më shpejt të regjimit të vizave nga ana e BE-së për qytetarët e Kosovës dhe, duke iu referuar kushtëzimit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, shprehu besimin se kjo çështje do të gjente një zgjidhje të shpejtë në frymën e mirëkuptimit të ndërsjellë me këtë vend fqinj.

Presidenti shqiptar takoi edhe kryeparlamentarin e Kosovës, Kadri Veselin, të cilin pasi e përgëzoi për rizgjedhjen në këtë post i shprehu besimin se bashkëpunimi mes dy parlamenteve do të vijojë në frymën e shkëlqyer të marrëdhënieve vëllazërore-ndërshtetërore.

Duke iu referuar sfidave kryesore me të cilat përballet Kosova dhe shoqëria e saj,Presidenti Meta shprehu besimin se Kuvendi i ri Kosovës dhe forcat politike parlamentare do të përqendrohen në mënyrë gjithëpërfshirëse e konsensuale për gjetjen e zgjidhjeve të nevojshme.

Si Veseli, ashtu dhe Meta, shprehen bindjen se axhenda e përbashkët e dy qeverie dhe keto takime, duhet te konkretizohen me projekte konkrete inftrastrukturore dhe te veprimit të përbashkët diplomatik.

Më herët Ilir Meta, takoi edhe homologun e tij kosovar Hashim Thaçi, me të cilin diskutoi gjithashtu për të ardhmen e marrëdhënieve ndërshtetërore. 

/Oranews.tv/

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
Debates in parliament, assembly speaker excluded DP mp Noka for 10 days

Close