Ekopolitikë - Pastrimi i rrugëve, Prençi: ARRSH të mos bëjë avokatinë e kompanive
10/01/2017 - 22:20

Kreu i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi tha se aktualisht janë 14 njësi administrative të bllokuara nga dëbora me rreth 30 mijë banorë.

I ftuar në emisionin Ekopolitikë në Ora News, Prençi tha se janë rreth 4 mijë banorë në kushte emergjence. Ai tha se rrugët nacionale janë të hapura.

Alfred Olli, ish-drejtori i Emergjencave Civile renditi çfarë nuk është bërë deri më tani nga institucionet.

Kreu i Shoqatës së Bashkive Agron Haxhimali tha se shteti u gjunjëzua dhe situata u përballua nga bashkitë.

Petraq Lika, drejtor i Divizionit të Shpërndarjes ne OSHEE, Shef i Shtabit te Gatishmërisë, tha se aktualisht janë rreth 1800 abonentë pa energji elektrike për shkak të avarive.

Spartak Tarkaj, drejtor i Standardeve në Autoritetin Rrugor Shqiptar tha se asnjë aks kombëtar nuk është bllokuar.

Kreu i Emergjencave, Prençi i kërkoi Autoritetit Rrugor Shqiptar që të mos bëjë avokatinë e firmave private që tentojnë të përfitojnë ka kryer detyrimet.

Pjesë biseda: 

Prençi: Një nga planet e masave është plani i masave për stinën e dimrit. Strukturat shtetërore kanë qenë të përgatitura, kurse popullata shqiptare nuk është sot në ato troje, ka qenë me shekuj para se të ekzistojë shteti shqiptar, çka ka eksperiencë në menaxhim. Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave civile fazën e parë e ka konsumuar më së miri nëpërmjet paralajmërimit. Rrugët nacionale janë të hapura. Ka pasur mangësi, pasi një pjesë kompanish nuk e kanë marrë seriozisht ditët e para.

Në ditët në vijim, bashkëpunimi ka qenë më i mirë. Sot mund të themi që përgjithësisht, segmentet nacionalë janë të kalueshme. Një pjesë e tyre është me zinxhirë. Ende ka disa zona rurale që nuk janë të hapura. Janë tre njësi administrative në Shkodër, dy në Malësinë e Madhe, tre në Pukë, 1 në Tropojë, tre njësi në Kukës, dy në Dibër, një në Bulqizë. Ushtria po shpërndan ndihma për këta banorë. Rreth 30 mijë banorë, që nuk janë tërësisht të izoluar. Ata në kushte ekstreme janë rreth 4 mijë banorë.

Olli: Ideja e paralajmërimit të shpejtë ka disa vite që po aplikohet. Për mendimin tim është lajmëruar opinioni publik në kohë. U tejkalua ajo masë që u paralajmërua nga Drejtoria e Emergjencave civile me thirrje: mos dilni nga shtëpia, po bëhet kiameti. Në vitin 2012, ka pasur më shumë reshje dëbore.

Nuk kanë qenë temperatura, por bllokimet kanë qenë shumë herë më masive. E para nuk ka dislokim të forcave operacionale në terren pranë qendrave më të prekura. Shkodra, Kukësi, Dibra dhe Korça kërkon angazhim të fuqishëm të forcave operacionale. Forcat e Ushtrisë kanë mjetet e nevojshme. Duhej futur në përdorim Policia e Shtetit. Duhet të angazhoheshin forcat operacionale të Ministrisë së Bujqësisë nëpërmjet bordeve të kullimit që kanë mjete borëpastruese. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura është shumë larg të qenit në krye të detyrës.

Haxhimali: Këtë situatë po e përballojnë më së miri bashkitë. Qeveria u gjunjëzua totalisht. Qeveria nuk është institut parashikimi. Shteti nuk duhet të lejë banorët pa drita, pa ujë. Shteti duhet të dijë që në pjesën malore ka dëborë që sapo vjen dhjetori.

Prençi: Ku e merr këtë guxim që u gjunjëzua shteti?

Haxhimali: Nuk ka pikë takati për të zgjidhur asnjë problem. I kemi çu makineritë në Shkodër, por nuk punojnë. I ke fshatrat e Burrelit pa drita, të bllokuar totalisht.

Prençi: OSHE ka pranuar se ka pasur defekte në veri, por janë rregulluar.

Haxhimali: Ishin vetëm 61 kryetarët e bashkisë që e përballuan këtë situatë. Ata mobilizuan gjithë forcat e tyre. Duke filluar nga Tirana, në Kukës, Tropojë dhe Pogradec.

