Presidenti Nishani uron besimtarët festën e Pashkëve
16/04/2017 - 10:04

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nëpërmjet një mesazhi publik ka uruar të gjithë besimtarët e krishtë Festën e Pashkëve.

“Në këtë ditë të shenjtë, të Pashkëve kur të gjithë besimtarët e krishterë urojnë njëri-tjetrin dhe kur besimi i tyre i palëkundur te Biri i Perëndisë ripërtëritet e shumëfishohet, kam privilegjin e kënaqësinë që në cilësinë e Kreut të Shtetit t’ju uroj të gjithëve nga zemra: Gëzuar dhe përshumëvjet! Sa më shumë, mbarësi, paqe dhe begati e lumturi për ju dhe në gjirin e familjeve tuaja!” shkruan Nishani në mesazhin e urimit. 

“Dëshiroj gjithashtu që në këtë ditë të bekuar të gjithë së bashku të rigjejmë brenda vetes virtytet më të sinqerta jo vetëm te besimi në Zot, por edhe te shoqi-shoqi, si vëllezër e motra, si bij e bija të denja shqiptarësh, që ngahera kanë aftësitë, forcën dhe kurajën për të jetuar e punuar në harmoni e mirëkuptim për begatinë dhe të ardhmen e lumtur të vendit e të popullit tonë, sidomos atë të brezave të rinj e atyre që do të vijnë më pas! Festa e mrekullueshme dhe frymëzuese e Pashkëve, kjo ditë e ripërtëritjes së besimit e shpresës për një të nesërme më të mirë, na ofron sërish mundësinë që secili prej nesh të përmbushë detyrat dhe përgjegjësitë e veta, duke u përpjekur parreshtur që krahas harmonisë dhe bashkëjetesës shumëshekullore e proverbiale shqiptare, t’i vërtetojmë botës dhe sidomos familjes evropiane, se vlerat e vyera të kombit tonë të lashtë janë të palëkundura e të pashtershme. Gëzuar dhe përshumëvjet Festën e shenjtë të Pashkëve!” – mbyll mesazhin e Presidentit Nishani.

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Artikull i Rekomanduar:
Zgjedhjet 2017 – KQZ përcakton rregullat për ditën e votimit, rastet kur ndërhyn policia

Close