Haxhimali: Të ka kërkuar bashkia e Kukësit ndihma për 2200 familje dhe ke dërguar për 100 familje. Duhet ndërtuar një sistem.

Prençi: Nuk çojmë ndihma në zonat urbane ku rrugët janë të hapura. Emergjencat nuk luftojnë fukarallëkun. Zgjidhin problemin emergjent.

Rreth 1800 abonentë pa energji elektrike

Lika: Situata është mëse normale. Të tërë konsumatorët janë të furnizuar me energji elektrike. Në qoftë se në mëngjes ishin 6 fidra pa energji elektrike, tani që flasim është vetëm një fidër që ka hyrë në avari në orën 19:00, fidër në zonën e Mëzezit. Konsumatorët e tjerë në zonën e Vermoshit kanë marrë energji në orën 19:00. Në orën 21:16 ka marrë energji edhe zona e SMT-së së Fierit. Të gjithë konsumatorët përveç atyre që u përmenda që janë rreth 1800 abonentë kanë hyrë në avari dhe punonjësit e OSHE-së janë duke punuar. Të gjithë elektricistët janë në terren.

Haxhimali: Kemi njësinë administrative në Kukës, në Grykë Çaj pa energji elektrike.

Rrugët e bllokuara

Tarkaj: Këto temperatura të ulëta, dëborë e dendur, erëra të forta e bëjnë të pamundur që të jetë situata normale. Fakti që nuk kemi pasur bllokime të rrugëve…rrugët tona janë të një karakteri malor. Kalojnë në qafa malesh e bëjnë të pamundur pastrimin. Firmat kanë punuar dhe po punojnë për përballimin e situatës.

Prençi: E kam ngritur si shqetësim që më datë 4. Reagimi i firmave nuk ka qenë gjithkund njëlloj dhe ne i kemi denoncuar. Kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve nuk kanë kapacitete të tilla njerëzore dhe teknike për të përballuar situata të tilla. Duhet ta pranojmë. Situata të tilla me temperatura që vijojnë deri në minus 27 gradë, sikur të mbledhim të gjithë kompanitë bashkë nuk do ta përballojnë në një rajon.

Olli: Kemi rrugën matanë në Kosovës totalisht e spërkatur me kripë. Është kapur mirë ky problem dhe duhet çuar deri në fund. Akset rrugore nacionale kombëtare nuk mund t’i lihen një firme e cila në inventarin e saj logjistik, ka tre kazma, dy lopata dhe një karrocë. Duhet të ndryshojë mënyra e dhënies me koncesion të firmave.

Pastrimi i rrugëve, Prençi: ARRSH të mos bëjë avokatinë e kompanive

Olli: Një rrugë e veçantë siç është autostrada e Kombit nuk mund ta lësh në dorën e një firme private, e cila është e papërgjegjshme në rastin ekstrem, ose në rastin më të mirë ka dy borëpastruese. Shteti të marrë përgjegjësinë që janë të sigurisë jetike.

Tarkaj: Rruga Milot-Morinë nuk është autostradë.

Prençi: Jo për t’i dalë në mbrojtje dhe as për ta sulmuar Spartakun. Në mënyrë kategorike, kompanitë shqiptare që kanë marrë përsipër mirëmbajtjen e rrugëve. Rrugët nacionale cenojnë sigurinë kombëtare. Nuk na lejohet në mënyrë kategorike të bëjmë avokatinë e kompanive të ndërtimit. Ato i kanë bërë llogaritë vetë. Ata kanë hyrë në rrugën e fitimit. Për sa kohë kanë hyrë për të fituar, duhet t’i përgjigjen shtetit një më një. I bëj thirrje drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor (ARRSH) dhe nëndrejtorit të mos marrin përsipër të bëjnë avokatinë por të analizojnë të gjitha mangësitë. Detyrimet i kemi ndaj komunitetit por kurrë jo ndaj atyre që tentojnë të përfitojnë.

Tarkaj: Avokatinë e tyre e bëjnë me punën e tyre. Firma që mirëmban Rrugën e Kombit ka 20 borëpastruese. E them me kompetencë. Ka qenë e kalueshme me zinxhirë disa orë. Firmat private do të përgjigjen vetë dhe do të kenë penalitete për atë punë që nuk e kanë bërë.

/Ora News/

 

 

Të parët për lajmin e fundit. Ndiqni Oranews.tvFacebook dhe në Twitter

Read previous post:
ALUIZNI i vë shtëpinë në emër të vëllait, BOOM zgjidh problemin

Close